Bytyçi tregon pse duhet të votohet demarkacioni dhe rreziku për Kosovën nga mosratifikimi i tij - Bota Sot
Bytyçi tregon pse duhet të votohet demarkacioni dhe rreziku për Kosovën nga mosratifikimi i tij

Politika

E hënë, 11 dhjetor 2017

Bytyçi tregon pse duhet të votohet demarkacioni dhe rreziku për Kosovën nga mosratifikimi i tij

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 dhjetor 2017 Në ora: 22:23
Enver Bytyçi

E nënshkruar në gusht të vitit 2015, çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk është zgjidhur. E duke qenë se është një nga kushtet kryesore për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, thirrjet për ta ratifikuar atë marrëveshje në Kuvend.

Së fundmi thirrje për votim të demarkacionit bëri edhe ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, i cili tha se nëse nuk bëhet ratifikimi i marrëveshjes, qytetarët e Kosovës duhet të bëhen gati për pasojat, që të mos kenë liberalizim vizash dhe proceset tjerat evropiane.

Për këtë, profesori dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se një kërkesë të tillë për liberalizim të vizave nuk e ka pasur asnjë vend dhe është imponuese, por që thotë se Kosova duhet të vendos se çka do të bëjë me këtë çështje.

“Kërkesa e Brukselit për ta kushtëzuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me ratifikimin e Marrëveshjes për vendosjen e kufirit me Malin e Zi po dëshmohet si kërkesë e dhunshme, imponuese, madje arrogante, sepse të tilla kushtëzime nuk ka pasur me asnjë vend tjetër të rajonit e më gjerë. E kam thënë edhe herë tjera, kjo vjen për shkak se pesë vende të BE-së nga 28 gjithsej, nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës e për pasojë bëjnë presion kundër integrimeve evropiane të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse ka ndodhur që qytetarët e Kosovës të kushtëzohen me çështje politike, për një vendim, i cili maturohet nga plotësimi i kushteve teknike. Por nuk është koha për analiza. Jemi para një situate të tillë, kur Kosova duhet të vendosë: Ose të pranojë marrëveshjen me Malin e  Zi dhe ta ratifikojë atë, ose të mos e pranojë atë dhe të vuajë pasojën, mosliberalizimin e vizave”, është shprehur ai.

Bytyçi thotë se për këtë çështje duhet të shpallet referendum dhe të vendosin qytetarët.

“Unë do të këshilloja që qeveria Haradinaj të shpallë brenda janarit një referendum dhe derisa konflikti politik është i thellë, për këtë çështje të vendosin qytetarët. Tashmë verifikimet praktike janë shënuar. Komisioni i dytë ka dhënë verdiktin e tij, jo shumë ndryshe nga ai i pari. Shqiptarët do të duhet të vendosin me vullnet të lirë çfarë pranojnë: Mbrojtjen me çdo çmim të disa qindra hektarë tokë, apo lëvizjen e lirë në vendet Schengen të Evropës?! Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të kapërcyer ndonjë krizë të mundshme politike në procesin e ratifikimit të marrëveshjes në parlament”, vlerëson ai.

Sipas tij, Kosova nuk është në pozitë që të kundërshtojë një kërkesë nga Eliot Engel, andaj duhet vendim i arsyeshëm që sjell liberalizim.

“Unë besoj se Kosova nuk është në pozitë të favorshme për të kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Derisa miku i dëshmuar i shqiptarëve, ligjvënësi amerikan Eliot Engel, rekomandon një zgjidhje fleksibile, kjo duhet parë edhe si paralajmërim se SHBA-të nuk janë të zonjat që të hapin aq lehtësisht rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës.  Kjo është krejt e kuptueshme në kushtet kur konflikti euro-amerikan është thelluar me zgjedhjen e Trump si president. Prandaj do të duhet një vendim i arsyeshëm, një vendim, i cili çon në liberalizimin e vizave, vendim që duhet të merret në parlament, ose ndryshe përmes një referendumi popullor”, shprehet më tej profesori.

Ai tregon se çka mund të ndodh nëse Kosova refuzon liberalizimin e vizave.

“Nëse Kosova refuzon liberalizimin e vizave do ta thellojë konfliktin ashtu të ashpër me Bashkimin Evropian. Por Prishtina ka nevojë për Brukselin, jo thjesht për t’u krijuar qytetarëve të Kosovës lehtësi në lëvizje, biznes dhe në jetën e përditshme, por edhe për perspektivën e integrimeve të mëtejshme. Nëse do të zhvillohet një politikë e zgjuar dhe një diplomaci aktive, brenda disa muajve Kosova mund të gjendet në një pozitë të favorshme në raport me Serbinë.  Por nuk shoh se ka qartësi në diplomacinë e Prishtinës e as asaj të Tiranës. Madje ka raste që luhet me dilentantizëm, me deklarata të pamenduara, me qëndrime të parekorduara midis personaliteteve të tyre”, ka vazhduar Bytyçi.

Profesori thotë se marrëveshja për demarkacionin duhet të ratifikohet sa më shpejt, derisa përmend edhe demarkimin e kufirit me Serbinë, kur do të duhet të bëhet.

“Përfundimisht unë jam për ratifikimin e marrëveshjes, E mira do të ishte me konsensusin e të gjitha forcave politike, ndryshe përmes një referendumi. Sa më shpejt, aq më mirë. Por do të këshilloja edhe një analizë të thellë të kësaj gjendjeje që u krijua, sepse situata të tilla, madje më të rënda, mund të krijohen nesër, kur të vijë puna për hapjen e negociatave, sa i përket marrëveshjes së demarkacionit me Serbinë. Ajo mund të jetë një goditje fatale për Kosovën dhe fatet e saj, për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Imagjinoni: Kaq shumë dhimbje krijohen kur është fjala për një marrëveshje të tillë me një vend, të cilin e konsideroj si vend mik të Kosovës e të shqiptarëve. Çfarë mund të ndodhë me një marrëveshje të tillë me një vend “armiqësor”, ose me një vend me një diplomaci dhe politikë aktive dhe me mbështetje në Evropë, si Serbia?! Duhen nxjerrë mësime nga kjo që ka ndodh e po ndodh dhe e përsëris: Duhen ekspertiza, jo inate, idiotësi dhe diletantizëm”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, ende nuk është caktuar seanca kur do të jetë në Kuvend marrëveshja për Demarkacionin./BS/

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test