A u kërkua nga NATO rinegocimi i Demarkacionit? Ky është qëndrimi i partive politike

Politika

A u kërkua nga NATO rinegocimi i Demarkacionit? Ky është qëndrimi i partive politike

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 24 nëntor 2017 Në ora: 08:11
Admirali i Ushtrisë Amerikane, James Foggo gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e ndërrimit të Komandës në KFOR

Deklarata e Admiralit të Ushtrisë Amerikane, James Foggo i cili gjatë pjesëmarrjes  në ceremoninë e ndërrimit të Komandës në KFOR, tha se për Demarkacion, Kosova dhe Mali i Zi duhet të zhvillojnë bisedime, është mirëpritur nga partitë që janë kundër marrëveshjes aktuale. Në anën tjetër, partitë që ishin për këtë marrëveshje, shprehen se e njëjta nuk do të ndryshojë në asnjë mënyrë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të NISMA-s për Kosovën e mirëpresin deklaratën e admiralit amerikan të NATO-s, James Foggo, i cili ka thënë se problemi i demarkacionit është një çështje që duhet të zgjidhet përmes një dialogu produktiv mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ata thonë se kjo është një deklaratë e arsyeshme dhe presin reflektim edhe nga ana e deputetëve të LDK-së dhe të PDK-së, pasi që sipas tyre me versionin aktual të demarkacionit Kosova humbë territor.

Reflektim pas kësaj deklarate, ata presin edhe nga qeveria e Malit të Zi, e cila kohëve të fundit është deklaruar se për këtë shtet demarkacioni është një punë e kryer.

“Deklarata e admiralit të NATO-s, është një deklaratë e arsyeshme, e cila ofron mundësinë që Mali i Zi dhe Kosova të bisedojnë në të ardhmen në këtë çështje për shkak se në çdo rast ku njëra palë nuk pajtohet, atëherë ose fillon dialogu përsëri që të arrihet një marrëveshje e re ose ajo dërgohet në arbitrazh”, tha për “Bota sot”, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi.

Image
Ahmet Isufi

Isufi pret reflektim nga PDK dhe LDK

Ai tha, se këtë marrëveshje e konteston një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës.

“Mendoj, se bisedimet me Malin e Zi duhet të vazhdojnë sa i përket çështjes së kufirit, sepse ajo është kontestuar nga pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve të parlamentit të Kosovës. Prandaj, kjo është rruga e cila mund të çojë deri të një zgjidhje për ta definuar saktë kufirin në bazë të ekspertizës, sepse kufiri me versionin e parë është gabim”, tha ai.

Isufi thotë se pas kësaj deklarate, ai pret një reflektim nga kolegët e tij të LDK-së dhe të PDK-së.

“Këtë deklaratë duhet ta marrin parasysh të gjithë deputetët, pra edhe ata të LDK-së dhe të PDK-së, sepse është një deklaratë e arsyeshme nga një zyrtarë i lartë i NATO-s që tregon se si duhet të zgjidhen mospajtimet në korrigjimet e kufijve. Nuk jemi ne i vetmi shtet që kemi probleme me kufirin”, tha më tej Isufi.

Ai shtoi se edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë kanë pasur probleme të ngjashme, por me bisedime dhe në mënyrë të arsyeshme i kanë zgjedhur ato.

Edhe deputeti tjetër nga NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi, thotë se e mirëpret këtë deklaratë.

Madje, sipas tij është e çuditshme si Mali i Zi e konsideron demarkacionin një punë të kryer pasi që ai nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës.

“Pa dyshim që kjo çështje konsiderohet e kryer vetëm atëherë kur të jetë ratifikuar nga parlamentet e të dyja vendeve”, tha Sherifi për “Bota sot.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Në asnjë moment gjenerali s’ka kërkuar rinegocimin e marrëveshjes

Nga ana tjetër, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj dhe ish-zëvendësministër në qeverinë e kaluar thotë për “Bota sot” se deklarata e admiralit amerikan nuk duhet të kuptohet se ai ka bërë thirrje për rinegocim të marrëveshjes.

“Duhet të jesh shumë i paditur apo shumë me sherr të keqinterpretosh atë deklaratë, ashtu siç e bëjnë ata sot. Çfarë paskan pritur këta të thotë gjenerali amerikan, se duhet të nisin luftën me Malin e Zi. Natyrisht se për gjithsecilin problem duhet biseduar, por kjo nuk nënkupton në asnjë moment se gjenerali ka kërkuar rinegocimin e marrëveshjes”, tha Gecaj për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se, Ambasada amerikane ishte e qartë si kristali para disa ditësh, dhe është aty që duhet kërkuar opinionin e Qeverise Amerikane.

“Megjithatë, nëse këta dëshirojnë t’i bëjnë qejf vetit dhe të besojnë se gjenerali ka kërkuar rinegocim, e vetmja gjë që mund të ndodhë është zvarritja e kësaj çështjeje edhe më tutje, diçka që duhet edhe po tentohet të bëhet, vetëm e vetëm për të prolonguar jetëgjatësinë e kësaj qeverie me mënyrë dhe metoda të njëjta me të cilat edhe ka arritë në pushtet”, është shprehur Gecaj.

Gecaj, tha më tej se ai do të dëshironte që qeveria Haradinaj të mund të mbajë premtimin dhe ta sjellë kufirin në Çakorr.

“Unë, partia ime, por edhe te gjithë qytetarët e Kosovës do të donin që qeveria e re të mund ta mbajë premtimin dhe ta sjellë kufirin në Çakorr dhe Kullë. Megjithatë, unë sinqerisht nuk e besoj se kjo do të ndodhë, jo pse unë apo dikush tjetër nuk e dëshiron këtë, por për shkak se në bazë të të gjithë dokumentacionit të cilin unë e kam parë vija kufitare është përcaktuar drejt, pra siç thotë populli, “letrat” i kemi deri aty”, ka nënvizuar ai.

Sipas Bajram Gecajt, ishte opozita e cila këtë e kishte shndërruar në kauze falso politike për hir të përmbysjes se pushtetit dhe tani kanë futur vetën në një rrugë qorre dhe nuk dijnë si t’ia bëjnë.

“Në këtë huti të tyre, ata nxjerrin edhe fjali nga konteksti, edhe duke i keqinterpretuar ato për qëllimet e tyre”, shtoi ai.

Image
Seb Bytyçi

Analistët: Kosova dhe Mali i Zi duhet të marrin seriozisht këtë deklaratë

Kurse, Profesori Seb Bytyçi nga Universitetin e Winchester në Angli thotë se kjo deklaratë e admiralit të NATO-s, duhet të merret seriozisht nga qeveritë e të dyja vendeve.

“Mendoj se të dyja palët duhet ta marrin seriozisht këtë deklaratë. Në fakt, me herët Mali i Zi ka deklaruar se janë të gatshëm për rinegociim”, tha Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, të dyja palët duhet të kuptojnë se demarkacioni është larg nga të qenit çështje e kryer.

Kurse, analisti Jeton Kelmendi thotë se deklarata e admiralit amerikan paraqet një dritë të vogël në fund të tunelit për të zgjidhur këtë çështje.

“Mendoj pas katrahurave politike dhe deklarimeve të Ambasadës Amerikane, e cila vije saktësisht kundër Kosovës, duke shkelur të drejtat parimore, themelore të lirive të njeriut, të demokracisë, tani kjo shihet një dritë në fund të tunelit, kur admirali i NATO-së deklaroi se demarkacioni është problem mes Malit të Zi  dhe Kosovës”, tha Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Por, ai thotë se demarkacioni nuk mund të kalojë as këtë legjislaturë.

“Realisht është ende problem, sepse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës dhe sipas të gjitha gjasave ky version nuk kalon së paku dhe me këtë legjislaturë, sepse nuk i ka dy të tretat e votave”, tha Kelmendi.

Sipas Kelmendit, qeveria duhet ta dërgojë në Kuvend marrëveshjen për demarkacion në mënyrë që ajo të hidhet poshtë.

“Unë mendoj se kryeministri Haradinaj duhet ta çojë variantin e vjetër në Kuvend dhe ta merr një përgjigje nga deputetët, sepse ata nuk janë thirrur vetëm për të marrë rroga të majme, por edhe për të mbajtur përgjegjësi”.

Ai thotë, se ata deputetë të cilët votojnë për version aktual të demarkacionit, do të hyjnë në histori për përgjegjësi dhe tradhti kombëtare.

“Të gjithë ata deputetët të cilët mendojnë nga trysnitë e ndryshme, qoftë me presion të jashtëm se duhet ta ratifikojnë dhe në qoftë se janë dy të tretat, le ta ratifikojnë. Përgjegjësia mbetet historike për tradhti kombëtare ndaj secilit që e voton këtë variant, dhe në anën tjetër ai deputetët që voton kundër nuk duhet të votojë për shkak të presionit”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, aktivistja e shoqërisë civile Besa Luzha, thotë se çështja e demarkacionit vërtet është bërë një problem që duhet zgjidhur urgjentisht.

“Unë mendoj, se puna e komisionit nuk duhet të pengohet e vërteta, nëse ka pasë gabime gjatë procesit apo jo. Qytetarët kanë nevojë të dijnë të vërtetën. Vendimet politike pastaj merren nga liderët duke i konsideruar të gjithë faktorët, përfshirë edhe ata gjeo-strategjikë, politikë etj”, tha Luzha.

Ajo shtoi, se askush nuk ka monopol mbi të vërtetën, prandaj pas analizës së fakteve duhet të nisë dialogu serioz midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndryshe, në një vizitë që Ministri i Jashtëm i Kosovës ka realizuar në Podgoricë, Qeveria malaziase ka thënë se për Malin e Zi demarkacioni është një çështje e kryer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat