Dosjet që zbulojnë vrasjet politike në Kosovë

Politika

Dosjet që zbulojnë vrasjet politike në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 dhjetor 2017 Në ora: 10:58
Disa nga viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Mos zbardhja e vrasjeve politike të pasluftës, po vazhdon të nxis reagime nga persona të ndryshëm duke përfshirë këtu edhe krerë të institucioneve të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj, është i fundit nga krerët e shtetit, që iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë, për zbardhjen e vrasjeve politike. Menjëherë pas thirrjes së Haradinajt, ka reaguar aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, i cili ka thënë se për vrasjet politike, dinë më së miri Kryeministri dhe Presidenti Thaçi.

Viti 2001 do të ishte gati fatal për aktivistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Fetah Rudi. Një tentim-atentat nga njerëz ende të panjohur do të bëhej ndaj tij dhe do ta linte përjetësisht në karrocë.

Si një nga personat që ka pësuar nga sulmet me motive politike, z. Fetah Rudi, është ndier i prekur nga një ftesë e Kryeministrit Ramush Haradinaj, për zbardhjen e vrasjeve politike. Për këtë arsye, ai ka shkruar një status në Facebook duke ftuar Kryeministrin, Presidentin, Kryeparlamentarin që të flasin për këto vrasje.

“Presidenti më herët e kryeministri dje, kërkojnë që të zbulohen vrasjet politike. Shumë lehtë është të zbulohen vrasjet dhe atentatet gjatë e pas luftë. Vetëm bëhuni burra ti Kryeministër, Presidenti, Kryeparlamentari dhe komandantët që i keni në Qeveri dhe në Parlament e i tregoni të gjitha, se ju i dini. Më këtë e lironi veten, familjet e te vrarëve pushojnë më lehtë dhe Kosova merr rrugën e mbare të zhvillimit si shtet”, ka shkruar Rudi.

Zogaj flet për heshtjen e krerëve të shtetit

Kjo deklaratë e z. Rudi, siç duket ka zgjuar opinione dhe kërshëri tek njohësit e çështjeve politike dhe tek qytetarët e Kosovës pasi dihet se ishte vet z. Rudi ai i cili ra pre e bandës kriminale duke mbetur kështu i palëvizshëm, nga atentati që i ishte bërë, menjëherë pas luftës.

Image
Skender Zogaj

Analist politik Skender Zogaj duke folur rreth deklaratës së z. Fetah Rudi ish aktivistit të LDK-së, ka thënë se mos zbardhja me dekada e vrasjeve politike ka për qëllim zvarritjen sa më të gjatë të çështjes më të rëndësishme për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit.

“As pas 18 vitesh në liri, një dekadë e shpallur si i pavarur Kosova nuk është  gati. Dhe le të dihet mirë, se e këtillë Kosova ka për të mbetur deri në 105 vjetorin e pavarësisë,  nëse veç nuk tregon se kush ia ka vra bijtë dhe bijat më të devotshme dhe kush e ka lënë përjetësisht në karrocën e invalidit Fetah Rudin, njërin nga demokratët më të pastër të Llapushës dhe të gjithë Kosovës. Fetah Rudi me të drejtë ka kërkuar "burrëri" nga udhëheqësit më të lartë të vendit, sepse nëse ata do të dëshironin sinqerisht të angazhohen, vrasjet politike zgjidhen për 100 ditë”, ka thënë Zogaj.

Ai ka theksuar, se udhëheqësit tanë të lartë nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, sepse, nuk u leverdisën që t'u dalin zot të vdekurve e të armiqësohen me kriminelët e gjallët, të cilët e kanë ndërruar qimen, por vesin nuk e kanë harruar!.

“Është për t'u përgëzuar kërkesa e Kryeministrit Haradinaj, drejtuar Prokurorisë për zbardhjen e vrasjeve politike. Unë dua të shpresoj se, krahas kërkesës Kryeministri do të insistojë që të kërkojë në vazhdimësi nga Prokuroria raporte konkrete dhe përgjegjësi që Prokuroria ta kryej punën”, ka thënë Zogaj.

Image
Haki Abazi

Abazi: Kërkesa ishte e drejtë

Njohësi i çështjeve, politike Haki Abazi ka thënë se kërkesa e z Rudi është e drejtë dhe çështja e vrasjeve dhe tentimit të vrasjeve të aktivistëve dhe patriotëve është shumë i vonuar si proces.

“Ajo që duhet thënë është që procesi i gjykimit të Nazim Bllacës ka hequr të gjitha dyshimet. Këto vrasje kanë qenë të organizuara dhe kanë pasur për qëllim eliminimin dhe dobësimin e kundërshtarëve politike për të arritur në kapjen e pushtetit”, është shprehur  Abazi.

Analisti politik Ali Hertica konsideron se zbardhja e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës ka filluar të bëhet temë diskutimi edhe në nivel të institucioneve të Kosovës, madje pritjet për fillimin e zbardhjes së këtyre vrasjeve janë të pakta.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, ka një disponim fare pak optimist, që këto vrasje të zbardhen nga Prokuroria vendore.

“Kërkesës së Kryeministrit Haradinaj që Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës dhe Agjencioni i Kosovës dhe i Inteligjencës, që në kuadër të mandatit të tyre, të angazhojnë të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike, gjatë dhe pas luftës në mënyrë që të bëhet zbardhja e të gjithë vrasjeve politike është një çështje madhore ku edhe shoqëria dhe vet subjektet politike do të heqin dyshime nga e gjithë politika dhe të dyshuarit sepse vrasjet e pasluftës, kryesisht kanë qenë me motive politike në Kosovë. Dhe gjithë këtë jenë pjesë e hetimeve të Gjykatës Speciale, e cila pritet të fillojë punën gjatë vitit të ardhshëm, ku edhe pushtetarët e politikës janë të dhënë  që sa ma parë të zbulohet çdo dejat rreth këtyre vrasjeve”, ka thënë Hertica.

Llogari nga ndërkombëtarët

Ai konsideron se çdo qytetar është i përkushtuar që të vazhdojmë hetimet rreth akuzave që përfshihen gjithë ata persona që kanë përgjegjësi kriminale, për çfarë do lloji të krimit që bien nën kompetencat e prokurorisë së shtetit.

“Po ashtu duhet të kërkohet edhe nga të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare siç është misioni i EULEX-it, ku nuk i ka munguar të jetë i gatshëm për hetimet e vrasjeve politike duke bashkëpunuar edhe me Prokurorinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

 Ai ka thënë kërkesa e Kryeministrit Haradinaj është hap drejt një shteti ligjor ku Prokuroria e Shtetit, të Kosovës kërkon që këto raste të trajtohen me prioritet në mënyrë që këto vrasje të zbardhen dhe të vihet drejtësia në vend sa më shpejtë që është e mundur.

Image
Naim Miftari

Miftari: Haradinaj e Thaçi nuk e kanë për detyrë zbardhjen e vrasjeve

Kurse, ish agjenti i SHIK-ut Naim Miftari ka thënë për “ Bota sot” nuk është detyra e presidentit por as e kryeministrit që të dalin me kërkesa kinse për ti zbuluar vrasjet pasi është detyrë e shtetit dhe e Prokurorisë, Gjyqësisë, Inteligjencës dhe e Policisë së Kosovës që ti  zbulojnë dhe ti dënojnë akteret dhe urdhëruesit e vrasjeve politike.

Sipas tij, këto krekosje publike të politikanëve kryesor kinse për kërkesa të tyre kinse për ti zbuluar vrasjet janë vetëm deklarata politike dhe tentim për t`i ikur vet përgjegjësisë për  vrasjet politike.

“Është një pyetje krejt e thjeshtë se vallë kush ka mund të vritet politikisht pa dijeni dhe miratimin e Hashim Thaçit. Pastaj dihet se edhe aktivisti i LDK-së Fetah Rudi është ndër njerëzit më të dëmtuar dhe vuajtur pos atyre të vrarëve gjerë sot. Dihet që z. Rudi  pas atentatit politik ka mbetur i plagosur rëndë në karrocë duke mos mundur kështu që qëndrojë as në këmbe dhe të mbetet për tërë jetën i pa lëvizshëm. Por edhe më të rënda janë plagët  kur dihet botërisht se atdhetari Fetah Rudi ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së dhe luftëtar i lirisë. Pra ai i ka shërbyer popullit tonë , i ka shërbyer Kosovës”, ka thënë Miftari.

“Urdhërdhënës gjithsesi”

Ai ka thënë, se tentimi i vrasjes ndaj z. Rudit ka pasur karakter politik, pasi z.Rudi i ka shërbyer LDK-së dhe ka qenë bashkëpunëtorë i ngushtë i Presidentit Rugova.

“Pra z. Fetah Rudi që nga fillimi, e deri në fund ka pasur shumë të drejt, madje edhe kur thotë se duhet :” Mu ba burrë duhet me dal publikisht dikush për me i pranua këto vrasje politike dhe me tregu pse janë bërë këto vrasje, pasi këto vrasje janë bërë vetëm për të ardhur në pushtet njerëzit që më së paku e duan Kosovë”, ka cituar fjalët e z. Rudi ish agjenti i SHIK-ut Miftari duke shtuar se kjo është për të ardhur keq meqë sipas tij, të gjithë e dimë së në pushtet pas luftës kanë ardhur vetë kriminelë gjakpirës që pos vetës nuk e duan askënd dhe më së paku Kosovën”, është shprehur Miftari.

Image
Nexhat Haziri

Të flasin ndërkombëtarët

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se, apeli apo kërkesa e veprimtarit dhe aktivistit të LDK-se, z. Fetah Rudit drejtuar krerëve të institucioneve të Kosovës për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë, është adrese e saktë dhe e vetme për zbulimin e akterëve të këtyre vrasjeve, nëse këta nuk janë vrasësit e drejtpërdrejtë, por urdhërdhënësit gjithsesi.

“ Duke u bazuar në implikimin e tyre në këto vrasje këta do mundohen që këtë çështje ta mbajnë sa ma larg drejtësisë. Të kërkosh burrëri nga ta është si të kërkosh borën "jeshile”. Ndërsa sa i përket letrave dërguar kryeprokurorit, më parë të atyre 4 letrave të presidentit Thaçi e tani edhe kërkesa e kryeministrit Haradinaj për gjoja zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë më shumë se tallje me opinionin publik dhe familjet e personaliteteve të vrara, kanë qëllimin e kundërt që përmes këtyre "selameve" për kryeprokurorin, ia bëjnë me dije këtij të fundit që mos të guxoj të merret më këtë çështje. E kamë thënë edhe më parë së vetëm ndërkombëtarët që ishin në Kosovë në misione të ndryshme në Kosovë gjatë administrimit ndërkombëtar të sajë kanë mundësi për të ndihmuar në zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë, pasi për këto raste ata kanë dëshmi”, ka thënë Haziri. 

Image
Rexhep Shahu

Kurse, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se Letra e Haradinajt, është është thjeshtë letra e radhës vetëm sa për sy e faqe.

“Të gjithë po e kuptojnë se nuk shtyhet me tej tallja me popullin e Kosovës sepse mund të ndodhemi para situatash shpërthyese, por cështja po shtrohet se nuk ka subjekt politik që administron besimin popullor”, ka thënë Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat