“Komandantët e PDK-së” frikë nga Gjykata Speciale, rrezik për destabilizim të situatës

Politika

“Komandantët e PDK-së” frikë nga Gjykata Speciale, rrezik për destabilizim të situatës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 dhjetor 2017 Në ora: 08:24
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale, e cila pritet të nisë së shpejti me procedurën e ngritjes së aktakuzave për krime të supozuara lufte në Kosovë, do të mund të destabilizojë vendin. Kështu konsiderojnë njohës të çështjeve politike, sipas së cilëve, Specialja do të prekë Partinë Demokratike të Kosovës, gjë e cila do të pasojë me destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë.

Të njëjtat akuza në drejtim të PDK-së, i ka drejtuar Lëvizja Vetëvendosje. Duke folur në seancën e kaluar plenare të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka akuzuar deputetët e PDK-së për mospjesëmarrje në seanca, për shkak të “frikës nga Gjykata Speciale”.

Ai ka thënë se PDK po e sheh stuhinë e Speciales dhe se për këtë, sipas tij, ajo është në gjendje që të kallë Kosovën.

“Vet fakti që iu dha fjala PDK-së për me lëshu seancën, është e padrejtë. Ata folën kundër EULEX-it, kjo i bjen se po kanë frikë që po afrohet Gjykata Speciale. Kur Vetëvendosje fliste kundër Speciales dhe i ftonte PDK-në për të mos e themeluar, këta na nxirrnin jashtë…tash na ftojnë për me dal kundër kur në atë kohë kanë qenë të gatshëm dhunshëm me na nxjerr nga Kuvendi, vetëm pse e kundërshtonim Gjykatën Speciale. Tash po e shohin stuhinë e Speciales dhe janë në gjendje me kallë krejt Kosovën”, ka thënë Konjufca.

Mehmeti: I akuzuari i parë nga Specialja, do të jetë njëri nga anëtarët e PDK-së

I të njëjtit mendim është shprehur edhe analisti i çështjeve politike Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti ka theksuar se PDK e ka dëshmuar se fati i saj është mbi çdo gjë, duke paralajmëruar rrezikun e destabilizimit të vendit nga kjo gjykatë.

“Pajtohem me mendimin e Glaukut se PDK është në gjendje të kallë Kosovën. PDK e ka dëshmuar shpesh herë se fati i saj është mbi çdo gjë, andaj ekziston rreziku real i destabilizimit të vendit nga Gjykata Speciale”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, i akuzuari i parë nga Specialja, do të jetë njëri nga anëtarët e PDK-së, që kjo e cila siç ka thënë ai, do të destabilizojë vendin nga SHIK-u.

“Në fakt, ngritja e aktakuzave të para (me gjasë do të jenë për anëtar ose liderin dhe ish-liderin e PDK-së), do të mund të destabilizonte vendin nga SHIK-u. Kjo e fundit po udhëheq PDK dhe kjo e rrezikon vendin shumë. Prandaj, duhet që qytetarët të mos bien pre e lojërave të PDK-së, që gjoja duhet mbrojtur lufta e UÇK-së. Secili e bart fajin për gabimet, pa u mbuluar nën flamurin e patriotizmit”, ka shtuar analisti Faton Mehmeti.

Tërnava: PDK po mundohet të çrregullojë gjendjen e sigurisë

Edhe sipas ekspertit të sigurisë Hajrullah Tërnava, PDK po mundohet të çrregullojë gjendjen e sigurisë deri në demonstrata, për shkak të aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Image
Hajrullah Tërnava

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tërnava ka theksuar se deputetët e PDK-së me votën e tyre, kanë krijuar Gjykatën Speciale, por kjo e fundit sipas tij, do të prekë më së shumti “komandantët e PDK-së”.

“Marrë në përgjithësi, situata politike në të cilën gjendet Kosova, e duke pasur parasysh këtë qeverisje që në pushtet janë rreth 22 parti, e mezi i kanë bërë vetëm 61 vende në parlament, duke e llogaritur edhe Listën serbe në këtë përbërje, e sidomos tani kur dihet që çdo ditë mund të priten burgosjet e para nga Gjykata Speciale. Ky gjygj në tërësi ka për detyrë që t’I ndjekë me aktakuza, ata të ilët gjatë viteve të luftës 1998, deri në fund të vitit 2000, kanë kryer vepra të rënda të vrasjeve. Në krejt këto krime, më së shumti përfolen si të dyshuar “të fortët komandanta” nga PDK-ja, të cilët kryesisht e kanë udhëhequr nëpër poste të larta shtetin e Kosovës prej pas luftës e deri më sot, e edhe sot e kësaj dite, ata janë në poste të larta, por janë edhe disa individë të partive tjera. Me miratimin e vendimit në Parlamentin e Kosovës për krijimin e Gjyqit Special nga vet deputetët e PDK-së, tani iu ka mundësuar këtij gjyqi që t’i ndërmarr masat dhe të ngritë aktakuzat për burgosjen e të dyshuareve për ato vepra ”, ka pohuar eksperti Tërnava.

“Nga skamnorë në multimilionerë”

Ai më tutje ka theksuar se PDK ka përjetuar privilegjet më të larta të shtetit, duke thënë se ata nga “skamnorët janë bërë në multimilionerë”.

Sipas ekspertit të sigurisë, “të privilegjuarit” do të jenë të dyshuar nga Specialja, përderisa ka paralajmëruar rrezikun e çrregullimit të sigurisë deri në demonstrata.

“Ata të cilët kanë përjetuar privilegjet më të larta të këtij shteti dhe kanë bërë çka kanë dashur si në aspektin e tenderave, ashtu edhe të punësimeve të farefisnive dhe të nepotizmit pa kritere dhe kualfikime dhe kanë “vra e kthjellë” në këtë shtet dhe nga skamnorët tani janë bërë multimilionerë. Nga ky këndëvështrim, nëse fillon funksionimi I gjyqit në fjalë edhe në praktikë, dhe shihet në realitet se filloi punën ky gjyq, ata të privilegjuarit që kanë bërë çka kanë dashur dhe tani janë edhe si të dyshuar pikërisht të këtij gjyqi, normale është që do të mundohen të bëjnë çmos që gjendjen e sigurisë ta çrregullojnë deri në demonstrate, si masë e fundit, se a mos po e zbrapsin funksionimin e këtij gjyqi”, është shprehur Hajrullah Tërnava.

Ai ka përmendur edhe vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Disa nga të fortët tani me disa poste si të rendit të dytë, e disa edhe nuk kanë kandiduar në zgjedhjet e fundit, po qëndrojnë sit ë shukatur e dihet se janë duke e përjetuar qysh tani si vështirë. Por, janë edhe disa që mbajnë ende poste të larta e që janë përmendur edhe si të dyshuar të këtij gjyqi. Edhe populli po i përcjell këto ndodhi dhe mië po e din se ata që janë të akuzuar shpejtë do të gjenden në Hagë dhe të tillëve në zgjedhjet e fundit nuk iu dhanë vota të shumta si më parë, prandaj këtyre u është dashur të bashkohen për ta krijuar Qeverinë me 22 parti e vetëm me 61 deputetë, që të jenë gjithsesi në pushtet”, është shprehur Tërnava.

Sipas tij, ata të cilët qe 17 vite ishin “të fortët” e këtij vendi, nëse burgosen, gjithsesi do të tentojnë të destabilizojnë këtë vend.

Marrë bë tërësi, është për t’u habitur e sidomos për vrasjet e aktivistëve të LDK-së, që janë vrarë jo në numër të vogël, e sidomos në këtë periudhë që janë përmendur, por edhe në disa vite tjera në vazhdim, ndoshta deputetët e Parlamentit që me aq lehtësi e miratuan një Gjykatë Speciale, u vetëdijësuan për vuajtjet e disa familjarëvë që iu vranë bijtë e tyre, si të devotshëm dhe që dhanë kontributin e paparë si për vendin, ashtu edhe si anëtarë të LDK-së, dhe u miratua ky gjyq. Një është e qartë se ata të cilët qe 17 vite ishin “të fortët” e këtij vendi, nëse burgosen, gjithsesi do të tentojnë të destabilizojnë këtë vend skajshmërisht, si provë e fundit se a mos po mund t’iu ikin përgjegjësive të këtij gjyqi”, ka shtuar për “Bota sot”, Hajrullah Tërnava.

Politikanëve iu kanë rënë maskat

Por, ndryshe mendon analisti Nexhat Haziri, i cili ka thënë se nuk ka rrezik real të eskalimit të situatës në rastin e ngritjes së aktakuzave të Gjykatës Speciale.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, kjo vije për shkak se qytetarët janë vetëdijesuar dhe se ata nuk do të bëhen pjesë e lojës për të mbrojtur politikanë të caktuar.

“Përkundër deklaratës të deputetit të VV-së, Konjufca, nuk shoh rrezik real të eskalimit të situatës në rastin e ngritjes së aktakuzave të Gjykatës Speciale për këdo zyrtar të PDK-së, për arsye se tani ka filluar një vetdijësim i qytetarëve tanë dhe ata nuk bëhen pjesë e lojës për të mbrojtur politikanë të caktuar. Ne edhe në proceset zgjedhore, sidomos këto të fundit që sapo i lamë pas, pamë se qytetarët tanë janë vërtetë të edukuar dhe të vetdijësuar pasi me votë ndëshkuan politikanët e korruptuar”, është shprehur Haziri.

Ai ka theksuar në prononcimin për “Bota sot”, se politikanëve në Kosovë iu kanë rënë maskat.

“Më nuk jemi në ato vitet e para të pasluftës, kur politikanë të caktuar u fshiheshin dhe u mbrojshin duke u mbështjellur me patriotizëm të shpifur përkundër veprimeve të tyre inkriminuese, dhe kjo në ato vite edhe sikur e "hante pazari". Por tani kurë shumë maska të politikanëve kanë rënë, dhe qytetarët po i njohin nga afër se kush janë, cilat kanë qenë dhe janë veprimet e tyre, pasojat që qytetarët po i vuajnë për shkak të këtyre politikanëve, janë arsyje që më bëjnë të besoj se edhe në rastin e aktakuzave për këtë politikanë, qytetarët do të jenë të qetë”, ka përfunduar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat