“Gjykata Speciale në fazën finale, ja kur priten aktakuzat e para”

Politika

“Gjykata Speciale në fazën finale, ja kur priten aktakuzat e para”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 nëntor 2017 Në ora: 12:45
Objekti i Gjykatës Speciale

E themeluar në vitin 2015, Gjykata Speciale ende nuk ka filluar ende me aktakuzat e para, edhe pse ka kohë që thuhet se ato do të fillojnë në fund të vjeshtës së këtij viti.

Javën tjetër kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova do ta vizitojë Kosovën, e këtë e ka konfirmuar ditë më parë Zyra e Dhomave të Specializuara, ku zyrtarët për Informim dhe Komunikim Publik të Speciales kanë thënë se vizita e saj në Kosovë, ka për qëllim informimin për të rejat më të fundit në lidhje me veprimtarinë e këtij institucioni.

“Gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë javën e ardhshme, kryetareja Trendafilova, do të ketë takime dypalëshe me zyrtarë dhe organizata shtetërore si edhe do të mbajë një fjalë në një veprimtari informuese dhe ndërgjegjësuese për organizatat e shoqërisë civile të cilat do t’i informojë për të rejat më të fundit në lidhje me veprimtarinë e Dhomave të Specializuara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Njësitit për Informim dhe Komunikim Publik të Dhomave të Specializuara për Kosovën.

Ndërsa, në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi Direktiva për Avokatët (Mbrojtësit) nga Gjykata Speciale.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vizita e kryetares së Speciales është një paralajmërim për përgatitjet finale dhe se ajo do të veprojë së shpejti.

Image
Haki Abazi

“Gjykata Speciale si duket do të veprojë së shpejti. Edhe vizita e udhëheqëses së Gjykatës Speciale së shpejti në Kosovë, është një paralajmërim së përgatitjet kanë hyrë në fazën finale dhe mund të pritet se do të bëjë publike aktakuzat e para dhe thirrjen e të akuzuarve së shpejti. Skandali i këtyre ditëve në EULEX mund të ketë ndikim në të gjithë procesin por mbetet të shohim”, ka deklaruar Abazi.

Ndërsa, nga Gjykata Speciale ende nuk ka pasur informata se kur do të fillojnë aktakuzat e para dhe arrestimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat