Flet Mazllum Baraliu: Kjo është e vërteta për kufirin me Malin e Zi

Politika

Flet Mazllum Baraliu: Kjo është e vërteta për kufirin me Malin e Zi

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 dhjetor 2017 Në ora: 12:25
Mazllum Baraliu

Sot, është mbajtur mbledhja e Qeverisë së Kosovës, në të cilën u shqyrtua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Kryesuesi i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, prezantoi të gjeturat e tij rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Në raportimin e tij para qeverisë, Bulliqi tha se vija kufitare Kosovë- Mali i Zi ka pësuar ndryshime në krahasim me hartat e fundit.

“Komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare nuk është në përputhje me vijën administrative të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, ka thënë Bulliqi.

Por, sipas ekspertit të çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, që është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, të gjeturat e fundit të Komisionit për Demarkacion, nuk janë enciklopedike, por thjeshtë një konstatim i gjendjes reale.

“Komisioni i parë e ka lëvizur kufirin me Malin e Zi dhe kjo ka qenë e çartë, prandaj këto gjetje nuk janë enciklopedike, por janë konstatim i një gjendje reale dhe ekzistuese, e cila është caktuar që në vitin 1945-të. Kushdo që ka luajtur me atë kufi në mënyrë jozyrtare ose klandestine, thjesht ka bërë shkelje kushtetuese të sovranitetit të Kosovës në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim  me interesat e shtetit”, ka thënë Baraliu në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ai ka thënë se konstatimet e fundit mund të konsiderohen të mira, sepse, sipas tij, ato paraqesin të vërtetën për kufirin me Malin e Zi.

“Kjo që Komisioni tani ka konstatuar është i qëndrueshëm në afekt, për arsye se kjo është e vërteta, kjo është gjendje reale dhe ky është kufiri me Malin e Zi, aty ku ka qenë më herët dhe aty ku duhet të jetë”, ka theksuar Baraliu.

Sipas Baraliut, Komisioni i kaluar, ka bërë disa lëshime dhe gabime në dëm të Kosovës.

“Ky konstatim është lëvizur për dallim nga Komisioni Meha dhe se të gjeturat e fundit konsiderohen si përmirësim i një gabimi trashanik në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ruajtjen e integritetit territorial të sovranitetit të Kosovës”, ka përfunduar Baraliu për “Bota sot”.

Ndërsa, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat