Mos serioziteti i Haradinajt për demarkacionin, “përçahen” AAK-PDK, qeveria drejt rrëzimit? - Bota Sot
Mos serioziteti i Haradinajt për demarkacionin, “përçahen” AAK-PDK, qeveria drejt rrëzimit?

Politika

E hënë, 18 dhjetor 2017

Mos serioziteti i Haradinajt për demarkacionin, “përçahen” AAK-PDK, qeveria drejt rrëzimit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 dhjetor 2017 Në ora: 10:02
Veseli dhe Haradinaj

Dy vite kundërshtim të ashpër, me protesta, gaz lotsjellës në seanca kuvendore, shkarkim qeverie me arsyetimin se demarkacioni i nënshkruar nga ajo qeveri është marrëveshje e dëmshme, rezultuan me përfundim që edhe qeveria e re ta dërgojë në kuvend versionin e njëjtë të demarkacionit, atë të vitit 2015.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeveritar e kanë miratuar dje Marrëveshjen e Demarkacionit të Malit të Zi, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe projektuar nga Murat Meha. Marrëveshja e 2015 është dërguar në Kuvend, bashkë me raportin e Komisionit Shtetëror të Shpejtim Bulliqit që tregon se marrëveshja në fjalë është e gabuar.

Deputetët e partive politike edhe para dy viteve, por edhe tani janë të “ndarë” sa i përket kësaj marrëveshje.

Si në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, kanë qenë deputetë të cilët kanë qenë për dhe kundër kësaj marrëveshje.

Përkundër, që aktualisht në qeverinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës mbështetë ratifikimin e Demarkacionit sipas Marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015, ekzistojnë deputetë të cilët nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Hasani kundër marrëveshjes

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ishte kategorikisht kundër versionit të demarkacionit, ku pretendohej se vendi humb tokë me këtë marrëveshje.

Duke folur për “Bota sot” ai është shprehur se nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e demarkacionit.

Image
Nait Hasani

Sipas tij, në këtë formë të demarkacionit nuk ka drejtësi.

“Unë nuk kam ndryshuar qëndrim në çështjen e demarkacionit. Mali i Zi është rritur me 8000 hektarë më shumë nga ajo që ka shkruar në njohjen e Kombeve të Bashkuara, e Kosova mbetet në të njëjtën gjendje. Prandaj, në këtë formë të demarkacionit nuk ka drejtësi”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, sipas analistëve politikë, Partia Demokratike e Kosovës në përgjithësi do të votojë për ratifikimin e demarkacionit.

“Marrëveshjen të cilën Haradinaj e quajti tradhti, dje e aprovoi vetë”

Analisti politik, Dimal Basha, ka thënë për “Bota sot” se kryeministri marrëveshjen e qeverisë së kaluar e ka quajtur tradhti, ndërsa tani vetë e aprovon.

Image
Dimal Basha

Sipas Bashës, PDK-ja do ta votojë dhe kjo qeveri është në dijeni se në rast se nuk e ratifikojnë atëherë i humbë kredibilitet, liberalizimin dhe mbështetja e SHBA-së.

“Kryeministri e ka quajtur marrëveshjen e qeverisë së kaluar si “tradhti,” derisa ai dje vetë e aprovoi dërgimin e të njëjtës marrëveshje në Kuvend për ratifikim. Kjo tregon që Kryeministri nuk është serioz rreth kësaj çështje dhe se formimi i Komisionit dhe raporti i djeshëm ka qenë vetëm spektakël. Unë mendoj se PDK-ja do ta votojë dhe kjo qeveri e di mirë se nëse e humbë rastin për ta ratifikuar, do ta humbë kredibilitet, do të humbë edhe liberalizimin, dhe me të rrezikon të humbë edhe mbështetjen e SHBA-ve. Dhe krejt në fund, të gjitha këto humbje kanë vetëm një përfundim, humbjen e pushtetit dhe zgjedhjet e reja”, ka pohuar Basha.

PDK do të votojë pro marrëveshjes

Edhe, opinionisti Dardan Islami është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës do ta votojë demarkacionin.

Image
Dardan Islami

Sipas tij, marrëveshjen e demarkacionit do ta votojë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Mendoj se Partia Demokratike e Kosovës do ta votojnë, por edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në anën tjetër nëse Kryeministri Haradinaj nuk arrin ta sigurojë shumicën në kuvend, atëherë besoj se rrezikohet shumë  më tepër se ekzistenca e koalicioni qeverisës”, ka theksuar Dardan Islami.

Përçarjet AAK-PDK

Ndërsa, analisti Ilir Dugolli, nuk ka përjashtuar mundësinë e rrëzimit të qeverisë për shkak të demarkacionit.

Sipas tij, përçarjet në mes të koalicionit PANA nuk vërehen, por kjo mund të vërehet në relacion PDK-AAK.

Dugolli ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë versionin e Bulliqit.

Image
Ilir Dugolli

“Zakonisht partitë qeveritare, kur nuk munden t’u dhënë zgjidhje problemeve dhe sidomos çështjeve të mëdha nacionale, atëherë një rënie e qeverisë mund të pritet, e sidomos nga PDK, që ka më shumë arsye për këtë gjë, për shkak se vetë marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, është nënshkruar nga ta. Përçarjet brenda koalicionit nuk vërehen, në rast se merret në kontekstin PAN+A. Këtë përçarje do ta vërenim më shumë në relacionin PDK - AAK, që në fakt janë substrat i PAN+A. Fillimisht nuk dihet cilin version do ta mbështes i pari i qeverisë. Nëse e mbeshtet versionin e Bulliqit, atëherë PDK, nuk do ta mbështes, e në të kundërtën... nuk e di ku do mbetet dhe kush do jepte përgjegjësi lidhur me këto vonesa të proceseve shtetërore”, ka përfunduar Dugolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test