Krasniqi tregon se si KQZ-ja mund të heq dyshimet për manipulim të votave

Politika

Krasniqi tregon se si KQZ-ja mund të heq dyshimet për manipulim të votave

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 nëntor 2017 Në ora: 14:36
Rinumërimi i votave

“Në rast se KQZ-ja do të dërgonte 5 komunat në rinumërim, do të hiqej çdo dyshim për tentim të manipulimit të votave politikisht, në këtë mënyrë do të linte hapësirë edhe për partitë politike që të mos e pranonin rezultatin e zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka vendosur që të gjitha votat e Prishtinës dhe Prizrenit do të shkojnë në rinumërim.

Kryeshefi i PZAP-it, Mul Desku, ka thënë se ankesat e LDK-së për Prishtinën dhe PDK-së për Prizrenin janë pranuar si të bazuara.

Rinumërimi i votave në të dy komuna më të mëdha të Kosovës, ka sjellë reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila ka dalë fituese në balotazhin e 19 nëntorit në të dyja komuna.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk mund të ndryshohet vullneti i qytetarëve.

 “Nuk ndryshohet vullneti i qytetarëve, sado që merrni vendime të padrejta!”, ka shkruar Ahmeti, pas vendimit për rinumërimin e votave.

Kurse, kandidati i Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka, e konsideron veprim të çuditshëm, pasi sipas tij, asnjë vërejtje nuk ka pasur për procesin zgjedhor në Prizren.

Madje, ai ka shkruan se vendimi i PZAP-së për rinumërimin e votave të Prizrenit erdhi pas dy deklaratave të komisionerëve të PDK-së, ku për njërin prej tyre ai tha se është tërhequr, duke thënë se nënshkrimin e deklaratës e ka bërë nën presion të komisionerëve të PDK-së.

Sipas Haskukës, në vend se prokuroria dhe gjykatat të merren me presionin që është ushtruar ndaj komisionerëve, ata merren me rinumërimin e votave.

Duke folur rreth mundësisë së përmbysjes së rezultatit në Prishtinë e Prizren, analistët politikë kanë pohuar për “Bota sot” se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, mirëpo  dyshime në opinon janë për shkak të zvarritjes së rinumërimit dhe numërimit të votave me kusht.

Analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se me marrjen e vendimit  për rinumërim të votave, sikur është duke u tentuar të përmbyset politikisht vullneti i sovranit.

Image
Faik Krasniqi

Sipas Krasniqit, nëse KQZ do t’i dërgonte 5 komunat në rinumërim, atëherë do të largohej çdo dyshim për tentim të manipulimit të votave.

Por, ai ka shtuar se zvarritja e rinumërimit dhe numërimt të votave me kusht shkakton dyshime në opinion.

“Nuk besoj që do të ketë ndryshim të rezultatit në Prishtinë dhe Prizren, edhe pas rinumërimit të votave. Çdo parti ka komisionerët e vet dhe ata janë përgjegjës për mbrojtjen e votës. Por,  një gjë është e çuditshme në marrjen e vendimit për rinumërim të votave, sikur po tentohet që të përmbyset politikisht vullneti i sovranit. Në rast se KQZ-ja do të dërgonte 5 komunat në rinumërim, do të hiqej çdo dyshim për tentim të manipulimit të votave politikisht, në këtë mënyrë do të linte hapësirë edhe për partitë politike që të mos e pranonin rezultatin e zgjedhjeve. Edhe zvarritja e rinumërimit dhe numërimit të votave me kusht, poashtu krijon konfuzitet dhe bën dyshime në opinion. Sa më parë të mbarojë procesi aq më mirë”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.

Rinumëri i votave të kërkuara me vendim të PZAP-it, do të bëhet pas përfundimit të numërimit të votave me postë, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta për 14 komunat, ku nuk ndikojnë në rezultat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat