Viti 2017 shënon rënie të numrit të bizneseve të regjistruara

Politika

Viti 2017 shënon rënie të numrit të bizneseve të regjistruara

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 2 dhjetor 2017 Në ora: 22:07
ilustrim

Viti që po e lëmë pas në aspektin ekonomik ka qenë më pozitiv se sa në vitet e kaluara. Kosova në raportin e Bankës Botërore "Të bërit biznes 2018", ka shënuar progres duke u renditur si e 40-ta në botë. Nga viti 2012, Kosova është ngritur për 86 vende thuhet në këtë raport.

Por këto shifra nuk kanë ndikuar që qytetarët e Kosovës, të regjistrojnë biznese të reja në vendin tonë. Shifrat tregojnë se në Kosovë kemi rënie të të numrit të bizneseve të regjistruara për dallim nga viti 2016. Sipas shifrave të cilat dalin nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve del se në vitin 2016 kemi pasur 10 mijë e 553 biznese të reja të cilat janë regjistruar në Republikën e Kosovës.

Këto shifra tregojnë se trendi i regjistrimit të bizneseve në vitin 2017 ka shkuar duke u ulur nga muaji në muaj. Këtë vit në ARBK janë regjistruar 8 mijë e 74 biznese. Pra mbi 3 mijë biznese janë më pak të regjistruara nëse e krahasojmë këto shifra me ato të vitit të kaluar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se një ndër arsyet e kësaj rënie mund të jenë edhe proceset nëpër të cilat është duke kaluar vendi.

Image
Safet Gërxhaliu

“Agjenda politike e stërngarkuar në Kosovë në një far forme ka anashkaluar proceset e rëndësishme ekonomike dhe aty ku kemi më shumë agjendë politike, prodhohet më shumë politikë se sa ekonomi”, tha Gërxhaliu për “Bota sot”.

Sipas tij këto shifra të cilat jepen edhe mund të mos jenë edhe krejtësisht reale.
 
“Në Kosovë është e vërtetë që ka analiza të cilat flasin për numër të zvogëluar të bizneseve, dhe këto analiza bëhen nga aspekti jo substancial ose tendencioz se sa real. Ky fenomen duhet të analizohet në disa dimensione dhe në këtë drejtim duhet të analizohet si qëndron situata në rajon e si në evropë”, është shprehur Gërxhaliu.

Ndërsa kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë që për shkak të politikave fiskale në Kosovë, vendi ynë është bërë një vend jo shumë i favorshëm për të bërë biznes.

Image
Agim Shahini

Sipas tij, kemi një dallim ndërmjet raportit të nxjerrur nga Banka Botërore dhe ndërmjet asaj se si qëndron realisht gjendja në teren.

“Raporti i Bankës Botërore është pozitiv por në teren nuk është kjo gjendje. Bizneset nga dita në ditë janë duke u shuar më shumë. Ky  është një shqetësim dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve vazhdimisht e ka këshilluar qeverinë që të jetë më e vëmendshme në ngritjen e politikave zhvillimore në kuptim të nxitjes së hapjes së investimeve të reja në Kosovë”, ka thënë Shahini për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat