Përsëritet historia, paralajmërohet bllokadë dhe tensione në Kuvendin e Kosovës

Politika

Përsëritet historia, paralajmërohet bllokadë dhe tensione në Kuvendin e Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 25 nëntor 2017 Në ora: 10:04
Nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës

Qeverisë Haradinaj nuk i duket “shumë përshtatshme” të qëndrojë në kuvend, Ishte vetëm seanca e konstituimit të Qeverisë dhe rishikimi i buxhetit, ku në Kuvend ishin prezent pothuajse tërë kabineti qeveritar. Pastaj, ishte koha e zgjedhjeve komunale, kur kuvendi “pauzoi” dhe nuk kishte pothuajse asnjë seancë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, kishte vendosur, që të premten të mbajë seancën, e cila u shty të enjten si pasojë e bojkotimit nga pozita, e cila e lëshoi sallën.

Mirëpo, arrestimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti, ndikoi që kjo parti, të mos jetë e pranishme në seancën e cila ishte planifikuar.

Po ashtu, pozita përsëri mungoi, ndërsa e vetmja parti e cila ishte prezentë në kuvend ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u tërhoq nga kuvendi, sepse nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për ta mbajtur seancën.

Kështu, Seanca u shty për të mërkurën e ardhshme.

Dështimi i dy seancave radhazi, si duket paralajmëron një bllokadë tjetër parlamentare e ngjashme me atë që ka ndodhur në kohën e qeverisjes Mustafa.

Kajtazi: Mos-mbajtja e seancave, mëkat i madh për Kosovën

Image
Lirije Kajtazi

Deputetja e LDK-se Lirije Kajtazi ka thënë për  “Bota sot” se askush në emër të çfarëdo kauze, nuk ka të drejtë të pengojë punën e Kuvendit tw Republikës së Kosovës sepse i bën shërbim armiqve.

“Për rrethana normale, për shtete të konsoliduara, mos mbajtja e dy seancave të kuvendit, nuk paraqet ndonjë "mëkat" të madh. Pra ne si Kosovë, si vend i rrethuar në pjesën më të madhe me një shtet me qëllime armiqësor, si shtet me probleme serioze ekonomike, mos mbajtja në mënyrë të rregullt të seancave është mëkat i madh ndaj këtij vendi, ndaj atyre që dhanë jetën, ndaj atyre që na ndihmuan, që Kosova ta fitoj lirinë. Në këto ditë nëntori, po përkujtojmë vrasjen e atdhetarëve  Xhemajl Mustafa, Sabahate Tolaj, Jusuf Haklaj, deputetit Smajl Hajdaraj, kryetarit të komunës Ismet Racit, e Ukë Bytyqit, Xhavit Ahmetit. Kur LDK-së dhe presidentit Rugova po i vriteshin krerët, ai bëri thirrje që situata të tejkalohej me gjakftohti dhe mençuri, sepse ishte i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej Kosovës”, tha deputetja Kajtazi.

Deputetja Kajtazi, më tej ka kujtuar Presidenti Rugova, i cili sipas saj, ishte i vetëdijshëm për situatën, gjë që i bëri të gjithë së bashku të tejkalonin vetveten.

“Bile edhe në momentin kur pati tentim atentati ndaj tij, ai bëri thirrje për qetësi dhe veprim të ligjit. Prandaj askush në emër të çfarëdo kauze, nuk ka të drejtë të pengoj punën e Kuvendit te Republikës se Kosovës, sepse i bën shërbim armiqve. Kjo qasje mund ta fus vendin në krizë institucionale edhe për faktin se formula e konstruksionit të pushtetit, të tanishëm është e pa qëndrueshme, jo serioze mjafton të shikohet loja me zëvendës ministra, kjo është jashtë çdo normaliteti të funksionimit të një qeverie të një vendi të vogël siç jemi ne. Kjo qasje ndaj shtetit, nuk ju përket strukturave serioze politike, atyre që e duan këtë vend, kjo qasje përkon me politikan dhe struktura politike avanturiere, të cilat rrejshëm rritën e turpshëm bien”-u shpreh deputetja e LDK-së Lirije Kajtazi për “Bota sot”.

Kusari-Lila: Pozita lëshoi sallën për shkak të ardhjes së Trendafilovës

Image
Mimoza Kusari-Lila

Deputetja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga partia Alternativa, ka thënë për “Bota sot” se mos mbajtja e dy seancave radhazi, tregon mos funksionimin e kësaj qeveri të pakicës.

“Sikur kjo qeveri të kishte numrat dhe të ishte më në koordinim, do  të duhet të ishte shumë më efektive dhe të tregonte këtë përbërje politike. Dje ishte tërësisht e pa arsyeshme  tërheqja e anëtarëve të Partisë Demokratike e përcjellë nga qeveria. Në fakt në prezantimin e deputetit Memli Krasniqi u tha se grupi Parlamentar i PDK-së do të tërhiqej, ndërsa ju bashkëngjit edhe grupi parlamentar i AAK-së dhe Nismës me përjashtim të deputetit Milaim Zeka,  tregojnë që në fakt ata e miratuan një sjellje, e cila jo domsodoshmërit, mundet me përkthy çfarëdo mesazhi. Mesazhi më i madh është bllokimi i institucionit më të lartë legjislativ të vendit, për arsye se ata konsiderojnë, se deklarata e ish gjyqtarit të EUELX-it është ofenduese dhe fyese, por në të njëjtën formë ata duhen ta mposhtin hijen e keqe që po ja vënë Kosovës. Këtë, ata duhet ta bëjnë me punë e  jo me bojkot. Mirëpo arsyeja e vërtetë, ka qenë ardhja e Kryetares së Gjykatës Speciale Akaterina Trendafilova dhe bojkoti ka qenë në njëfarë mënyre për të, duke shprehur mos pëlqimin, e gjykatës speciale edhe pse PDK-ja vetë e ka votuar vazhdimin e mandatit të EULEXIT dhe ka votuar për themelimin e Gjykatës Speciale”, u shpreh deputetja Kusari Lila.

Mimoza Kusari Lila, gjithashtu tha se ky bojkot, tregon një mungesë të pjekurisë politike, dhe shtetërore të pozitës në këtë rast, sepse ata insistuan në themelimin e institucioneve ekzekutive, dhe tani po tregojnë që nuk kane kapacitet dhe as përgjegjësi politike shtetërore për t'i udhëhequr këto institucione.

“Po shpresojmë që kuvendi t`i rikthehet normalitetit edhe pse arrestimi i tre deputetëve të Vetëvendosjes, në zyrë të kuvendit, veç ka hapur rrugën për paqartësi në Kuvend,nuk jam  e sigurt se si do të vazhdojë puna në kuvend. Unë publikisht e dënova vendimin e policisë për arrestim në dyer të kuvendit , ato skena te këqija mundë të evitoheshin nëse deputetët do të naleshin në vende tjera, e jo në kuvend ku kishte më shumë ishte spektakël sesa qe u vë drejtesi”, përfundoi ajo.

Zogaj: Ka nisur loja si në kohën e qeverisë Mustafa 

Image
Skender Zogaj

Ndërkaq, duke komentuar ngjarjen e sotme, analisti politik Skender Zogaj ka thënë për “Bota sot”, se ka nisur e loja si në kohën e Qeverisë Mustafa, sepse sipas tij, nuk ka asnjë arsye tjetër që të thirren, e të mos mbahen seancat e planifikuara.

“Gjëja më e keqe që mund t'i ndodh një parlamenti është kur i dështojnë seancat e planifikuara, pavarësisht nga arsyet që e diktojnë mos mbajtjen e tyre. Pra, mos mbajtja e çdo seance parlamentare është dështim edhe për Kuvendin e Kosovës, që me gjasë tashmë i ka hu përligjjes së bojkotimit të vetvetes, sepse në këtë mënyrë veprimi, në të kaluarën i ka arritur disa përfitime shumë të fuqishme për një strukturë individësh të organizuar brenda Kuvendit, të cilët për interesa përfitimesh parciale e kanë keqpërdorur institucionin më të lartë dhe të shenjtë të Kosovës. Me lojëra në Kuvend është keqpërdorur vënia e themeleve të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, me keqpërdorim të Kuvendit kushtëzuar dhe kanë devijuar disa nga konceptet themelore të ndërtimit demokratik të shtetit dhe të zhvillimit të pavarësisë së Kosovës, me keqpërdorim të Kuvendit janë bërë strukturimet qeverisëse dhe janë ngulfatur institucionet shtetërore, me keqpërdorimin e Kuvendit janë rrëzuar dhe ndërtuar qeveritë dhe tash prapë, Kuvendi ka nisur të vazhdojë praktikën e keqpërdorimit të Kuvendit për të mbajtur peng qeverisjen e re të vendit, e cila po jep shenja të forta për ecje përpara. Kam bindjen e thellë se, Kuvendi po e ka nisur vazhdimin e lojën si në kohën e Qeverisë Mustafa, sepse asnjë arsye tjetër nuk është që të thirren e të mos mbahen seancat e planifikuara”, ka theksuar ai.

Për analistin Zogaj, është turp e shkuar turpit kur shikon të zgjedhurit e popullit të dalin “si pula të lagura nga salla e Kuvendit”.

“E ku dreqin duan të shkojnë, nëse në Kuvend nuk mund të insistojnë për trajtimin e problemeve dhe të marrjes së vendimeve për të cilat janë aty?! Ku dreqin duan të shkojnë parlamentarët për të gjetur zgjidhjen e problemeve që po e vrasin shtetin dhe miletin e Kosovës. Opozitës për bojkotime e shantazhe i ka hije, por kur kështu vepron pozita atëherë, këputet shpresa dhe nuk ka shpjegim, pos se ujku po e han gomarin, ndërsa gomari po lutet të jetë në ëndërr!është shprehur Zogaj per  “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat