Keqpërdorimet në zgjedhje, këto janë dënimet sipas avokatit Gjoshi

Politika

Keqpërdorimet në zgjedhje, këto janë dënimet sipas avokatit Gjoshi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 nëntor 2017 Në ora: 22:44
Votim ne Kosove

Zgjedhjet e së dielës kanë ndryshuar hartën politike në Kosovë, mirëpo parregullsitë nuk kanë munguar as në këtë raund të zgjedhjeve.

Përkundër që KMDLNj i ka cilësuar si zgjedhje të rregullta, parregullsitë të tipit: fotografim votash, vonesa në hapjen e vendvotimeve, mosgjetja e emrave në lista e përpjekja për votim disa here, kanë qenë të pranishme edhe në këto  zgjedhje.

Për të gjitha këto parregullsi, avokati thotë se dënimi është i paraparë të jetë deri në 5 vite burgim.

Avokati Adrian Gjoshi, duke folur për “Bota sot” ka thënë se për vepra penale parashihet dënim deri në 5 vite burgim.

Ndërsa, sa i përket thyrjes së heshtjes zgjedhore, ai është shprehur se shkelësit mund të marrin gjoba mandatore nga KQZ.

Image
Adrian Gjoshi

“Veprat penale që kanë të bëjnë me të drejtën e votimit dhe të drejtës zgjedhore shteti ynë i ka sistemuar në kapitull të veçantë, për shkak të peshës së këtyre veprave dhe mënyrave të shumta të mundshme të cenimit të këtyre të drejtave. Në kapitullin XVIII të Kodit Penal të Kosovës është paraparë një numër i madh i veprave që cenojnë procesin e rregullt zgjedhor, siç janë: Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin; Keqpërdorimi i të drejtës së votimit; Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve; Cenimi i fshehtësisë së votimit; Falsifikimi i rezultateve të votimit; Asgjësimi i dokumenteve të votimit etj. Sipas Kodit Penal, për këto vepra penale është paraparë dënimi maksimal deri në 5 vite burgim. Sa i përket thyerjes së heshtjes zgjedhore, ky veprim nuk është i paraparë si vepër penale, por si një veprim i kundërligjshëm ku shkelësit mund të marrin gjoba mandatore nga KQZ”, ka pohuar Gjoshi për “Bota sot”.

Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokraci në Veprim” (DnV) ka vrojtuar se nga 1777 vendvotime, 12 janë hapur me vonesë, kurse 60 vendvotime kanë qenë në mungesë të materialeve zgjedhore.

Sa i përket vështirësive të votuesve, DnV, ka raportuar se 202 ankesa lidhur me Listën e Votuesve, kurse votimi familjar është evidentuar në 116 vendvotime, ndërsa në 54 vendvotime ishte fotografuar vota. Parregullësi tjera sipas DnV, kishte në asistim të votuesve më shumë se një herë (dukuri e vrejtur në 27 vendvotime) dhe prania e personave të pautorizuar në vendvotim (21 vendvotime).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat