Kundërshtohen thirrjet që diaspora të mos votojë në zgjedhje

Politika

Kundërshtohen thirrjet që diaspora të mos votojë në zgjedhje

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 nëntor 2017 Në ora: 14:17
Foto ilustruese

Diaspora dhe bashkatdhetarët tanë të cilët gjenden kudo përtej kufijve, madje edhe ata përtej Atlantikut, më së paku meritojnë  fyerjet dhe ofendimet sa i përket të drejtës së tyre për të votuar rreth zgjedhjeve në Kosovë.

E drejta e diasporës për të votuar në Kosovë është e drejtë e tyre legjitime, ligjore morale dhe njerëzore. Andaj kushdo që vë gishtin kah diaspora, nuk bën asgjë tjetër, përveç se tregon ligësinë e tij ‘bukëpërmbysë’.

Njohësit e  çështjeve politike dhe njohës të integrimeve Evropiane në vend, vlerësojnë se gjatë gjithë historisë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë, diaspora ka qenë dhe mbetet faktori më garantues për ekzistencë.

Kontributi i diasporës

Po sipas tyre, diaspora mjerisht më shumë është shfrytëzuar si "Bankomat" për tërheqje parash sesa si një aset intelektual dhe faktor vendimmarrës brenda shoqërisë.

Njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj, duke folur për fyerjet që po adresohen në drejtim të diasporës sa i përket të drejtës së tyre për të votuar ka thënë për “ Bota sot” se kontributi i diasporës nuk përfshin vetëm ndihmën materiale, por mbi të gjitha është kontribut që shënon historinë kombëtare.

Image
Sami Blakaj

Ai konsideron, se bashkatdhetarët tanë edhe pse janë larg atdheut, larg familjeve dhe të afërmeve të tyre, ata asnjëherë nuk harruan të kontribuojnë për shtetin e tyre.

 “Vetëm sa për të freskuar kujtesën e atyre që sot me apo pa dashje ofendojnë dhe anashkalojnë diasporën tonë, më duhet të përmend një realitet të pandryshueshëm kohor. Diaspora jonë ishte dhe mbetët arkitekt i ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Nuk duhet harruar se është pikërisht kjo diasporë që dikur luante rolin e Ambasadorëve të Kosovës në lobimin për pavarësimin e vendit, duke e plotësuar kështu edhe boshllëkun e diplomacisë shtetërore. Ishte pra pikërisht kjo diasporë, që mbështeti luftën çlirimtare të Kosovës dhe atë jo vetëm me mjete financiare dhe ushtarake, por edhe me pjesëmarrje fizike, duke mos e kursyer as jetën e tyre. Me fjalë tjera, ishte kjo diasporë ajo që dikur kishte rolin e ushtarit të luftës ndërsa sot luan rolin e ushtarit të paqes dhe të shtet ndërtimit.”, ka thënë Blakaj duke shtuar se është e padrejtë një fyerje e tillë ndaj diasporës.

Sipas tij, edhe pse bashkatdhetarët tanë asnjëherë nuk pushuan së kontribuari për krijimin dhe ndërtimin e shtetit të tyre, megjithatë është pikërisht shteti i Kosovës ai që asnjëherë nuk u dha atë që ata merituan.

“Kaluan më shumë se 17 vjet që nga përfundimi i luftës dhe më shumë se 9 vjet nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe diaspora jonë vazhdon të mbetët jashtë çdo përfaqësimi institucional. Është vërtetë për të ardhur keq, se si deri më sot diasporës sonë, gjegjësisht bashkatdhetarët tanë nuk u është dhënë mundësia që të përfaqësohen brenda institucioneve për të cilat ata luftuan dhe kontribuuan, brenda parlamentit të Kosovës, brenda ministrisë së diasporës apo edhe brenda ndonjë dikasteri tjetër institucional që në objektiv e ka mërgatën”, ka thënë Blakaj.

 Tendenca për t`ua mohuar votimin e papranueshme

Ai, me keqardhje thotë se krejt çfarë kemi parë deri më sot është se diaspora më shumë është shfrytëzuar si "Bankomat" për tërheqje parash sesa si një aset intelektual dhe faktor vendimmarrës brenda shoqërisë.

“Dhe sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo.  E tashmë së fundi janë ngritur edhe zëra në Kosovë të cilët jo vetëm që kundërshtojnë mundësinë e bashkatdhetarëve për t’u zgjedhur në institucione vendimmarrëse, por proklamojnë idenë që atyre t'u pamundësohet edhe mundësia për të zgjedhur. Me fjalë të tjera, po tentohet që bashkatdhetarëve t'ua mohojnë edhe të drejtën për të votuar, e drejtë kjo e garantuar me ligj dhe konventa ndërkombëtare. Tendenca për t'ua mohuar këtë të drejt universale bashkatdhetarëve tanë, jo vetëm që është e pamoralshme dhe e papranueshme, por është thjesht fyese dhe diskriminuese për gjithë diasporën shqiptare, e cila për mua ishte dhe vazhdon të mbetët shtyllë dhe vlerë kombëtare. Si e tillë diaspora jonë, duhet ta gëzoj gjithherë të drejtën e saj ligjore, morale dhe njerëzore për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj.

Ndryshe analisti politik Leon Duhanaj ka pohuar se përgjatë gjithë historisë, për shqiptarët, diaspora ka qenë faktor garantues për ekzistencë.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, të dëgjohen zëra fyese ndaj kësaj diaspore, vetëm për faktin që dikush mundohet ta fajësojë atë për paaftësinë e vetë është më shumë se buke përmbysje!

“Diaspora jonë,  i takon dhe duhet ta ketë vendin e merituar në Kosovë, duke u bë pjesë e pandashme edhe e vendimmarrjes e lëre më të ketë të drejtën e pjesëmarrjes në votime. Diasporës, duhet t'i mundësohet votimi i  drejtpërdrejtë nëpër vendet ku ka përqendrim më të madh të bashkatdhetarëve tanë. Të organizohen zgjedhje nëpër hapësirat e përfaqësive diplomatike. Sepse natyrisht që diaspora, mund ta pengoj rrjedhën e ndonjë organizimit korruptiv, pasi bashkatdhetarët në diasporë, nuk blihen me para, dhe madje as nuk munden ti blejnë. Këndej, do e apeloja për respekt e maturi në raport me diasporën, në  mos asgjë tjetër, një ditë mund t'i ‘vret’  buka e tyre”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Abdullahu: Pa diasporën nuk do të kishim shkolla

Publicisti Faton Abdullahu ka thënë të konstatosh se votimi i diasporës nuk është i drejtë në zgjedhjet lokale sepse mërgimtarët nuk jetojnë në Kosovë, është një gabim shumë i madh dhe i pafalshëm.

Sipas tij, ai që konstaton kështu për bashkatdhetarët tanë,  ose kurrë nuk e kanë provuar çka është kurbeti, ose kurbeti i duket sefa e përzgjedhur nga dëshira për të mos jetuar në 'Kosovën e keqe'.

Image
Faton Abdullahu

“Si të mos ketë të drejtë të votoj mërgimtari, ai që i ka dhënë Kosovës frymë atëherë kur ajo ngulfatej për vdekje, të mos ketë të drejtë të votoj diaspora e jonë ajo që ja dha pushkën Kosovës kur nuk e kishte, ja dha zërin kumbues të dëgjohet nëpër botë, kur ajo pëshpëriste, ja dha  krenarin kur ajo po përdhosej gjithandej në çdo katund e qytet. Të drejtën për të votuar diaspora jonë e fiton me punë dhe ndihma Kosovës. Edhe sot pa diasporën sofra e çdo familje në Kosovë do të ishte më e varfër. Pa diasporën do të kishim më pak shkolla, më pak shtëpi, më pak spitale, çerdhe, as varret nuk do t'i kishim të rregulluara sa i kemi, thjeshtë pa te, do të kishim më pak jetë të dinjitetshme. Ajo jep aq shumë për atdheun e vet dhe flet aq pak për këtë. A ka kuptim të ja mohojmë të drejtën të flas me votën e saj. Ajo është e bindur deri në vdekje se e ka borxh, obligim moral, detyrë patriotike, edukatë familjare, ta ndihmoj familjen dhe atdheun. Ai që nuk e kupton se mërgimtari gjithmonë ka një vrasje ndërgjegje pse nuk është në Kosovë ai nuk e njeh diasporën e Kosovës. Mërgimtari e ndihmon Kosovën, sepse dëshiron që ta kompensoje këtë mungesë”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka thënë se Kosova si shtet  i ka hy shumë në hak diasporës në këtë drejtim dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë pa e kuptuar se po ja bëjmë të keqen vetit.

“Diaspora e Kosovës është prezentë në Kosovë në forma të ndryshme dhe vazhdimisht. Ajo është e informuar pandalshëm për atë që ndodhë në Kosovë. E drejta e saj për të votuar nuk është vetëm një e drejtë morale, por pragmatike dhe e rëndësishme e cila duhet edhe ta bëj ndryshimin, pse jo. Vota e diasporës është votë e mençur dhe largpamëse. Diaspora shpesh është pjesa më e përparuar e Kosovës. Jemi ne si shtet dhe si shoqëri që duhet të bëjmë shumë më shumë që zëri i diasporës tonë të dëgjohet më shumë. Jemi ne që kemi ngecur shumë për ta ndihmuar këtë diasporë të organizohet më mirë, të konsolidohet më shumë, të vije më shpesh në Kosovë, dhe kur vije puna edhe të dal në numër më të madh për të votuar. Për këto ngecje në rend të parë është faji i shtetit tonë. Shtetet tjera me diasporë më të vogël se ne, në përpjesëtim me numrin  e popullsisë, në këtë drejtim bëjnë shumë më shumë. Jemi ne ata që në forma të ndryshme duhet ta bëjmë të mundshme që diaspora jonë ta ketë fjalën e vet, votën e vet dhe të drejtën edhe për vendimmarrje në sfera të ndryshme të jetës tone”, ka thënë publicisti Faton Abdullahu.

Qeveritë zhgënjyen diasporën

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se qeveritë e pas shpalljes së pavarësisë, shumë herë kanë ditur t’i zhgënjejnë diasporën duke bërë politika ditore e ad hoc me cilat i kanë dhanë kahe të mbrapsht zhvillimit të vendit, të cilat politika “vizionare” e “strategjike” kanë prodhuar një gjendje kaosi ekonomik, politik e social.

Ai ka thënë se edhe atëherë kur diaspora ka dashur të investojë në shtetin e Kosovës, bashkatdhetarët tanë, kanë hasur në barriera të shumta, në njërën anë nga klanet mafioze politike të cilat kanë kërkuar haraç, kurse në anën tjetër nga procedurat burokratike të cilat janë vendosur me qëllime të caktuara ekonomike.

"Gjykoj se klasa politike i druhet një fryme me mentalitet perëndimor, pasi që mund të prodhojë një frymë më demokratike në Kuvendin e Republikës e cila mund të përkthehet në çrrënjosjen e krimit dhe korrupsionit, rrjedhimisht vetëdijesimin  qytetarë për ndryshime radikale në kuptimin demokratik. Për t’i dhënë shtytje kësaj të drejte legjitime për vendet e rezervuara për diasporën në Kuvendin e Republikës, domosdo duhet të futën në funksion të gjithë mekanizmat e shoqërisë civile e jo iniciativa të tilla frytdhënëse të mbetet në frazat e politikanëve, të cilët shpesh dinë të bëjnë lojëra të tilla manipulative, kuptohet  për përfitime politike dhe ekonomike. Është shumë legjitime të ketë drejtë vote diaspora, por gjykoj se diaspora duhet të ketë  vende të rezervuara në Kuvendin e Republikës , por jo të shfrytëzohet potenciali i tyre financiar e intelektual për qëllime të subjekteve politike”, është shprehur analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, diaspora ka potencialin intelektual e financiar, nuk duhet përjashtuar ndihmën e vazhdueshme që diaspora bën për shtetin e Kosovës në forma të ndryshme.

“Mos të harrojmë se kontributi i diasporës në forma të ndryshme dhe të vazhdueshme duhet të përkthehet me një të drejtë legjitime për ta, duke  pasur vendet e rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht duke kontribuar edhe në jetën politike e veçanërisht në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre. Kjo iniciativë duhet të konvertohet në plotësimin e një të drejte të mohuar deri me tani, por në të njëjtën kohe të jetë serioze dhe e sinqertë nga liderët e subjekteve politike. Diaspora edhe ashtu, edhe në kohe lufte e krizash ka qenë promotorë i  ndryshimeve të mëdha  radikale  që nga vitet e 80 –ta, 90-ta  e deri në çlirimin dhe pavarësimin Kosovës nga kthetrat e një regjimi shovinist serb,por edhe tash kontributi i diasporës është i jashtëzakonshëm, duke filluar nga kontributi financiar, intelektual, por edhe në diplomacinë e jashtme,  duke promovuar vlerat e shtetit të Kosovës në gjitha aspekte”, ka thënë Ahmeti.

Diaspora do të jetë një mekanizëm shumë i fortë brenda Kuvendit

Ai më tej ka shtuar se diversiteti i mendimeve në Kuvendin e Republikës domosdo përkthehet në dobi të qytetarëve të Kosovës e njëkohësisht në  avancimin e të drejtave të diasporës, që deri më tani kanë qenë të mohuara nga të gjitha qeveritë e pas shpalljes së avarisë së Republikës së Kosovës.

“Diaspora do të jetë një mekanizëm shumë i fortë brenda Kuvendit, pasi që përvojat e tyre në funksionimin e shteteve prej nga vijnë janë të sinqerta, serioze dhe shtet ndërtuese. Prandaj, gërshetimi dhe diversiteti i mendimeve, ideve i kontribuon demokracisë se brishtë të Kosovës, e cila edhe ashtu dita e ditës po humb kuptimin, pikërisht nga klasa politike udhëheqëse e shantazhuar, kriminalizuar dhe e korruptuar. Gjykoj se kontributi i tyre do të jetë i pashoq, në njërën anë duke promovuar dhe mbrojtur drejtat e tyre, kurse në anën tjetër duke sjell ide  të reja të cilat do t’i kontribuojnë ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Kundër  fyerjeve në drejtim të diasporës ka reaguar edhe politologu Faik Krasniqi ku sipas tij, të bëhen fyerje ndaj shqiptarëve të Diasporës, e sidomos nga një gazetar, është më shumë se naivitet dhe idiotizëm.

Image
Faik Krasniqi

Ai ka thënë se shqiptarët e Diasporës kanë të drejtë të votojnë, përderisa janë të regjistruar meqë Kosova është edhe e tyre.

“Kontributi i Diasporës është shumë i madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe me dërgesat e tyre mbajnë qetësinë sociale tek ne. Në forma të ndryshme deri në 3 miliard në vit futen në Kosovë nga shqiptarët e Diasporës, përmes dërgesave dhe gjatë pushimeve të verës. Ta provojmë vetëm një vit se çfarë po ndodh pa këto miliardat në vit të Diasporës. Jam i bindur që do të kishin shpërthyer trazira sociale. Sidoqoftë, gazetari Valon Syla është mjerimi i gazetarisë dhe nuk duhet të merret aq seriozisht. Syla ka qenë gjithmonë i tillë dhe ai nuk është asgjë tjetër përveç se, një komik i pa kripë, ku edhe nuk ia vlen që të merremi më të. Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për Diasporën, por vetëm e  kanë shfrytëzuar në maksimum për interesat e tyre personale, prandaj edhe me të drejtë kemi shumë pak investime kapitale në Kosovë nga shqiptarët e Diasporës”, është shprehur politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat