“KFOR-i, i vetmi garantues për sigurinë në Kosovë”

Politika

“KFOR-i, i vetmi garantues për sigurinë në Kosovë”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 dhjetor 2017 Në ora: 08:20
Paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë

Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, përmes një postimi në Facebook, bëri kërkesë për mbrojtje ushtarake nga tri shtetet fqinjë, Shqipëria,  Maqedonia dhe Mali i Zi. E gjithë kjo kërkesë erdhi me arsyetimin se Kosova po rrezikohet nga pushtimi.

“Forcat e Armatosura të Kosovës, nuk janë dëshirë jona për politika ekspansioniste e shoviniste, por thjeshtë, nevojë për shkak të rrethanave që po krijon Rusia në regjion dhe po implementon Serbia para syve dhe fytyrës së BE-së dhe NATO-s. Duke parë dhe analizuar këtë situatë, propozoj që tri shtet që na rrethojnë neve: Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, së bashku në konferencat e komiteteve të sigurisë së NATO-s, BE-së dhe SHBA-së të propozojnë mbrojtjen ushtarake të Republikës së Kosovës nga çfarëdo agresori që i kanoset për një periudhë 5 vjeçare”, ka shkruar Muja.

Por për këto deklarata të ish deputetit Muja, analistët dhe ekspertët e sigurisë shprehen se nuk duhet humbur besimi te KFOR-i dhe NATO.

Kërkesa e pa bazë

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se shtetet fqinje nga të cilat Shaip Muja ka kërkuar mbrojtje, ende nuk e kanë të siguruar vendin e tyre fillimisht, duke e cilësuar kërkesën e ish deputetit si të pabazë dhe të pakuptimtë.

Image
Hajrullah Ternava

“Propozimet e ish deputetit të PDK-së, Shaip Muja,  se territorin e Kosovës ta ruajnë tri shtetet fqinje  si Shqipëria, Mai i Zi dhe Maqedonia,  disi është e pakuptimtë dhe jo e bazuar, sepse këto shtete nuk e kanë vendin e vetë të siguruar edhe pse Mali i Zi dhe Shqipëria veç se janë anëtare të NATO-së dhe Maqedonia pritet së shpejti të anëtarësohet në këtë organizatë”, u shpreh Tërnava për “Bota sot”.

Tërnava shtoi se KFOR-i dhe NATO e kanë treguar vetën sa i përket çështjes së sigurisë në Kosovë, pasi që nga viti 1999 nuk ka pasur ndonjë kërcënim apo sulm nga askush.

“Mundësia më reale për sigurinë e territorit të Kosovës është kjo që tani e 18 vite po na e garanton sigurinë, dhe që nga atëherë e deri më tani asnjëherë nuk kemi qenë të kërcënuar apo të sulmuar nga askush. Kufijt e Kosovës i garanton NATO dhe KFOR”, theksoi Tërnava.

Besim te KFOR-i

Kurse analisti, Faton Mehmeti, deklaratën e Mujës e vlerëson si fëmijërore dhe thotë se Kosova beson dhe duhet të besoj te KFORI.

Image
Faton Mehmeti

“Deklaratën e Shaip Mujës e vlerësojë fëmijërore. Nuk e kuptoj nga e di Shaipi se Kosova tani rrezikohet më shumë se herave tjera. Kosova beson dhe duhet të besojë tek KFOR-i, si i vetmi garantues për sigurinë e vendit ton”, ka thënë analisti Mehmeti për Bota Sot.

Nga ana tjetër, FSK-ja, nuk i komenton deklaratat e tilla dhe thotë se ajo është duke vepruar në bazë të misionit kushtetues që ka dhe ligjit për FSK-në.

“FSK aktualisht është duke verpruar në bazë të misionit kushtetues që ka dhe ligjit për FSK-në. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është Forcë e re, profesionale, shumetnike, lehtë e armatosur dhe e uniformuar e Sigurisë e cila i nënshtrohet kontrollit demokratik, civil. FSK është organizatë shtetrore e sigurisë, e departizuar dhe e depolitizuar. Ne nuk komentojmë deklarimet e analistëve dhe politikanëve”, është shprehur Ibrahim Shala, drejtor i departamentit për marrëdhënie me publikun në MFSK.

Pasiguri te qytetarët

Ndërsa analisti, Armend Halimi, theksoi se këto deklarata injorojnë kontributin e NATO-së në Kosovë dhe gjithashtu krijojnë pasiguri te qytetarët.

Image
Armend Halimi

“Këto deklarata që kërkojnë mbështetje klasike individuale sikurse të ishte në ‘fronte lufte’, gjuhë kjo jo vetëm që prodhon pasiguri tek qytetarët, por edhe acarim raportesh, në të njëjtën kohë duke injoruar kontrobutin shumë vjeçar të NATO-së”, u shpreh Halimi për “Bota sot”.

Ai gjithashtu theksoi se nuk ka arsye që Kosova ta humbë besimin në NATO, pasi vendi nuk shënon ndonjë rrezik si pasojë e neglizhencës së tyre.

 “Kosova s’ka as një arsye të humb besimin në NATO, s’paku jo në aspektin operativ të saj, përderisa në as një moment vendi i ynë nuk shënon një rrezik si pasojë e neglizhencës së kësaj force”, ka përfunduar Halimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat