Gjuajtja me armë në odën e Limajt, avokati i njohur flet për dënimet

Politika

Gjuajtja me armë në odën e Limajt, avokati i njohur flet për dënimet

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 dhjetor 2017 Në ora: 15:39
Avokati Tomë Gashi

Ish-kryetari i komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, zëvendëskryeministri i Kosovës Dardan Gashi, dhe këshilltari i Fatmir Limajt po hetohen nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

Lushtaku, Gashi dhe Shala, bashkë me persona të tjerë, janë xhiruar duke gjuajtur me armë në festën që Fatmir Limaj e organizoi në Banjë të Malishevës, pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po e heton rastin.

“Me të pranuar informatën në lidhje me rast, Policia e Kosovës respektivisht stacioni policor në Malishevë ka hapur rast. Në koordinim me Prokurorin e shtetit po vazhdojmë me procedura hetimore”, ka thënë zëdhënësja e Policisë Rajonale të Gjakovës Lirie Podrimaj, në një deklaratë për media.

Ndërkohë, gjuajtjen me armë zjarri e ka mohuar vet Lushtaku, i cili ka thënë se armët nuk kanë qenë reale, por armë gazi.

Lushtaku ka insistuar se të gjithë personat kanë gjuajtur me një armë ani pse në disa raste, siç shihet në videon e publikuar në media, me armë gjuajnë njëkohësisht dy persona.

Gjuajtjen me armë e ka pranuar edhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi, i cili shihet në video bashkë me këshilltarin e Fatmir Limajt, Endrit Shala, por ky i fundit nuk ka dashur të komentojë ngjarjen.

Por, a mund të dënohen Lushtaku, Gashi dhe Shala?

Duke folur në lidhje me këtë në një prononcim për gazetën “Bota sot” avokati Tomë Gashi, ka thënë se kjo mund të dihet pas përfundimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë.

Ai ka theksuar se Prokuroria në bazë të gjetjeve, do t’i dënojë ata sipas dispozitave ligjore.

“Po është e thjeshtë kjo gjë, prokuroria ka deklaruar se i ka nisur hetimet dhe në bazë të gjetjeve të prokurorisë, ata me siguri se do të dënohen sipas dispozitave ligjore”, ka deklaruar avokati Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat