“Vetëvendosje shfrytëzoi zhgënjimin e madh që diaspora pësoi me qeverisjen në Kosovë”

Politika

“Vetëvendosje shfrytëzoi zhgënjimin e madh që diaspora pësoi me qeverisjen në Kosovë”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 nëntor 2017 Në ora: 22:01
Tubimi i Vetevendosjes ne fushate

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë dhe Prizren, sot edhe një herë doli fituese. Pas numërimit të votave me kusht, votave me postë dhe atyre personave me nevoja të veçanta, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, ka fituar edhe një mandat tjetër në kryeqytet, duke marrë 861 vota, kurse kandidati nga LDK-ja ka fituar vetëm 733 vota.

Edhe në Prizren, është konfirmuar fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidati Mytaher Haskuka, ka arritur të marrë më shumë vota se kundërkandidati nga PDK-ja, Shaqir Totaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë dhe Partia Demokratike e Kosovës në Prizren, nuk i pranojnë këto rezultate, sipas tyre, duhet të bëhet rinumërimi i votave.

Gjersa, këto parti janë duke kundërshtuar këtë rezultat, Lëvizja Vetëvendosje është duke festuar në sheshin e Prishtinës.

Ata e konsiderojnë të vonuar festën në Prishtinë, pasi që zgjedhjet kanë përfunduar më 19 nëntor. E për këtë, sipas tyre, shkaktarë janë tendencat e klaneve politike.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Shpend Ahmeti, ka marrë 89 vota me postë, ndërsa Arban Abrashi, ka marrë 6 vota.

Kurse, në Prizren, Vetëvendosja i ka fituar të gjitha votat me postë. Nga 45 vota sa kanë qenë të dërguara me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 44 vota, kurse Shaqir Totaj i PDK-së, asnjë dhe një fletëvotim ka munguar.

Duke komentuar këto rezultate, analistët politikë janë shprehur se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur ta shfrytëzojë zhgënjimin e diasporës për qeverisjen në Kosovë.

Analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë për “Bota sot” se diaspora do të zhgënjehet kur do ta kuptojë lojën e Vetëvendosjes.

Sipas Duhnajat, rezultati i votave me postë nuk është i befasishëm, mirëpo votat në vend duhet të hetohen dhe të rinumërohen votat.

Image
Leon Duhanaj

“E vetmja parti politike që ka aktivitet, degë dhe që madje vazhdon të pranojë edhe financa nga diaspora shqiptare, është LVV. Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur ta shfrytëzojë zhgënjimin e madh që diaspora pësoi me qeverisjen në Kosovë. Diaspora, do të zhgënjehet edhe më shumë, kur ta kuptojë mirë lojën manipuluese të kësaj partie. Megjithatë, deri atëherë, do të vazhdojë të investojë në këtë subjekt. Në këtë kontekst, duhet t'i shohim edhe rezultatet e votave me postë, që për mua nuk janë aspak të befasishme. Ata që kanë pritur të ndryshojnë rezultatin përmes këtyre votave, ose nuk kanë fare burime informacioni, ose janë ngulfatur në naivitet. Megjithatë, është krejtësisht temë tjetër, nëse në votimet në vend, ka pasur manipulim votash? Nëse kjo është faktuar, atëherë duhet hetuar dhe rinumëruar çdo votë. Askush s’ka për çfarë t'i frikësohet votave që gjenden në kuti. Nëse votat e pretenduara janë aty, atëherë, ato janë edhe vullneti i qytetarëve, para të cilit, politika duhet të përkulet, pa marrë parasysh se cili krah”, ka pohuar Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat