“Vendimi fatal”, PDK drejt një krize të thellë

Politika

“Vendimi fatal”, PDK drejt një krize të thellë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 nëntor 2017 Në ora: 08:01
Veseli, fushata

Zgjedhjet lokale të mbajtura me 22 tetor nuk nxorën fitues në të gjitha komunat në Kosovë. Për këtë, u mbajt edhe raundi i dytë i zgjedhjeve në 19 komuna, ku partitë shkuan në balotazh.

Por edhe në raundin e dytë të mbajtur me 19 nëntor, rezultati në disa komuna ishte i ngushtë. Derisa LDK fitoi katër komuna, VV fitoi 3, AAK 3, Nisma 1, AKR 1, humbje më të madhe pësoi PDK, e cila humbi 3 komuna të cilat i ka qeverisur prej kohësh.

Kjo parti humbi komunën e Vushtrrisë pas 13 vitesh qeverisje, Prizrenin dhe Klinën.

Lidhur me rezultatin e balotazhit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin, por që ka thënë se partia që ai i udhëheq ka numrin më të madh të asamblistëve. 

Për këtë humbje të PDK-së analistët kanë dhënë opinionet e tyre, për rënien dhe arsyet e humbjes.

Vendimi fatal i PDK-së

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj thotë se humbjet për PDK-në kanë filluar që nga prishja e koalicionit me LDK-në dhe se rezultati i tillë i dobët ka qenë i pritshëm.

Image
Skënder Zogaj

“Humbjet e PDK-së në zgjedhjet e sivjetme lokale ishin të pritshme që nga çasti kur kjo parti prishi koalicionin qendror qeverisës PDK-LDK, që ka qenë një vendim fatal për PDK-në, e cila zuri në thua në pikë të rrafshit dhe definitivisht është vetë përjashtuar nga sofra e parë e vendit. Prandaj, rezultati tepër i dobët në zgjedhjet lokale ka qenë i pritshëm dhe u dëshmua sepse humbi bastionet kryesore - Prizrenin, Klinën dhe Vushtrrinë, që kanë qenë pikat kryesore të qeverisjes lokale të PDK-së. Kjo humbje do të derivojë vazhdim të krizës për PDK-në, sepse kjo do të jetë me ndikim të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme që e rrezikojnë edhe më shumë PDK-në si në planin qendror ashtu edhe lokal”, është shprehur Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se PDK ka mbetur edhe pa partnerë, por që pakënaqësi ka edhe tek anëtarët e saj që po kalojnë në parti tjera.

“Në fakt, PDK-ja i ka humbur të gjithë partnerët sepse i ka "zhgënjyer" duke i “prerë në besë" dhe kjo do të jetë hendikep i madh në veprimtarinë e mëtutjeshme të PDK-së, meqenëse zhgënjimi tashmë është i dukshëm edhe tek anëtarësia e gjerë nëpër bastionet e saj, që siç po shihet, po ia kthen shpinën dhe po aderon në partitë e tjera”, ka vlerësuar Zogaj.

Bastionet e PDK-së

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike Rexhep Shahu mendon se PDK i humbi këto komuna që i kishte bastione, pasi sillej sikur pronare e lirisë dhe se sillej sikur qytetarët në ato komuna e kishin për obligim ta votonin këtë parti.

Image
Rexhep Shahu

“Prizreni Klina e Vushtrria të njohura si komuna ku PDK kishte çelë lule, u humbën nga kjo forcë politike. U humbën nga siguria deri në arrogancë e kësaj force politike se i kishte bahçe apo bastione të vetat këto komuna. PDK i humbi këto komuna se kishte filluar prej kohësh ta ndjente sikur qytetarët e kishin për detyrë të votonin PDK-në, e cila abuzoi më shumë se sa duhej, duke u sjellë si pronare e lirisë, si sjellëse e lirisë, si pronare e luftës dhe sikur kishte gjithë meritat e Kosovës së lirë. Pra këto komuna nuk u fituan më shumë se sa u humbën nga PDK”, ka theksuar Shahu për gazetën “Bota sot”.

Arsyet e humbjes së PDK-së

Vlerësim për humbjen e PDK-së në Prizren, Vushtrri e Klinë ka dhënë për “Bota sot” edhe analisti Islam Krasniqi, i cili ka treguar arsyet për secilën prej tre komunave, pse kjo parti ka pësuar humbje.

Ai përmend fillimisht Prizrenin, që e quanin edhe Jerusalemi i PDK-së, e që sipas tij qytetarët janë vetëdijësuar për qeverisjen që kanë pasur dhe atë që duan të kenë.

“Prizreni ka qenë një ndër qytetet më të rëndësishëm të PDK-së në Kosovë, siç e quanin si Jerusalemi i tyre, mirëpo ka qenë edhe qyteti që ka pasur nevojë për ndryshime më së shumti, së është udhëhequr dhe menaxhuar nga një kryetar i dënuar, gjithashtu është qytetet historik, ku nga partia në pushtet është munduar t’i ndërrohet identiteti, për interesa personale kanë prekur çdo simbol historik, duke ja humbur rëndësinë që kanë. Qytetarët treguan së kanë filluar të vetëdijësohen dhe nuk duan ta përsërisin gabimin e tyre, gabim që iu kushtoi shumë, e që zgjodhën një njeri të korruptuar, i cili për kundër dënimit që mori, postin e të parit të komunës nuk e lësho dhe qytetarët ja ndëshkuan partinë”, ka vlerësuar ai.

Image
Islam Krasniqi

Për humbjen në Klinë, Krasniqi thotë se është komunë me votues të ndryshëm, përveç PDK, edhe LDK e AAK dhe janë mërzitur nga premtime të kryetarit që kanë pasur.

“PDK-ja humbi edhe Klinën sepse Klina është zonë neutrale që përfshinë një pjesë territorin e Dukagjinit, një pjesë territorin e Drenicës dhe ka qenë komunë që ka pasur specifikat e veta, ku njëra pjesë ka qenë bastion i PDK-së, një pjesë e LDK-së dhe një pjesë e AAK-së, ku kanë pasur diferenca të vogla në vota, mirëpo edhe qytetari ka kërkuar vetë ndryshimin sepse janë mërzitur dhe lodhur nga premtimet e kota, ku kryetari gjithmonë ka vendosur vetë për çdo punë, pa e marrë mendimin e asamblesë apo të zgjedhurit e popullit, pa e harruar së edhe ka pasur një kundër kandidat të mençur, intelektual dhe i arsimtar”, ka theksuar Krasniqi.

Për komunën e Vushtrrisë, analisti thotë se qytetarët e kanë humbur besimin   dhe simpatinë ndaj partisë së PDK dhe se sipas tij është praktikë e mirë që kryetarët të ndërrohen, kur nuk punojnë.

“Gjithashtu edhe Vushtrria ka bërë ndryshime ku PDK-ja nuk mundi as këtë qytet ta mbajë, çka do të thotë së populli e ka humbur besimin dhe simpatinë ndaj kësaj partie, parti e cila ka mashtruar qytetarët pa ndërprerë, apo duke ja vjedhur votën në forma të ndryshme hallexhinjëve, të cilët në shumë raste janë kushtëzuar edhe me largim nga asistenca sociale. Ky është një shembull i mirë, ku qytetarët kanë filluar t’i ndëshkojnë mashtruesit, por edhe praktikë e mirë është të ndërrohen kryetarët, një mandat dhe të lëshojnë rendin, së mandatin e parë po punojnë, të dytin po sillen si monark...”, është shprehur Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, PDK ka fituar Komunën e Ferizajt, Shtimen, Dragashin dhe Kaçanikun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat