Gjuajtja me armë në odën e Limajt dhe heshtja e Qeverisë për zëvendëskryeministrin

Politika

Gjuajtja me armë në odën e Limajt dhe heshtja e Qeverisë për zëvendëskryeministrin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 dhjetor 2017 Në ora: 11:38
Kabineti qeveritar

Videoja e cila shfaq ish-kryetarin e komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Diasporës Dardan Gashi si dhe këshilltarin e Fatmir Limajt, duke gjuajtur me armë në festën që ky i fundit kishte organizuar në Banjë të Malishevës pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre, po hetohet nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

Në video shihet që Lushtaku, Gashi dhe i liruari tjetër nga akuzat Shala, gjuajnë me armë pa kontroll, vetëm duke hapur dritaret e odës ku festojnë lirimin e Limajt.

Por, zëdhënësja e Policisë Rajonale të Gjakovës Lirie Podrimaj, në një deklaratë për media, ka njoftuar se Policia po e heton atë që ndodhi aty.

“Me të pranuar informatën në lidhje me rast, Policia e Kosovës respektivisht stacioni policor në Malishevë ka hapur rast. Në koordinim me Prokurorin e shtetit po vazhdojmë me procedura hetimore”, ka thënë zëdhënësja Podrimaj.

Megjithë njoftimin e Policisë për nisjen e hetimeve, analistët politikë dhe njohës të çështjeve juridike, janë shprehur skeptik se ata mund të dënohen për këtë vepër. Sipas tyre, kjo nuk mund të ndodhë, për shkak se drejtësia në Kosovë, është e lidhur me politikën.

Gashi: Prokuroria do t’i dënojë Lushtakun, Gashin e Shalës në bazë të gjetjeve

Duke folur në lidhje me këtë në një prononcim për gazetën “Bota sot” avokati Tomë Gashi, ka thënë se pas përfundimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë, do të dihet nëse Lushtaku, Gashi e Shala do të dënohen ose jo.

Image
Avokati, Tomë Gashi

Ai ka theksuar se Prokuroria në bazë të gjetjeve, do t’i dënojë ata sipas dispozitave ligjore.

“Po është e thjeshtë kjo gjë, prokuroria ka deklaruar se i ka nisur hetimet dhe në bazë të gjetjeve të prokurorisë, ata me siguri se do të dënohen sipas dispozitave ligjore”, ka deklaruar avokati Gashi.

Kajtazi: Akt primitiv dhe i shëmtuar që i shërben si mjet Serbisë

E eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, veprimin e këtyre zyrtarëve, e ka quajtur akt primitiv dhe të shëmtuar.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çfarë do që të jetë vendimi i gjykatës, është e turpshme që këta persona përfaqësojnë qytetarët e Kosovës.

Image
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi

“Të shtënat me armë në gjendje dëliri të njerëzve të pushtetit, është akt primitiv dhe i shëmtuar. Pa marrë parasysh se çfarë vendos gjykata, është e turpshme që këta persona përfaqësojnë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Kajtazi.

Ai më tutje ka theksuar se profili i zyrtarëve të shtetit, pas pamjeve të publikuara shërben si mjet i mirë në duart e Serbisë në lobimin e saj kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

“Videot e publikuara janë objekt pune i të gjithë trupit diplomatik të akredituar në Kosovë. Ata në momentin e publikimit, ato i kanë dërguar në qendrat e tyre raportuese, ku bëhet profili i zyrtarëve të shteteve. Dhe ky profil s’ka se si të jetë apo të dalë, përpos primitiv, që në fakt për 100 vite e trumbeton diplomacia serbe nëpër Evropë. Këto skena primitive të zyrtarëve të nivelit qeveritar, shërben si mjet i mirë në duart e Serbisë në lobimin e saj kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, ka theksuar Kajtazi për “Bota sot”.

Haziri: “Festa me alltia” tregoi fytyrën e vërtetë të klasës politike

Edhe analisti politik Nexhat Haziri, është shprehur skeptik se zyrtarët e involvuar në këtë rast, do të sanksionohen e aq më pak të shkarkohen nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

“Është thënë se ndaj kësaj ngjarje autoritetet përtkatëse kanë filluar nje hetim, por unë jam skeptik se zyrtarët e lartë të involvuar në këtë "festë me alltia", do të sanksionohen me ligjet në fuqi për përdorimin e armëve në ambiente të mbyllura dhe në publik, e aq më pak të dorëhiqen apo që kryeministri Ramush Haradinaj, t’i shkarkojë ata nga postet qeveritare”, ka pohuar Haziri.

Sipas tij, “festa me alltia” në odën e Limajt, ka treguar fytyrën e vërtetë të klasës politike.

““Festa me alltia" në Banjë të Malishevës në odën e z\kryeministrit Fatmir Limaj, ishte fytyra e vërtetë e kësaj klase politike dhe sikur e tha edhe vetë deputeti i LDK-së,  Abdoxhiku, Kosova ka nevojë për udheheqës dhe jo banditë”, ka theksuar Haziri në prononcimin për “Bota sot”.

Mehmeti: Të burgosën Lushtaku, Gashi e Shala

Ndërkaq, analisti tjetër Faton Mehmeti, ka pohuar se Prokurorisë i mjaftojnë videot e të shtënave me armë, për të burgosur Lushtakun, Gashin dhe Shalën. Mirëpo, ai dyshon se mund të ndodhë një gjë e tillë, për shkak të lidhjeve të prokurorisë me politikën.

Image
Analisti, Faton Mehmeti

“Edhe pse Prokurorisë i mjaftojnë videot e të shtënave me armë në odë të Limajt, për t’i futur në burg Lushtakun, Gashin dhe Shalën, dyshoj se kjo do të ndodhë. Dyshoj, sepse prokurorët janë të emëruar politikisht dhe kjo nënkupton që më parë duhet të shkarkohet prokurori se sa të futet në burg Lushtaku dhe të tjerët që ishin me të. Në një shtet ku udhëheq banda, si kjo e Lushtakut, shteti i së drejtës është vetëm ëndërr e idealistëve, por asnjëherë realitet i qytetarëve”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka theksuar se Prokuroria nuk guxon të hetojë Lushtakun, edhe nëse do të vriste dikë.

“Jam skeptik se personat e lartpërmendur do të hetohen, apo edhe më tepër do të ndëshkohen. Nuk e di çfarë prove kërkon tjetër prokuroria për të futur dikë në burg që shfaqe në video duke shtënë. Shteti ka rënë nën duart e krimit dhe bandave të cilat udhëheqin me të. Nese nuk hetohet ky rast, që edhe besoj se kështu do të ndodhë, kjo vetëm sa e përforcon bindjen se shteti i së drejtës këtu ka shkuar për lesh. Lushtaku është i rrrezikshëm ne liri, ky njeri vetëm në burg meriton të qëndrojë për të gjitha dëmet dhe kërcënimet që i ka bërë qysh në aferen "Pronto”. Njeriu i “Prontos” që vendos prokurorët nga telefoni, nuk guxon të hetohet edhe nëse do të vriste dikë”, ka shtuar Mehmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, gazeta “Bota sot”, ka pyetur edhe në Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë rast, por ata nuk janë përgjigjur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat