E papranueshme sjellja ndaj Kurtit e Kadaj-Bujupit: Prangat në duart e tyre nuk duhej të ishin - Bota Sot
E papranueshme sjellja ndaj Kurtit e Kadaj-Bujupit: Prangat në duart e tyre nuk duhej të ishin

Politika

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

E papranueshme sjellja ndaj Kurtit e Kadaj-Bujupit: Prangat në duart e tyre nuk duhej të ishin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 dhjetor 2017 Në ora: 15:42
Seanca ndaj deputeteve te Levizjes Vetevendosje

Trupi gjykues ka mbajtur sot seancën gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës, me ç’rast është vendosur që Kurti dhe Kadaj- Bujupi të qëndrojnë në paraburgim.

Mënyra se si ka hyrë në gjykatë deputeti Albin Kurti, ka sjellë reagimin e deputetit të AKR-së, Labinot Tahiri, i cili ka ndjerë keqardhje për të.

Tahiri përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se e irriton mënyra se si ai është i prangosur para gjykatës dhe policisë.

“Në një kohë kur gjërat duken shumë të trubëllta në vendin tonë, lidhur me këto ngjarje të Demarkacionit e shumë të tjera, kjo foto që po e shoh sot, më irritoi tej mase, derisa e shoh deputetin e Kuvendit të Kosovës ‘Albin Kurtin’ , i prangosur para gjykatës sonë, apo para policisë sonë”, ka shkruar Tahiri.

Edhe analistët politikë janë kundër kësaj mënyre që trajtohen deputetët e Vetëvendosjes.

Analisti politik, Skender Zogaj, ka thënë për “Bota sot” se mënyra se si është aplikuar dhuna në kuvend është e papranueshme, mirëpo ata nuk duhet të prangosen në gjykatë.

Image
Skender Zogaj

Zogaj ka pohuar se ata janë deputetët dhe përfaqësojnë autoritetin e sovranit, prandaj është e papranueshme prangosja.

“Çdo lloj i demonstrimit të dhunës është i keq dhe duhet të jetë i papranueshëm për një shoqëri që pretendon të jetë demokratike. Në këtë plan, manifestimi i dhunës që dikur e grupi i aktivistëve të Vetëvendosjes aplikonte dhunë brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, ishte iritues dhe ishte e papranueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se, tash, në të njëjtën mënyrë të veprohet kundër aktivistëve të Vetëvendosjes, që të prangosur u panë në sollën e gjykatës. Keq, dhe shumë e papranueshme, sepse bëhej fjalë për deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët në çdo vend dhe në çdo rrethanë përfaqësojnë autoritetin e sovranit dhe, asnjëherë nuk guxon të nëpërkëmbet, pa një autorizim të veçantë të institucioneve pas dëshmive konkrete të rrezikshmërisë së deputetit në çastin dhe në rrethanat e caktuara!” ka theksuar Zogaj.

Sipas tij, salla e gjykatës ka siguri dhe prandaj është e pamundur shfaqja e rrezikshmërisë së aktivistëve, prandaj prangat në duart e tyre nuk do të duhej të ishin.

“Në sallën e gjykatës me një strukturë të sigurisë së lartë, nuk ka asnjë dilemë ishte e pamundur të shfaqej rrezikshmëria e aktivistëve të Vetëvendosjes, prandaj prangat në duart e Albin Kurtit dhe zonjës Kadaj Bujupi, nuk duhej të ishin. Ngjashëm me këtë, do të dëshiroja të mendoj se, vazhdimi i mbajtjes së tyre në paraburgim është i bazuar në fakte konkrete dhe jo i ndikuar nga kushdo qoftë, sepse, nga praktika e deritashme e drejtësisë kosovare kemi shumë dilema dhe, subjektiviteti nga kushdo qoftë, në rastin konkret nuk do të duhej të ndodhte” është shprehur Zogaj.

Seanca e deputetëve të Vetëvendosjes ka përfunduar, ndërsa tjetra me radhë caktuar të mbahet me 20 dhjetor 2017, në orën 9:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test