A mund të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale?

Politika

A mund të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 dhjetor 2017 Në ora: 18:23
Ndërtesa e Gjykatës Speciale

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kishin kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe zyrën e prokurorit të specializuar. 

Kërkesa e deputetëve të PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nga avokati dhe njohësi i çështjeve juridike po konsiderohet si e vonuar dhe e përdorur për fushatë elektorale.

Rreth kësaj çështje, iniciuesi i kryesor i kërkesës së PDK-së, Nait Hasani, në një prononcim për “Bota Sot”, ka thënë se kërkesa e tyre është në shqyrtim e sipër.

Image
Nait Hasani

“Kërkesa rreth debatit parlamentarë për Gjykatën Speciale e kemi bërë kohë më parë, ne jemi duke pritur dhe në vazhdim do të shohim për procedurat e mëtutjeshme”, u shpreh deputeti i PDK-së.

 “E vonuar kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale”

Avokati dhe njohësi i çështjeve juridike, Tomë Gashi, duke folur për “Bota Sot”, kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës po e konsideron si tejet të vonuar dhe që mund të jetë përdorur për fushatë elektorale.

“Kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, pa marrë parasysh që qëllimet kanë qenë apo janë të mira, është një kërkesë tejet e vonuar dhe që mund të jetë përdorur vetëm për arsyeje elektorale, për shkak se të njëjtit deputetë kanë qenë pjesë e legjislaturës edhe në gusht të vitit 2015-të, kur edhe  kanë votuar këtë gjykatë, e cila është një gjykatë tepër e dëmshme për shqiptarët në përgjithësi, për shqiptarët e Kosovës në veçanti, e posaçërisht për ish-ushtarët e UÇK-së”, tha tutje ai.

Image
Tomë Gashi

Sipas Gashit, ekziston mundësia e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, vetëm se duhet përdorur  procedurat ligjore që ishin përdorur  me rastin e nxjerrjes së këtij ligji.

“Ekziston mundësia e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale dhe kjo mund të bëhet duke përdorur të njëjtat forma ligjore si në vitin 2015-të, që i bije se do të duheshin që edhe pakicat të pajtoheshin me këtë ndryshim”.

Avokati bënë thirrje tek deputetët e Kosovës që ta gjejnë formulën e ndryshimit për këtë ligj.

“Formulën e ndryshimit duhet ta gjejnë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe eventualisht t’i zbusin pasojat e dëmshme që do t’i ketë kjo gjykatë në të ardhmen”, theksoi Gashi për “Bota Sot”.

OVL-UÇK: Nuk jemi kundër Speciales, por kundër hetimit të njëanshëm

Ndërsa, kryetari OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e organizatës që përfaqëson, duke thënë se nuk janë kundër Speciales, por kundër hetimit të njëanshëm.

Image
Hysni Gucati

Guncati për “Bota Sot” ka deklaruar se nëse kjo kërkesë është përdorur për fushatë elektorale, atëherë këtyre deputetëve “haram” ju qoftë.

“Kërkojë nga të gjitha partitë politike që veprojnë në Kosovë, ta votojnë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen, e cila do të përbëhej edhe nga vendorët dhe jo vetëm nga ndërkombëtarët”, përfundoi Hysni Gucati.

Kujtojmë se edhe organizata joqeveritare “Familja dhe Shpresa”, kishte dërguar kërkesë publike drejtuar Qeverisë Haradinaj dhe opozitës që të bashkohen dhe ta plotësojnë Ligjin për Gjykatën Speciale. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat