14 vjet nga vrasja e porositur e policëve Sabehate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Politika

14 vjet nga vrasja e porositur e policëve Sabehate Tolaj dhe Isuf Haklaj

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 nëntor 2017 Në ora: 15:59
Vrasja enigmatike e dy policëve Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, hyjnë në mesin e vrasjeve që konsiderohen të jenë vrasje tipike politike.

Kanë kaluar 14 vite nga vrasja e dy policëve të Kosovës, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj. Kjo vrasje ende nuk është ndriçuar tërësisht nga organet e drejtësisë.

Vrasja enigmatike e dy policëve, ashtu edhe si shumë vrasje të tjera, hyjnë në mesin e vrasjeve që konsiderohen të jenë vrasje tipike politike.

Ndonëse shumë herë  u është bërë thirrje institucioneve tëdrejtësisë për zbardhjen e kësaj vrasje dhe vrasjeve të tjera të kësaj natyre, të njëjtat u “tretën” nën dheun e zi, duke bartur kështu me vete edhe misterin e vdekjes.

Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj tashmë të ndjerë, atëkohë ishin hetues policorë. Ata, në cilësinë hetuesve po merreshin me hetimin e vrasjeve në rajonin e Dukagjinit, si vrasjen e kolonel Tahir Zemajt dhe atë të Komandantit Smajl Hajdaraj. Mirëpo, Isufi dhe Sabahatja, nuk ishin vetëm hetues policorë. Para kësaj, ata ishin edhe luftëtarë të Betejës së Koshares, dhe meqë posedonin shumë informacione thuhet se u vranë në një atentat nga një dorë e ligë.

Ashtu siç është thënë edhe më parë në media, njëri i dyshuar Bedri Krasniqi është i dënuar për këtë rast. Megjithatë, mësohet se në pjesëmarrjen e kësaj vrasje, nuk ka qenë vetëm një vrasës por një grup vrasësish të organizuar mirë.

Zyrtarët e Institucioneve të Drejtësisë të kontaktuar nga gazeta “Bota sot” , nuk kanë dashur të japin sqarime në lidhje me këtë çështje.

Analisti politik Skender Zogaj ka thënë për “ Bota sot” se Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj ishin dy veprimtarë demokratë dhe luftëtarë të përkushtuar për çlirimin e vendit.

Zogaj: Vrasja ishte e porositur

Image
Skender Zogaj

Por, sipas Zogajt, e "meta" e tyre ishte bindja institucionaliste dhe rreshtimi i tyre në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës të komanduara nga koloneli Ahmet Krasniqi, ministri i mbrojtjes dhe themeluesi i FARK-ut, që në vend të mirënjohjes mori plumba dhe u vra në Tiranë nga duar e zeza të tradhtisë.

“Ishin bashibozukët shqiptarë argat të dreqit të mallkuar që vazhdojnë vrasjet e bijëve dhe bijave më të denja të atdhetarisë së pastër siç ishin Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj që pas luftës nuk pranuan të ishin pjesë e bandave ilegale të krimit të organizuar, por veshën uniformën e policisë për ta vazhduar punën në shërbim të vendit dhe popullit. E kishin marrë punën seriozisht, prandaj kjo paraqiste rrezik për banditët kriminale, të cilat e dinin se vetëm me plumba mund t'i ndalonin nga ndjekja dhe denoncimi i kriminelëve! Se vrasja ishte e porositur shihet nga mos zbardhja e rastit, që vërteton se vrasësit i kontrollojnë organet e drejtësisë. Ky është mallkim i madh sepse e mban peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj janë dy figura më të çmuara dhe më me vlera historike të shtetndërtimit të Kosovës”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Ndryshe, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri thotë se është keqardhje që për sa vite pas luftës dhe ngjarjeve të dhimbshme për familjet dhe shumë të ndjeshme për shoqërinë dhe demokracinë, akoma nuk janë zbardhur vrasjet e të pasluftës, në veçanti të dy ish- pjesëtareve të PK-së.

Image
Ismet Haziri

“Askush nuk ka të drejtë të privojë askënd nga jeta për arsye politike e klanore.  Madje edhe sikur të ketë fakte për të bëma ne e kemi shtetin, ligjin, drejtësinë që duhet të gjykojë dhe askush tjetër. Sa i përket funksionimit të drejtësisë në Kosovë në tërësi duhej të bëhet një rikonstruktim menaxherial me kuadro të shkolluar jashtë të cilat kanë fituar një mentalitet profesional duke vlerësuar unin e vet personal, pa rënë pre e ndikimeve të oligarkisë të cilët drejtësinë po e ndikojnë me politikë dhe me para”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Haziri.

Tërnava: Të “mëdhenjtë“ janë të përzier në këtë rast

Ndërsa, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se nëse bëjmë një realizim detajesh prej kësaj vrasje ka thënë se policët kur vdesin në shërbim të popullit edhe kolegët e tyre e kanë një obligim më të fortë që ta zbulojnë vrasjen tyre.

Image
Hajrullah Tërnava

“A nuk është  e rëndë, kur prijësit e policisë, qofshin profesionistë udhëheqës të lartë si drejtorë, apo edhe të politikës si ministrat, marrin guximin të dalin para opinionit dhe të lavdërojnë Policinë e Kosovës si shumë të suksesshëm në zbulimin e veprave kriminale, kur në realitet është e kundërta. E, si mund të lavdohet policia nga ata që i përmenda, kur tani po flasim për 14 vitet e shkuara e të pazbardhura ku asnjëherë nuk u zbuluan në detaje se kush ishin dorasit. Pse pikërisht të vriteshin Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj? Kur dihet se i gjithë opinioni, tashmë të ndjerët i njihte si njerëz të mirë patriotë, dhe si pjesëmarrës edhe në luftërat e betejave më të rëndësishme si asaj të Loxhës dhe Koshares, betejë kjo me të cilën krenohet e tërë Kosova ashtu si ngadhënjimtare ndaj Serbisë”, ka thënë eksperti i sigurisë Tërnava.

 Ai edhe më tej, ka thënë se janë të “mëdhenjt” fajtorë, për çdo vrasje që u bë pas luftës.

“A s’është i dyshimtë pikërisht mos zbulimi i kësaj vepre në tërësi, se të “mëdhenjt“ janë të përzier në këtë rast. Nëse është kështu a duhet që policia të s’pastrohet nga ata që janë të lidhur me të “mëdhenjt“ dhe që punojnë për interesat e tyre. Ku janë institucionet e ndjekjes si prokurorë, e gjyqtarë, dhe deri kur kështu?! Tani pse po çuditemi me formimin e Gjykatës Speciale? Nëse ne duam ta ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, atëherë duhet të bëhen reforma rrënjësore në të gjitha institucionet e veçanërisht në Gjyqësi, Prokurori, Polici etj. Dhe në ato vende udhëheqëse të vijnë, pra njerëz të shkolluar, të pastër dhe të guximshëm që punojnë ligjshëm”, ka thënë Tërnava.

Ai ka theksuar, se me këtë mos angazhim të zbulimit detaj të këtij rasti, po ashtu po del se shteti është i kapur dhe personat e përzgjedhur që janë marr në shënjestër, dikujt i kanë penguar në kryerjen e detyrave të përditshme të tyre.

"Pa dyshim se edhe Tolaj edhe Haklaj dikujt i kanë penguar në kryerjen e detyrave të përditshme të tyre, prandaj dhe janë likuidua. Po pse pikërisht ata  të dy të likuidoheshin,  kur ishin me gjithë atë bagazh, dhe kur  kontribuuan aq shumë për vendin?”, ka thënë  mes tjerash eksperti i sigurisë Tërnava.

Analisti politik, Leon Duhanaj ka thënë se periudha e pasluftës në Kosovë, është një kapitull i turpshëm të cilin ende nuk po arrimë ta adresojmë si shoqëri.

Image
Leon Duhanaj

Gjurmët nga vrasja

Sipas tij, menjëherë pas përfundimit të luftës së përgjakshme për liri, pasuan vrasjet misterioze të shumë njerëzve, ku u vranë; politikanë, gazetarë e qytetarë të rëndomtë.

“Edhe më i tmerrshëm është fakti nëse këto vrasje u bënë nga duar të shqiptarëve, çfarë nuk e kishim pritë as menduar, pas gjithë asaj vuajtje dhe tragjedie kolektive. Në këtë tragjedi hyn edhe vrasja e Sabahate Tolaj-të dhe Isuf Haklaj-t. Edhe më e rëndë bëhet kjo tragjedi, para faktit që këto vrasje asnjëherë nuk u zbardhën. Nuk e di si mund të ndjehen hetues, prokurorë e gjyqtarë të ndryshëm më faktin që gjithë familjarët, i gjithë rrethi, i gjithë opinioni kosovar, pret vite me radhë për drejtësi, e cila nuk po gjenë zbatim. Si ka mundësi që kaq shumë krime, janë bërë dhe askush të mos ndëshkohet për to”, ka thënë Duhanaj.

Kurse, Naim Miftari ish- anëtar i SHIK-ut ka shpjeguar mënyrën se si janë vrarë Haklaj e Tolaj. Sipas tij, dihet mirë se ata janë vrarë në një pritë të organizuar dhe se përafërsisht dihen edhe autorët.

Image
Naim Miftari

“Gjatë vrasjes ku janë përdor Kallashnikov AA-47 njëri nga dorasit kur ka kaluar mbi pjesën e përparme të veturës të policëve të vrarë për të shkrep edhe një karikator me plumba ka lënë gjurmë komplet “vijat papilare” të dorës të autorit dhe njeri nga autorët është i dënuar, por nuk dihen kurrë kush kanë qenë organizatorët dhe personat tjerë e atij atentati ndaj policëve shqiptarë të cilës ju kanë vrarë dhjetëra policë nga paslufta dhe gjerë sot ku shumica kanë mbet raste pa ndriçuara”, thotë Miftari.

Sipas Miftarit, këta policë do të duhej të shpalleshin heronj të shtetit të Kosovës normal në raste të qarta kur polici i Kosovës vritet për arsye se ka mbrojte ligjin dhe popullin e Kosovës.

“A s’është i dyshimtë pikërisht mos zbulimi i kësaj vepre në tërësi, se të “mëdhenjt“ janë të përzier në këtë rast. Nëse është kështu a duhet që policia të s’pastrohet nga ata që janë të lidhur me të “mëdhenjt “ dhe që punojnë për interesat e tyre. Ku janë institucionet e ndjekjes si prokurorë, e gjyqtarë, dhe deri kur kështu?! Tani pse po çuditemi me formimin e Gjykatës Speciale? Nëse ne duam ta ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, atëherë duhet të bëhen reforma rrënjësore në të gjitha institucionet e veçanërisht në Gjyqësi, Prokurori, Polici etj. Dhe në ato vende udhëheqëse të vijnë, pra njerëz të shkolluar, të pastër dhe të guximshëm që punojnë ligjshëm”, ka thënë Miftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat