“Përçarje mes AAK-së dhe PDK-së, mund të pritet rënie e Qeverisë”

Politika

“Përçarje mes AAK-së dhe PDK-së, mund të pritet rënie e Qeverisë”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 dhjetor 2017 Në ora: 22:44
Ramush Haradinaj- Kadri Veseli

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeveritar e kanë miratuar sot Marrëveshjen e Demarkacionit të Malit të Zi, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe projektuar nga Murat Meha. Marrëveshja e 2015 është dërguar në Kuvend, bashkë me raportin e Komisionit Shtetëror të Shpejtim Bulliqit që tregon se marrëveshja në fjalë është e gabuar.

Përkundër, që Haradinaj ka kërkuar nga komisioni i ri të hulumtojë dhe argumentojë, ato që beson se janë parregullsi në Marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, zëvendësi i tij, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka cilësuar gjetjet si “pështjellim” dhe jo sqarim të situatës.

Hoxhaj pas raportimit të Bulliqit është shprehur se të gjeturat e tij vetëm kanë dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.

"Unë dëgjova vlerësime shumë të përgjithshme, pa ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Nuk ishit konkret, nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë kam thënë se kur tema janë komplekse. Është detyre e komisioneve dhe politikës që t'i thjeshtojë. Sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe ma shumë situatën", tha Hoxhaj.

Kundërshtime në mes të qëndrimit të Kryeministrit dhe zëvendësit të tij ka pasur edhe ditë më parë.

Në një intervistë për media zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka thënë se konsensusi për çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi pritet të arrihet në fillimin e vitit të ardhshëm, duke shtuar se demarkacioni është çështje e shpikur.

Duke komentuar deklaratën e Hoxhajt, analistët politikë shprehen se demarkacioni si koncept nuk është i shpikur.

Sipas tyre, demarkacioni sjellë një përçarje në mes të PDK-së dhe AAK-së dhe kësisoj nuk përjashtojnë mundësinë e rënies së qeverisë.

Analisti politik, Ilir Dugolli, ka thënë për “Bota sot” se demarkacioni është çështje që duhet të përfundohet dhe të respektohet nga të dyja palët.

Image
Ilir Dugolli

Sipas Dugollit, në rast se merret koalicioni PANA nuk vërehen përçarjet, por në rast se merret relacioni PDK- AAK, atëherë vërehen përçarjet.

“Demarkacioni si koncept, nuk është çështje e shpikur nga askush. Ai është, duhet të jetë i kryer dhe duhet mbetet i respektuar dyanësisht. Andaj mendoj se të cilësohet "i shpikur" nuk është e drejtë. Vetëcilësimi i tillë duhet të jetë një shpikje iluzive. Zakonisht partitë qeveritare, kur nuk munden t’u dhënë zgjidhje problemeve dhe sidomos çështjeve të mëdha nacionale, atëherë një rënie e qeverisë mund të pritet, e sidomos nga PDK, që ka më shumë arsye për këtë gjë, për shkak se vet marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, është nënshkruar nga ta. Përçarjet brenda koalicionit nuk vërehen, në rast se merret në kontekstin PAN+A. Këtë përçarje do ta vërenim më shumë në relacionin PDK - AAK, që në fakt janë substrat i PAN+A. Fillimisht nuk dihet cilin version do ta mbështes i pari i qeverisë. Nëse e mbështetë versionin e Bulliqit, atëherë PDK, nuk do ta mbështesë, e në të kundërtën... nuk e di ku do mbetet dhe kush do jepte përgjegjësi lidhur me këto vonesa të proceseve shtetërore”, ka deklaruar Dugolli për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat