Qëndrimet e kundërta PDK-AAK rrezikojnë Qeverinë

Politika

Qëndrimet e kundërta PDK-AAK rrezikojnë Qeverinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 dhjetor 2017 Në ora: 07:45
Qeveria e Kosovës

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është çështja “problematike” e Kosovës që edhe qeveria e kaluar, e tashmë edhe qeveria aktuale nuk janë duke gjetur një zgjidhje.

Komisioni Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka prezantuar gjetjet të hënën, mirëpo Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar me një qëndrim unik në lidhje me këto gjetje.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij janë në favor të gjetjeve të Komisionit të cilat me vetë faktin që konstatojnë parregullsi, në një apo formë tjetër nxisin deputetët që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mbështetë ratifikimin e Demarkacionit sipas Marrëveshjes së arritur në gusht të vitit 2015.

Deklarata e Hoxhajt

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se këto gjetjet e komisionit  vetëm sa e kanë komplikuar situatën dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.

"Unë dëgjova vlerësime shumë të përgjithshme, pa ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Nuk ishit konkret, nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë kam thënë se kur tema janë komplekse. Është detyre e komisioneve dhe politikës që t'i thjeshtojë. Sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe ma shumë situatën", është shprehur Hoxhaj.

Qëndrimet e kundërta brenda koalicionit ka pasur edhe më herët.

Hoxhaj ditë më parë ka folur në media duke thënë se konsensusi për çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi pritet të arrihet në fillimin e vitit të ardhshëm.

Ai e ka konsideruar edhe si të shpikur çështjen e demarkacionit.

Të kontaktuar nga “Bota sot” kabineti qeveritar nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e zëvendëskryeministrit.

Në përgjigjen e tyre, ata kanë treguar se raporti i Komisionit Shtetëror dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit Shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi, është përpara deputetëve.

“Raporti i Komisionit Shtetëror dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është miratuar në Qeveri dhe të njëjtat  dokumente tani janë në Kuvend, përpara deputetëve” thuhet në përgjigjen elektronike të Qeverisë për “Bota sot”.

Image
Nait Hasani

Hasani kundër demarkacionit

Ndërkaq, deputetët tjerë dhe analistët nuk e konsiderojnë të shpikur çështjen e demarkacionit, duke thënë se kjo çështje është e rëndësishme për integritetin e vendit.

Bashkëpartiaku i zëvendëskryeministrit Hoxhaj, Nait Hasani, ka thënë për “Bota sot” se demarkacioni është një çështje reale dhe kësisoj dy vite debatohet për të.

Sipas Hasanit, çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet në të mirën e te dyja vendeve, sepse në këtë formë nuk ka drejtësi.

“Unë mendoj se nuk është çështje e shpikur demarkacioni, ajo është një çështje reale që ekziston dhe janë dy vite që debatohet për të në kuvend dhe në të gjitha qarqet e Evropës dhe Amerikës. Kështu, çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet në të mirën e dyja vendeve, duke normalizuar kufirin pa humbje të asnjërës palë, sepse nuk ka drejtësi në këtë formë te demarkacionit ku Mali i Zi rritet me 8000 më shumë hektarë nga ajo që e ka shkruar në njohjen e Kombeve të Bashkuara, e kostoja mbetet në të njëjtën gjendje”, ka pohuar Nait Hasani.

Kurse, Nisma për Kosovën qëndrimin e Hoxhajt e konsideron të mos dinjitetshëm.

Image
Enver Hoti

Deputeti nga radhët e NISMA-s, Enver Hoti, ka thënë se çështja e demarkacionit është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, integritetin, të ardhmen dhe fragmentimin e shoqërisë.

Sipas Hotit, ish- Komisioni nuk ka qenë serioz në rëndësinë e temës për vendin dhe të ardhmen.

“Deklarimet e qëndrimet e zyrtarëve qeverie pavarësisht nga cili subjekt janë nuk dua t’i komentoj shumë. Ajo, tashmë është një qëndrim i njohur i z.Hoxhaj dhe aspak i dinjitetshëm karshi neve e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, për integritetin e vendit, të ardhmen dhe fragmentimin e shoqërisë i cili ka ndodhur si rezultat i një pune jo të mirë të ish- komisionit shtetëror, nuk është serioz dhe absolutisht nuk është në nivelin e rëndësisë së temës për vendin dhe të ardhmen”, ka theksuar Hoti për “Bota sot”.

Hoti ka shtuar se ata nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket marrëveshjes së demarkacionit.

Ndërkaq, një qëndrim të pandryshuar e kanë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Image
Sami Kurteshi

Kurteshi: Versioni “Meha”, nuk votohet si i tillë

Vetëvendosja nuk ka dashur ta komentojë deklaratën e Hoxhajt i cili demarkacionin e quan si çështje të shpikur, gjersa shprehen për “Bota sot” se versioni “Meha” nuk do të votohet.

“Versioni i parë i demarkacionit, i ashtuquajtur versioni “Meha”, nuk votohet si i tillë. Raportin e Komisionit të ri Shtetëror Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e analizuar dhe shqyrtuar për të dhënë vendimin përfundimtar”, ka thënë deputeti i VV-së, Sami Kurteshi.

Kurse, analistët politikë thonë se demarkacioni është koncept dhe jo çështje e shpikur, gjersa shtojnë se ai duhet të kryhet sa më shpejt.

Analisti politik, Nexhat Haziri, ka pohuar për “Bota sot” se pavarësisht epilogut të demarkacionit, qytetarët përmes tij do ta kuptojnë se kush janë njerëzit që qeverisin me ta.

Sipas Hazirit, nuk do të arrihet një konsensus qeverisës, por deputetët e Kosovës do ta votojnë atë.

Image
Nexhat Haziri

“Kujtoj se më shumë interes do të jetë se çfarë epilogu do të marrë çështja e demarkacionit në seancën e Kuvendit ku pritet të procedohet, pasi shumëçka do të shpërfaqet në opinionin e Kosovës dhe qytetarët do të kenë një tablo reale se kush janë njerëzit që qeverisin me ta, se sa deklarata e cilit do zyrtar qoftë partiak apo shtetëror. Por, për shkak të korrektësisë, duke iu kthyer deklaratës së z/kryeministrit Enver Hoxhaj lidhur me konsenzuesin politik sa i përket kësaj çështje, mendoj se nuk të arrihet një konsensues i tillë, pasi për vite të tëra kjo çështje i ka polarizuar partitë politike, megjithatë pres që çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, miratimi i demarkacionit duhet ta bëjë Haradinajn t’i kërkojë falje qytetarëve dhe të japin dorëheqje, duke i lëshuar rrugë zgjedhjeve të reja.

“Dhe, miratimi i demarkacionit  nënkupton se qeveria dhe vetë kryeministri Haradinaj, jo vetëm që duhet të kërkojnë falje për gjithë këtë dëm që ia kanë shkaktuar Kosovës, por edhe të japin dorëheqje për të hapur rrugë zgjedhjeve të reja të cilat do të nxirrnin një qeveri kredibile për t’u marrë me sfidat që e presin Kosovën. Në këtë aspekt, nuk shoh ndonjë rol të PDK-së, për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, pasi edhe vetë PDK-ja ishte pjesë e gjithë këtij skenari për ta paralizuar punën e institucioneve të shtetit gjatë mandatit qeveritar të ish kryeministrit Mustafa dhe si e tillë PDK-ja, po ashtu ka përgjegjësi të kërkojë falje për lojërat e ndyta politike që po ashtu i shkaktuan dëm të madh Kosovës në të gjitha proceset e shtetndertimit dhe prespektivës euro-atlantike të saj”, ka shtuar Haziri.

Image
Ilir Dugolli

Dugolli: Përçarje në relacionin PDK - AAK

Kurse, analisti politike Ilir Dugolli, ka kërkuar përfundimin e demarkacionit dhe kështu duhet të mbetet i respektuar nga te dyja palët.

Sipas Dugollit, demarkacioni nuk është çështje e shpikur dhe cilësimi i tillë duhet të jetë shpikje iluzive.

Ai nuk ka përjashtuar rënien e qeverisë si pasojë e demarkacionit.

“Demarkacioni si koncept, nuk është çështje e shpikur nga askush. Ai është duhet të jetë i kryer dhe duhet mbetet i respektuar dyanësisht. Andaj mendoj se të cilësohet "i shpikur" nuk është e drejtë, cilësimi i tillë duhet të jetë një shpikje iluzive. Zakonisht partitë qeveritare, kur nuk munden t’i japin  zgjidhje problemeve dhe sidomos çështjeve të mëdha nacionale, atëherë një rënie e qeverisë mund të pritet, e sidomos nga PDK, që ka më shumë arsye për këtë gjë, për shkak se vetëmarrëveshtja për kufirin me Malin e Zi, është nënshkruar nga ta”, ka thënë Dugolli për “Bota sot”.

Sipas tij, përçarje në mes të koalicionit PANA nuk vërehen, mirëpo realicioni PDK- AAK ka përçarje.

“Përçarjet brenda koalicionit nuk vërehen, në rast se merret në kontekstin PAN+ARK,  këtë përçarje do ta vërenim më shumë në relacionin PDK - AAK, që në fakt janë substrat i PAN+A. Fillimisht nuk dihet cilin version do ta mbeshtes i pari i qeverisë. Dilema është çka do të del para deputetëve?! Pastaj varesisht nga kjo, do te qartesohet pozicioni i qeverisjes Haradinaj”,  ka theksuar Dugolli.

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është nënshkruar që nga viti 2015 dhe për ratifikimin e kësaj marrëveshje duhet të jenë dy të tretat e votave të deputetëve, apo 80 vota për nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat