“Jam habit e kam nënshkruar”, ky është qëllimi i Haradinajt për Demarkacionin

Politika

“Jam habit e kam nënshkruar”, ky është qëllimi i Haradinajt për Demarkacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 dhjetor 2017 Në ora: 15:50
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj, në seancën e sotme ku po diskutohej për planin qeverisës 2017-2021”, ka pranuar akuza nga Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Haradinaj ka pasur një debat të gjatë me deputetin e LDK-së, Kujtim Shala rreth demarkacionit dhe miratimin në qeveri që kjo çështje të shkojë në kuvend.

Shala ka insistuar tërë kohën se Haradinaj ka qenë ai që ka kundërshtuar më së shumti këtë çështje dhe ditë më parë votoi pro që ajo të shkonte në kuvend për t’u dërguar në votim.

Por, kryeministri ka thënë se marrëveshjen e ka nënshkruar nga habia.

“Jam habit e kam nënshkruar”, iu ka drejtuar Haradinaj, Shalës.

“Prapë se prapë këtu kemi për të votuar. Kam dëgjuar qëndrime të subjekteve politike për këtë temë, do ta votojmë, do ta votojmë të shohim si do të bëhet kur të vjen në kuvend”, ka thënë ai.

Shala iu ka drejtuar Haradinajt duke i thënë se ka një dokument dhe jo dy për ratifikimin e asaj marrëveshjeje.

E në lidhje me këtë deklaratë të Haradinajt, analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se kryeministri nuk guxon të habitet e të nënshkruajë askush, aq më pak ai.

Image
Faik Krasniqi

Por, sipas tij, qëllimi i Haradinajt, është që deputetët të rrëzojnë demarkacionin me votë dhe të fillojë gjithçka nga pika zero.

“Nuk e di se çfarë ka nënkuptuar me këtë deklaratë kryeministri Haradinaj “Jam habit e kam nënshkruar”. Për një çështje kaq të ndjeshme, nuk guxon askush të habitet e të nënshkruaj, e veçanërisht një kryeministër. Sidoqoftë, arsyetimi i kryeministrit Haradinaj është që procedimi i versionit të vjetër në Kuvend, në mënyrë që deputetët ta rrëzojnë me votë, dhe të fillojë gjithçka nga fillimi, do të thotë nga pika zero”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tutje ka theksuar se Haradinaj duhet të pyetet nga deputetët në Kuvend se si do ta zgjidhë çështjen e Demarkacionit pas rrëzimit të versionit të vjetër dhe në anën tjetër Mal i Zi nuk pranon marrëveshje të re.

“Pozicionimi i Malit të Zi se kjo çështje ka përfunduar, është mjaft shqetësuese se si do ta zgjidh kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës çështjen e Demarkacionit. Pyetja që duhet t'i bëhet kryeministrit Haradinaj nga ana e deputetëve është kjo: Si do ta zgjidhësh çështjen e Demarkacionit pas rrëzimit të versionit të vjetër, dhe në anën tjetër Mal i Zi nuk pranon marrëveshje të re”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, Kosova nuk do të fitojë liberalizimin e vizave, edhe nëse ratifikohet Demarkacioni, për shkak se kushte mbesin edhe korrupsioni dhe krimi.

E duke folur për këtë, Krasniqi ka vlerësuar se nuk mund të luftohet krimi në vend, derisa politikanët të dërgojnë vetveten në burg.

“Edhe pse Kosova nuk do ta fitojë liberalizimin e vizave edhe nëse e ratifikojnë Demarkacionin, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar është kushti kryesor, dhe luftimi i saj nuk mund të bëhet me këtë klasë politike të tej kriminalizuar dhe të korruptuar, pasi që i bie që këta politikanë ta dërgojnë vetveten në burg, është e padrejtë nga ana e politikanëve tanë që mbi dy milionë qytetarë t'i lënë të izoluar si në kafaz, kurse në anën tjetër ata përveç që kanë pasaporta diplomatike për vete dhe familjet e tyre, posedojnë edhe pasaporta të Shqipërisë dhe shteteve të tjera”, ka përfunduar për “Bota sot”, Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat