Deputetët duan transparencë rreth mënyrës së betimit të gjyqtarëve të veriut

Politika

Deputetët duan transparencë rreth mënyrës së betimit të gjyqtarëve të veriut

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 23:44
Hashim Thaçi

Emisioni  “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin për polemikat e krijuara rreth Marrëveshjes e Drejtësisë e arritur në Bruksel më 10 shkurt 2015.

Përveç për Marrëveshjen, reagime ka pasur edhe për tekstin e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit joshumicë.

Presidenca e Kosovës nëpërmjet një komunikate kishte njoftuar se presidenti Thaçi më 24 tetor me dekret ka emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti joshumicë.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Mirëpo, për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, deputetet e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani e Albulena Haxhiu, kanë thënë se ka mungesë të madhe të transparencës nga Zyra e Presidentit lidhur më këtë proces.

“Akoma ka mungesë transparence nga ana e presidentit të Kosovës se a janë betuar këta gjyqtarë apo jo sepse nuk ka video incizim dhe nuk dihet çfarë ka ndodhur për dallim nga çdo proces tjetër betimi që ndodh”, tha deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Ndërsa, Albulena Haxhiu deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se do të kërkojë transparencë nga Zyra e Presidentit.

“Do të kërkoj nga Zyra e Presidencës që të na njoftojë lidhur me procesin e dekretimit për shkak se sipas zërave jozyrtarë ka pasur një proces ndryshe me dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tjerë”, tha Haxhiu.

Në një intervistë kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikolla Kabasheviq, dha detaje rreth asaj se deri ku kanë shkuar proceset lidhur me funksionalizimin e kësaj gjykate dhe se çfarë do të ndodhë me lëndët e trajtuara nga ish-gjykatat paralele.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat