Addio PDK

Politika

Addio PDK

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 21 nëntor 2017 Në ora: 11:17
PDK

Rezultatet e zgjedhjeve të balotazhit treguan se lidershipi i Partisë Demokratike të Kosovës ka hipur sipër një biçiklete pa frena, dhe me këtë ka filluar të lëshohet nga një kodër e lartë që është vetëm çështje kohe për të arritur në fund të rrugës për t’u përplasur me kokë për muri.

Kjo për faktin se sipas rezultateve preliminare të KQZ-së,  PDK-ja në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale doli partia që ka humbur më së shumti vota krahasuar me numrin e përgjithshëm të votave dhe me komunat që ka udhëhequr më herët. Rënia e këtij subjekti politik në zgjedhjet e qershorit dhe humbja e komunave të mëdha, siç është: Prizreni, Klina, Vushtrria, Rahoveci dhe mos arritja e fitores së Mitrovicës Jugore, tregon për një konsistencë të PDK-së drejt humbjes që mund të ketë fatin e njëjtë të AKR-së.

Pra, ky subjekt politik tregoi se ka konsistencë në rënie të votave krahasuar me partitë e tjera. Për shembull, LDK-ja nga partia e dytë në zgjedhjet qendrore, arriti të fitoi më së shumti komuna. Kurse, AAK  si subjekti i katërt politik në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e së dielës doli si subjekti i dytë që fitoi shtatë komuna.

Lëvizja Vetëvendosje si parti e vetme në zgjedhjet e qershorit doli subjekti më i madh politik, sepse siguroi 32 ulëse në kuvend, në zgjedhjet lokale shënoi rënie të votave, por ajo arriti t’i fitoj edhe dy komuna të tjera të rëndësishme, siç është Prizreni, “Jerusalemi” i PDK-së dhe komunën e Kamenicës. Plus arriti ta mbajë komunën e Prishtinës (Vetëvendosje ka mundur të fitoi më shumë komuna, por i kanë munguar kandidatët si në Prishtinë dhe në Kamenicë)

NISMA për Kosovën dhe AKR arritën t’i mbajnë dy komunat e tyre që dikur qeverisësin nga PDK-ja. NISMA arriti të mbajë komunën e Malishevës që ishte në balotazh me PDK-në. Po ashtu, AKR arriti ta rifitoj komunën e Mitrovicës Jugore që ishte në balotazh me PDK-në.

Andaj, duke parë lëvizjen aq të shpejt të këtyre subjekteve politike nga zgjedhjet qendrore në ato lokale, tregon që vetëm PDK-ja është duke shkuar drejt rënies së thellë, ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2002.

Përfundimisht, në zgjedhjet e së dielës shumica e qytetarëve nëpër komuna, i thanë “Addio” PDK-së. Fjala “Addio” është në gjuhën italiane dhe përdoret për ndarje të përgjithshme, kur përcjellët i vdekuri për në varr ose kur nëna e përcjell të birin për në luftë, sepse ekziston frika se ai mund të mos kthehet më i gjallë në shtëpi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat