“Prishtina dhe Prizreni, probleme të mëdha për PZAP-në” - Bota Sot
“Prishtina dhe Prizreni, probleme të mëdha për PZAP-në”

Politika

E premte, 15 dhjetor 2017

“Prishtina dhe Prizreni, probleme të mëdha për PZAP-në”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 dhjetor 2017 Në ora: 23:08
Ilustrim, votimi ne Kosove

Nesër do të bëhen publike vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtrasa për ankesat që janë bërë pas publikimit të rezultateve të KQZ-së.

PZAP ka pranuar shtatë ankesa tre nga LDK, tre nga PDK dhe një ankesë e kandidatit të pavarur të Shtimës.

Edhe pse, afati ligjor për shqyrtimin e këtyre ankesave ka përfunduar sot në orën 15:00, zyrtarët e PZAP-së nuk kanë dalë me vendim për këto ankesa, duke thënë për media se gjatë ditës së nesërme do të dalin vendimet.

Kjo shtyrje e publikimit të vendimeve nga  PZAP-ja, sipas analistëve mund të shkaktojë dyshime nga partitë politike.

Analisti politik, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se PZAP-ja është e obliguar që në afat kohor ligjor të informojë publikun dhe shtyrja e afatit paraqet dyshime.

Image
Blerim Burjani

“PZAP është i obliguar që në afate  kohore  ligjore të informojë opinionin për ankesat që kanë arritur  në këtë organ. Pra, është obligim i këtij organi që të informojë për arritjen e ankesave dhe zgjidhjen e tyre në afatin e përcaktuar ligjor,  çdo shtyrje e këtij afati mund të paraqet dyshime nga partitë”, ka pohuar Burjani.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesa në PZAP për komunën e Prishtinës, Istogut dhe Dragashit, kurse Partia Demokratike e Kosovës për komunën e Prizrenit, Klinës dhe Rahovecit. Ndërsa, ankesa e shtatë është nga kandidati i i pavarur për kryetar të Shtimës, Fatmir Rashiti.

Duke folur rreth komunave më “problematike” që PZAP-ja e ka të “vështirë” të marrë  vendim, Burjani shprehet se Prishtina dhe Prizreni mbeten problem.

Sipas Burjanit, në situatë siç është komuna e Prishtinës dhe Prizrenit, më mirë është të shkohet në rivotim sikurse Istogu.

Ai ka shtuar se organet zgjedhore në Kosovë paraqesin problem, për shkak se janë të politizuar dhe të anëshëm.

“Komuna e Prishtinës dhe Prizrenit mbeten problemet më të mëdha. Mos njohja e rezultateve zgjedhore po bëhet e zakonshme veçmas kur ka dyshime se ka pasur parregullësi, gjithmonë kur rezultati është i ngushtë, në sistemin proporcional që ka Kosova paraqet një problem edhe mos besim të partitë pikërisht për shkak të parregullësive që gjithmonë janë prezente përderisa nuk kryhet një reformë zgjedhore adekuate dhe depolitizohen plotësisht organet e zgjedhore KQZ, KVV, KKZ, këta mekanizma zgjedhor gjithmonë paraqesin problem në Kosovë për shkak se janë të politizuar plotësisht dhe nuk kanë kurrfarë paanëshmërie. Në situata siç janë komuna e Prizreni dhe Prishtinës më mirë të shkohet  së bashku me Istogun në zgjedhje të reja se sa të mos pranohet rezultati nëse veç ka dyshime dhe fakte relavante që kanë prishur procesin zgjedhor atje”, ka përfunduar Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test