Premtimi për vizat brenda 3 muajsh, gënjeshtër e Haradinajt

Politika

Premtimi për vizat brenda 3 muajsh, gënjeshtër e Haradinajt

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 5 dhjetor 2017 Në ora: 16:30
Ramush Haradinaj

Zotimi i kryeministrit, Ramush Haradinaj se brenda 3 muajsh Kosova do të ketë liberalizim të vizave, doli të jetë vetëm një premtim elektoral për të përfituar vota nga qytetarët në zgjedhjet e 11 qershorit.

Kjo për faktin se të premten bëhen 100 ditë të qeverisë së Haradinaj, kurse ekzekutivi nuk i ka përmbush ende dy kushtet kryesore të Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

Demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit mbeten dy kriteret  kryesore të Brukselit për këtë çështje.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Për këtë, përfaqësues të partive politike dhe njohës të integrimeve evropiane shprehen pesimistë lidhur me afatin e liberalizimit të vizave të bërë nga kryeministri Haradinaj gjatë fushatës elektorale.

 “Kryeministri Haradinaj, edhe gjatë fushatës pati premtuar liberalizim të vizave brenda tre muajve, por doli se ishte vetëm premtim elektoral, siç ishte edhe çështja e demarkacionit! Qytetarët janë lodhur nga izolimi dhe nga premtimet boshe, andaj qeveria Haradinaj ka shumë punë dhe angazhime përkundër plasaritjeve në mes koalicionit qeverisës”, ka thënë për “Bota sot”, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Deputetja shprehet skeptike se ekzekutivi do të arrijë të përmbush shumë shpejt kriteret e BE-së në mënyrë që të arrihet sa më shpejt deri tek liberalizimi i vizave.

“BE është në vëzhgim të plotësimit të kritereve dhe shpresojmë në tejkalim të pikave finale të përmbushjes së tyre. Megjithatë,  kjo ende mbetet shpresë ndër qytetarë dhe mbetet të shohim si do të ecin gjerat. Personalisht, jam pesimiste në këtë afat të deklaruar në takimin qeveritar”, shtoi deputetja, Bunjaku Rexhepi.

Image
Mentor Tahiri

Ndërsa, analisti Mentor Tahiri ka thënë se Kosova nuk ka shfrytëzuar disa momentume të caktuara politike që do të lehtësonin liberalizimin e vizave.

 “Të jemi të sinqertë, Kosova nuk ka shfrytëzuar disa momentume të caktuara politike, kur nga ana e palës evropiane kishte më shumë vullnet që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat. Tani, po dëgjohen deklarime të ndryshme në opinion, disa në formë zyrtare të lëshuara nga ana e qeverisë, e disa jo zyrtare, por duket se të gjitha këto synojnë thjeshtë të qetësojnë opinionin dhe përpiqen të amortizojnë pakënaqësinë qytetare”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Përpos qeverisë, për Tahirin problem për liberalizim të vizave do të paraqesin edhe ato shtete brenda BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Rezistenca e disa shteteve të BE-së karshi shtetësisë së Kosovës madje është konsoliduar dhe për herë të parë ka tendenca që vet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës të shihet në këtë kontekst. Gjithë kjo është shkaktuar nga pamundësia e Qeverisë së Kosovës, jo vetëm të tanishmes, për të parët gjërat në një horizont më të gjerë përtej skenës politike të brendshme”, ka përfunduar Tahiri.

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër, Faton Mehmeti ka thënë se utopike të mendosh se liberalizmi i vizave do të ndodh brenda tre muajve, ashtu siç ati premtuar i pari i qeverisë.

 “Liberalizimi i vizave nuk varet nga dëshira e Ramushit, andaj është utopike të mendosh se vizat hiqen brenda 3 muajve. Edhe para dy muajsh tha të njëjtën gjë Ramushi, por doli të ishte gënjeshtër. Gjithësi është e pafalshme të kemi një kryeministër aspak serioz, qesharak pata qytetareve dhe naiv para ndërkombëtareve. Ramushi po mendon se ende është në opozite duke bërë propagandë, ka harrur se vizat hiqen vetëm kur të plotësohen kriteret e kërkuar nga BE që janë: demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit , asnjëra nuk ka ndodh, andaj nuk ka shanse të ndodh liberalizimi vizave brenda tre muajve”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, Qeveria Haradinaj dje ka marrë vendim për të proceduar për miratim në kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, nga ish-ministri i jashtëm, Hashim Thaçi dhe ai i brendshëm, Skender Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat