Abazi shpjegon pse fati i Bosnje Hercegovinës varet nga zgjedhja e konfliktit Kosovë-Serbi

Politika

Abazi shpjegon pse fati i Bosnje Hercegovinës varet nga zgjedhja e konfliktit Kosovë-Serbi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 nëntor 2017 Në ora: 11:15
Haki Abazi

Kryeministri Ramush Haradinaj me delegacionin nga Kosova realizoi vizitën e parë si kryeministër në Bruksel, ku u takua me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si dhe komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Në këtë takim, ai kërkoi nga Mogherini që tash e tutje në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi të ketë edhe një përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po, unë kam kërkuar që SBBA të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Haradinaj.

Por, sa është e nevojshme përfshirja e SHBA-së në këtë dialog.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se përfshirja e SHBA-së në këtë dialog është e dosmosdoshme dhe për këtë ai jep disa arsye.

“Marrëdhëniet në Ballkan janë shumë të ndërlikuara dhe të paqarta. Gjeopolitika dhe interesat e faktorëve të mëdhenj janë të kryqëzuara në Ballkan dhe vazhdojnë të mbajnë edhe frikën edhe kujtesën nga e kaluara e freskët. Involvimi i SHBA-ve në dialog është i domosdoshëm, për shkakun që nuk ka një qëndrim unik dhe të njësuar të shteteve anëtare të BE-së për atë se si duhet të duket e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe meqë EU nuk është në palën neutrale në bisedime, duke qenë se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. SHBA është neutrale dhe ka edhe fuqinë ushtarake, por edhe ka investuar shumë që situata në Ballkan të shkojë drejt paqes së qëndrueshme”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, zëra politikë dhe intelektualë nga Serbia për ndarjen e Kosovës, janë një tentim që të bëhet shpartallimi i Bosnjë Hercegovinës dhe të krijohet Serbia e madhe dhe vetëm SHBA mund ta ndalojë këtë, pasi pa të nuk ka paqe në Ballkan.

“Unë mendoj që fati i Bosnje Hercegovinës varet nga rrjedha e bisedimeve dhe zgjedhja e konfliktit Kosovë-Serbi dhe në anën tjetër, zëra politike dhe intelektualë në Serbi për ndarjen e Kosovës janë pikërisht tentim që të krijohet precedant për shpartallimin e Bonjës dhe Hercegovinës dhe realizimin e Serbisë së madhe që ka qenë dhe projekti i Millosheviçit dhe luftërave të përgjakshme e me gjenocid gjatë 90-ave. Janë vetëm SHBA që kanë mundësinë që të ndalojnë një gjë të tillë. Pa SHBA-në nuk ka paqe të qëndrueshme në Ballkan”, ka deklaruar Haki Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat