“100 ditëshi i mjaftueshëm”, opozita e gatshme për mocionin ndaj Qeverisë - Bota Sot
“100 ditëshi i mjaftueshëm”, opozita e gatshme për mocionin ndaj Qeverisë

Politika

E shtunë, 16 dhjetor 2017

“100 ditëshi i mjaftueshëm”, opozita e gatshme për mocionin ndaj Qeverisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 dhjetor 2017 Në ora: 20:56
Kabineti qeveritar

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po afrohet drejt 100 ditëshit të qeverisjes.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar mocion mosbesimi për këtë qeveri, e cila kishte thënë se kjo do të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve.

Sa i përket kësaj, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo qeveri nuk duhet të punojë as një orë më shumë se 100 ditëshi.

Madje ai i ka bërë ftesë Lëvizjes Vetëvendosje që të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë ‘Haradinaj’.

“LDK dhe Vetëvendosje të krijojnë një mosbesim, 100 ditshi është i mjaftueshëm”, tha Haziri. E kanë PDK-në brenda, as një orë nuk duhet ta lëmë qeverinë rehat pas 100 ditëshit”, është shprehur Haziri në emisionin Debat në televizion publik.

Gjithashtu, nënkryetari i LDK-së, tha se ishte premtuar se do të zgjidhen problemet kryesore të vendit, mirëpo ato nuk po sillen as në kuvend.

Image
Sami Kurteshi

Vetëvendosje pa qëndrim

Sa i përket rrëzimit të qeverisë, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se nuk e kanë diskutuar një gjë të tillë dhe se kjo nuk mund të bëhet vetëm pse dëshiron dikush.

“Ne nuk kemi diskutuar për këtë çështje, është një çështje e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e këshillit të përgjithshëm dhe varet prej temës. Do të thotë, rrëzimi i qeverisë kurrë nuk është qëllim në vetvete as për vetveten, duhet të ketë një mbështetje politike, një qëllim politik, që ka edhe një alternativë konstruktive. Por, vetvetiu kështu nëse LDK-ja ka interes, apo vet PDK-ja, apo AAK-ja ka interes ta rrëzojë qeverinë”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Sami Kurteshi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se duhet të analizojnë arsyet për mocione në rast se bëhen dhe se vota e secilit deputet është personale.

“Vetëvendosje vetvetiu vetëm pse ata kanë interes nuk mund të veprojë sipas interesave të tyre por duhet të analizojë mirë. Në kryesi të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është marrë ndonjë vendim për këtë diskutim, për rrëzim të qeverisë, kjo diskutohet në Vetëvendosje dhe më pas merret një vendim i përbashkët. Përndryshe është çështje e çdo deputeti se si e jep votën e vet për çështje të caktuara”, është shprehur Kurteshi.

Image
Faton Mehmeti

Opozita të bashkohet për rrëzimin e Qeverisë

Për analistin Faton Mehmeti, opozita duhet të bashkohet për t'i bërë presion qeverisë.

“Partitë politike në opozitë VV dhe LDK kanë nevojë për njëra tjetrën, andaj duhet të bashkohen pasi interesin e kane të përbashkët. Nëse nuk bashkohen do i bëjnë dëme vetes dhe njëra tjetrës. Këto dy parti kanë filluar një fryme të re të bashkëpunimit në zgjedhjet lokale e që duhet të bartet edhe në nivel qendror. Një veprim i tillë do e frikësonte pozitën e brishtë e në të njëjtën kohë, do i shtone shanset për të rrezuar qeverinë Haradinaj. Kam besim se do të intensifikohet bashkëpunimi mes VV dhe LDK si e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë”, ka theksuar ai.

Ndërsa, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi jep një analizë për rezultatin e zgjedhjeve dhe më pas mundësinë për rrëzimin e qeverisë, derisa si mundësi për qeverisje sheh partitë LDK dhe AAK.

“Rezultati i zgjedhjeve lokale në Kosovë ishte pak a shumë një surprizë. AAK doli partia më e suksesshme, po të kemi parasysh se vendin që ajo kishte zënë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës mori më së shumti vota të elektoratit, pra doli partia e parë në spektrin politik të Kosovës. Këto dy rezultate janë një sinjal shumë pozitiv për Kosovën dhe të ardhmen e saj, janë prelude i një koalicioni të ardhshëm LDK-AAK për ta qeverisur Kosovën, ndoshta me formulën e Dr. Rugovës të vitit 2004-2005. Unë e shoh me optimizëm një bashkëpunim të ngushtë midis këtyre partive politike, nëse LDK dhe AAK rriten në elektoratin e Kosovës dhe mundësojnë shumicën absolute në kuvendin e saj. Ajo që i bashkon në nivel qendror këto parti politike është qasja që kanë ndaj filozofisë së presidentit Rugova, ndaj përgjegjësisë për qeverisjen e vendit dhe ndaj ekspertizës në qeverisje. Bashkimi i këtyre dy faktorëve politikë do të ishte rezultantja më e mirë e qeverisjes së vendit pas pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Bytyqi: Duhet të ketë arsye madhore për prishjen e koalicionit

Sa i përket garës për komuna, ai thotë se është krijuar ideja se mund të ketë cenime për përçarje për shkak të inateve.

“Por në zgjedhjet lokale aleancat qenë në formën e një labirinti. Në Kosovë janë degët lokale të partive politike që marrin vendime për aleancat para e pas-zgjedhore. Për këtë arsye të gjitha partitë janë mpleksur në aleanca e kundër-aleanca me njëra-tjetrën. Kjo praktikë ka krijuar idenë se koalicioni qeverisës mund të cenohet nga inatet dhe mëritë për aleancat në komuna. Në fakt, çështja e aleancave dhe e qeverisjes nuk është kaq e thjeshtë. Edhe pse koalicioni qeverisës varet nga një fije peri, edhe pse ai kushtëzohet nga Lista Srpska, nuk ka asnjë shans që arsye të tilla të bëhen shkak i prishjes së këtij koalicioni. Nëse prishet koalicioni i sotëm, ai do të ndodhë për arsye të tjera më madhore”, ka vazhduar më tej profesori.

Sipas tij, nëse kryeministri Ramush Haradinaj bën liberalizimin e vizave, mund të shtyjë qeverisjen për një vit.

“Unë shoh si arsye xhelozinë politike të modelit shqiptar. Nëse qeveria e Haradinajt zgjidh çështjen e demarkacionit dhe me këtë akt siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, atëherë ai do ta shtyjë së paku edhe një vit më tej qeverisjen e vendit. Do të shohim për këtë se çfarë do të prodhojë politika e Prishtinës në periudhën janar-mars 2018. Mund të ndodhë që kur të shihet suksesi i Haradinajt, të inskenohet ndonjë krizë politike për ta larguar atë nga posti që mban. Jemi mësuar me kësi skenarësh në shqiptarët, skenarë që na mbajnë peng të mentaliteteve të Lindjes”, vlerëson Bytyçi.

Ai sheh disa rreziqe për qeverinë aktuale, por që mund të ketë arsye shumë më të mëdha për ta rrëzuar dhe jo rezultati i zgjedhjeve lokale.

“Shoh gjithashtu si rrezik të njëjtë ikjen e Listës Srpska nga koalicioni, me qëllim që të pengohet suksesi i qeverisë Haradinaj. Shoh më së fundi si sfidë të kësaj qeverie marrëdhëniet e saj me autoritetin imponues të lidershipit të Tiranës, i cili në marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës llogarit në maksimum përfitimet politike për Tiranën zyrtare. Pra, janë shumë sfida të tjera me të cilat ballafaqohet qeveria e Kosovës. Kështu që qeveria e Kosovës nuk besoj se rrëzohet për shkak të këtyre koalicioneve në zgjedhjet lokale që përfunduan në Kosovë, ajo mund të rrëzohet për arsye të tjera më serioze e më të mëdha”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj: PDK u zhgënjye nga zgjedhjet lokale

Në anën tjetër, njohëshi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se PDK u zhgënjye, ndërsa u favorizua opozita, por mbetet të shihet si do të rrjedhin gjërat.

“Rezultati i zgjedhjeve lokale sivjet tregoi se po fillon të ndryshojë vetëdija e elektoratit rreth sistemit qeverisës që e dëshiron, mirëpo, tash mbetet të shihet se, kah do të rrjedh shpresa sepse, rënia drastike e votuesve të PDK-s tregoi se ka zhgënjim ndaj partive të mëdha! Opozita u favorizua dhe forcimi i saj në qeverisjen lokale do të ndikoj fuqishëm edhe në qeverisjen qendrore, e sidomos në kuvend, ku opozitarët janë forcë përcaktuese e zhvillimeve të mëtutjeshme, me nëse duan të merren vesh e kanë mundësinë që edhe ta rrëzojnë qeverinë”, është shprehur ai.

Opsioni Gjykatë Speciale

Zogaj, flet për mundësinë e rrëzimit të qeverisë dhe jep arsyet pse mund apo jo ta bëjnë këtë.

“A do të ndodh kjo? Unë mendoj se nuk do të ndodh, sepse opozitës së tashme rrëzimi i qeverisë nuk i sjelle kurrfarë fitimi, para se partitë politike pretenduese, LDK dhe VV të mos bëjnë reformimin e vetvetes së tyre, sepse, kështu si janë, mund të rrëzojnë qeverinë por, kështu siç janë, pak ka gjasa që të ngritin cilësinë e qeverisjes së vendit që ka nevojë për ndryshime rrënjësore! Vetëm pas shpalljes së listës nga Gjykata Speciale për personat që do të ftohen në hulumtim mund të ketë gjendje të re dhe, kjo mund të jetë fazë e ndryshimeve të mëdha”, ka deklaruar Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test