Kritikohet AGK që në raportin e saj nuk i përmendi vrasjet e gazetarëve të gazetës “Bota sot”

Politika

Kritikohet AGK që në raportin e saj nuk i përmendi vrasjet e gazetarëve të gazetës “Bota sot”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 23 nëntor 2017 Në ora: 18:30
Gazetarë e vrarë të "Bota sot", Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti

Mos përmendja e vrasjes së dy gazetarëve të gazetës “Bota sot” në raportin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, është e papranueshme dhe e qëllimshme.

Kështu thonë njohësit e rrethanave politike në vend.

“AGK duhet të jetë e pavarur dhe në raportin e saj për lirinë e mediave. Mos përmendja e vrasjeve të gazetarëve të "Bota Sot" është dashakeqësi. Si i tillë ky raport nuk është real, prandaj nuk pasqyron gjendjen faktike të gazetarëve”, thotë për “Bota sot” analisti Faton Mehmeti.

Për Mehmetin, raporti i plotë, do jetë vetëm kur të përmenden të gjitha rastet e sulmeve dhe vrasjeve të gazetarëve, por si duket ka njerëz të politizuar në AGK, e të tillë edhe bëjnë këso raporte skandaloze.

Sipas tij, mos përmendja e tyre është e qëllimshme.

Image
Faton Mehmeti

“Ky raport është i njëanshëm, skandaloz dhe jo realist dhe si i tillë nuk pasqyron gjendjen faktike të gazetarëve në Kosovë që nga '99-ta. Derisa edhe Amnesty Internacional ka përmendur vrasjet e gazetareve të "Bota Sot" ndërkohë që AGK nuk i përmend, kjo është e qëllimshme dhe krejt e papranueshme. Kjo nuk i kontribuon pasqyrimit të gjendjes faktike dhe shton dozën e mosbesimit ndaj AGK”, shtoi Mehmeti.

Edhe analisti Jeton Kelmendi, thotë se në raporte të AGK-së, nëse flitet për kërcënime të gazetarëve dhe raste të tjera, duhet të përmenden të gjithë.

“Mendoj se reagimi duhet të jetë i përmbajtur dhe të jetë konformë standardeve për të drejtat dhe liritë e opinionit të medias. Prandaj, edhe reagimi selektues si Asociacioni dëmton sinqerisht të drejtën dhe lirinë e njeriut për faktin se raporti duhet të përfshihen të gjithë rastet. Pra, duhet të përfshihen gazetarët e mediave kryesore apo të mediave lokale”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, duhet të raportohet për të gjitha rastet, pavarësisht mediumeve.

Image
Jeton Kelmendi

“Nuk dua ta gjykoj për çfarë arsyeje nuk kanë raportuar, por sigurisht është frikësi në qoftë se nuk janë përmendur vrasjet, rrahjes apo dhunimit të gazetarëve. Pavarësisht mediave se cila është por duhet reaguar ndaj rasteve të gazetarëve në përgjithësi”, shtoi Kelmendi.

AGK: Raporti për sigurinë e gazetarëve është bërë vetëm për vitin 2017

AGK të hënën ka publikuar raportin e titulluar “Treguesit për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve [KOSOVA 2017).

Në këtë institucion thonë se ky raport është bërë vetëm për vitin 2017.

“Raporti i publikuar ditë më parë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës,  “Treguesit për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve- (Kosova 2017)”, siç shpjegohet edhe në titull, raporti trajton të gjitha rastet që kanë ndodhur nga periudha 01.01.2017 deri me 30 shtator 2017. Ky është një raport vjetor që për trajtim ka evidentimin e të gjitha rasteve që kanë ndodhur gjatë këtij viti dhe nuk fokusohet në asnjë të dhënë për vitet paraprake. Siç është e shpjeguar edhe në përmbledhjen ekzekutive, qëllimi kryesor i këtij studimi kërkimor është zbulimi i zhvillimeve të reja dhe krahasimi me nivelet e lirisë së mediave dhe siguria e gazetarëve që janë identifikuar në vitin 2016”, thuhet në përgjigjen me shkrim të AGK-së.

Por, në faqen 32 të raportit të AGK-së përmenden kalimthi rastet e gazetarëve prej vitit 1999.

“Më 21 qershor 2017, në një takim të përbashkët ndërmjet AGK-së dhe zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, janë paraqitur të gjitha rastet që kishin të bënin me gazetarët e kërcënuar apo të sulmuar që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999. Sipas zyrës së kryeprokurorit, në sistemin e drejtësisë në Kosovë janë regjistruar gjithsej 120 raste të sulmeve, kanosjeve dhe rasteve të tjera ndaj gazetarëve”, thuhet në raport.

Kurse, AGK thotë se për vrasjen e gazetarëve është diskutuar vetëm në konferencën që u publikua raporti.

“Sa i përket vrasjes së gazetarëve në Kosovë, është diskutuar në konferencën të cilën e ka organizuar AGK, ditën e prezantimit të raportit. AGK, në vitin e fundit është marrë me rastin e gazetarëve të vrarë. Në fillim vit, përkatësisht në shkurt të këtij viti, AGK së bashku me partnerët e saj ka kërkuar në kuadër të konferencës regjionale të organizuar nga OSBE që të formohet një komision i përbërë nga shoqëria civile, prokurorët, gazetarët, gjyqtarët dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare duke përfshirë edhe ambasadat e huaja. Po ashtu AGK, pak muaj më vonë përmes një komunikate për media ka kërkuar sërish rihetimin e këtyre rasteve. Ne besojmë se gjithsecilit rast i vrasjes së gazetarëve dhe veprave të tjera penale ndaj tyre duhet të hetohet dhe kryerësit e veprave penale të dalin para drejtësisë”, thuhet më tej në përgjigjet e AGK-së.

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, analisti Nexhat Haziri, konsideron se të flasësh apo të raportosh për dhunën ndaj gazetarëve nga periudha '99 e deri në vitin 2017 dhe në këtë raport mos të përfshish edhe vrasjen e dy gazetarëve të së përditshmes "Bota sot" nuk ka kuptim.

“Kujtoj se të tilla organizata janë të ndikuara nga politika dhe disa media të caktuar në Kosova. Dhe në bazë të kësaj AGK-ja nuk është e dinjitetshme të mbroj apo të përfaqësojë të drejtat e komunitetit të gazetarëve në Kosovë”,është shprehur Haziri.

Vrasjet e gazetarëve të “Bota sot”

Gazetës kombëtare “Bota sot” pas luftës dhe viteve në vazhdim, i janë vrarë kolumnistët dhe gazetarët e saj, por deri më tani nuk është bërë asnjë zbulim se kush janë vrasësit e tyre.

Vrasja e parë u bë ndaj Xhemajl Mustafës me 23 nëntor të vitit 2000. Mustafa ishte aktivist i LDK-së dhe kolumnist i “Bota sot”.

Por, pas 17 viteve ende nuk është zbuluar se kush kanë qenë vrasësit dhe urdhëruesit e kësaj vrasje.

Bekim Kastrati, është një gazetarë tjetër i vrarë pas luftës në Kosovë vrasja e të cilit është një mister për familjen.

Askush deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi për ngjarjen e tetorit 2001 ku nga të shtëna me automatik u vra Besim Kastrati dhe Besim Dajaku, ndërsa i plagosur mbeti Gani Geci.

Bardhyl Ajeti është gazetari tjetër që u vra në vitin 2005.

Më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa kthehej rrugës për në shtëpi, i bënë atentat gazetarit të “Bota Sot”, Bardhyl Ajeti. I plagosur rëndë, Bardhyl Ajeti vdiq në Milano të Italisë më 25 qershor 2005.

Edhe kjo vrasje politike sikur të tjerat ende nuk është zbardhur. Politikanët premtojnë sa herë që ka zgjedhje, por harrojnë fill, sa fitojnë kolltukun duke mashtruar popullin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat