Përfshirja e Rusisë në dialog, rrezik për një luftë të re në Ballkan

Politika

Përfshirja e Rusisë në dialog, rrezik për një luftë të re në Ballkan

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 8 dhjetor 2017 Në ora: 08:38

Institucionet e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet të pajtohen që në tryezën e bisedimeve të ardhshme në Bruksel në mes së Kosovës dhe Serbisë, të jetë i ulur edhe ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Ndërmjetësimin e Rusisë në bisedimet e Brukselit po e kërkojnë njerëz në Beograd, pas që kryeministri Haradinaj zyrtarisht ka kërkuar ndërmjetësimin e SHBA-ve në këtë proces.

Institucioni i Presidencës dhe Qeveria e Kosovës nuk i janë përgjigjur gazetës “Bota sot”, kur janë pyetur se a do pranojnë ato që në bisedimet e ardhshme të Brukselit të jenë prezent edhe zyrtarë rus.

Por, deputet të kuvendit dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se institucionet duhet të jenë kategorik kundër këtij ndërmjetësimi.

Image
Avdullah Hoti

“Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të përfshihet Rusia në këtë proces. Pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur. Ne duhet të bisedojmë me Serbinë si dy vende fqinje për të zgjidhur çështjen ndërshtetërore, si dy vende që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian”, thotë për gazetën “Bota sot”, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Kurse, deputeti i PDK-së, Nait Hasani thotë se ndërhyrja ruse në këtë proces rrezikon një konflikt të ri në Ballkan.

Image
Nait Hasani

“Më së miri do të ishte që Kosova të tërhiqet nga këto bisedime. Nuk ka asnjë arsye që Kosova të hyjë në një proces të ri të bisedimeve. Kurse, ndërhyrja e Rusisë në bisedimet e Brukselit, unë e shoh si një konflikt i ri në Ballkan”, thotë Hasani për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të NISMA-s për Kosovën, Bilall Sherifi nuk ka dashur të komentoj fare kërkesën serb për ndërmjetësimin rus.

Por, ai ka thënë se vendit i nevojitet një konsensus nacional, para të fillojë procesi i ri i bisedimeve.

“Kërkesat e Serbisë janë kërkesa të saj dhe neve fare nuk duhet të na bëj përshtypje. Ajo që Kosova duhet të ketë parasysh është se para të vazhdojë të fillojë dialogun e  ardhshëm me Serbinë, është që të arrihet një konsensus i brendshëm politik, nacional e shtetëror, dhe tek pasi Kosova të arrijë këtë konsensus të brendshëm të ndërtohet një platformë se cilat do të ishin temat që mund të diskutohen me Serbinë. Tek pastaj të fillojë raundi i ri i bisedimeve me Serbinë”, thotë Sherifi për “Bota sot”.

Image
Bilall Sherifi

Ndërmjetësimi i Rusisë rrezikon shtetndërtimin e Kosovës

Nga ana tjetër, profesori universitar Fadil Maloku thotë se ndërmjetësimi eventual i Federatës Ruse në bisedime, rrezikon shtetndërtimin e Kosovës.

“Infiltrimi i Rusisë, edhe si aktere, por edhe si avokate e Serbisë, jam i sigurt që do e dëmtonte dukshëm "kompromisin"(ta quaj: kushtimisht historik), midis Serbisë dhe Kosovës. E them kështu edhe për shkak se Ballkani Perëndimor, me faktin dhe aktin e rënies se Murit te Berlinit, e sidomos pas pesë luftërave të ndodhura, u shndërrua në sferën e interesit perëndimor”, thotë Maloku për “Bota sot”.

“Një arsye tjetër, që kujtoje se Serbia do e fuqizoj si “argument” të fuqishëm, është ai i pandanit se , nëse: shqiptaret insistojnë në prezencën amerikane, atëherë edhe ata duhet të kenë të drejte për aleatin e tyre historik Rusinë”.

Image
Fadil Maloku

Sipas Malokut, ndërmjetësimi rus e forcon pozitën e Serbisë në tryezën e bisedimeve.

“Poashtu, futja e Rusisë në ketë dialog, padyshim që do ta rikthente në një farë mënyrë prezencën e Rusisë ne Ballkan, jo nën petkun e “aleatit” serb, por atë të “lojtarit” global. Arsyeja kryesore, mendojë unë e insistimit të flirtit me Rusinë, kundruall BE-në, është që BE-ja të mbetet arbitri kryesor i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, e me këtë edhe përfundimit të procesit maratonik të pajtimit ndëretnik”, shtoi Maloku.

Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani thotë synimi kryesor i Rusisë është që të destabilizohet Ballkani.

Image
Adlum Ramadani

“Përfshirja e diplomatit Rus Lavrov në procesin negociues do të rrezikonte jo vetëm negociatat por edhe të ardhmen e procesit të shtet-ndërtimit të Kosovës, sepse synimi i Rusisë në Ballkan është destabilizimi dhe devijimi i proceseve integruese dhe jo përmirësimi i raporteve ndër-shtetërore, aq më pak me Kosovën, të cilën vazhdon të konsiderojë krahinë serbe”, thotë Ramadani për “Bota sot”.

Rusisë i mungon besueshmëria për të qenë ndërmjetësuese e dialogut

Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Rusia nuk i plotëson kushtet për të qenë ndërmjetësues në procesin e bisedimeve, pasi që sipas tij, pala e Kosovës nuk ka besim tek Moska.

“Kërkesa e palës Serbe për përfshirjen e Rusisë në negociata vjen padyshim pas kërkesës së Prishtinës zyrtare për përfshirjen e aleatit më të madh të popullit, SHBA-së. Kjo nuk është as për t’u habitur. Duhet kemi parasysh që mediatori i negociatave, duhet të gëzojë besueshmërinë e plotë të të dyja palëve dhe si i tillë të ketë mbështetje jashtë faktorëve të drejtpërdrejtë negociatorë për garantimin e zbatimit të marrëveshjes që do të arrihet nga procesi i negociatave, siç ka qenë deri më tash Federica Mogherini, si përfaqësuese e lartë e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian”, thotë Ramadani.

Image
Jeta Krasniqi

Kosova të përfaqësohet si shtet sovran në bisedime

Nga ana tjetër, Jeta Krasniqi nga Instituti KDI menaxhere e projektit të bisedimeve Kosovë-Serbi thotë se Kosova duhet të marrë pjesë në këtë proces të bisedimeve si shtet i pavarur.

“Kjo kërkesë nga ana e Serbisë ishte më se e pritshme pas kërkesës së palës kosovare që në këto bisedime të ketë përfshirje direkte të SHBA-ve. E rëndësishme është që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran në këto bisedime, dhe mos të lejoj ase si që këto bisedime të kthehen në bisedime rreth statutit të saj”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

“Pra, Kosova në bisedimet e dialogut duhet të shkoj si shtet i pavarur i cili synon të zgjidh çështjen e mbetura me Serbinë, duke përshpejtuar rrugëtimin e saj drejtë BE-së”.

Krasniqi thotë se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojë që në bisedime të pranojë të bisedojë për statusin e saj.

“Kosova tashmë e ka përmbyllur procesin e statusit të saj duke shpallë pavarësinë e saj në vitin 2008. Asnjë proces nuk duhet të prek këtë çështje tashmë të mbyllur, prandaj në mënyrë kategorike këto diskutime nuk duhet të jenë diskutime për statusin e Kosovës, çështje e cila është përmbyllur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008”, shtoi Krasniqi për “Bota sot”.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani thotë se Kosova duhet të marrë pjesë në bisedime si shtet i pavarur.

“Marrë parasysh nivelin e negociatave dhe pozicionimin e palëve negociues konsideroj se Kosova duhet të dëshmojë gatishmëri që të marrë në dorë vetvetiu timonin e procesit negociues dhe të vazhdojë rrugën që e ka nisur, por duke insistuar që bisedimet të mbesin siç kanë qenë, pra teknike dhe jo politike. Në këtë rast, riformatimi duhet të jetë i domosdoshëm”, tha Ramadani.

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat