“Frika nga Gjykata Speciale, Thaçi kërkon largimin e ndërkombëtarëve nga Kosova”

Politika

“Frika nga Gjykata Speciale, Thaçi kërkon largimin e ndërkombëtarëve nga Kosova”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 dhjetor 2017 Në ora: 12:17
“Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare. E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE, dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën në fjalimin e tij para Forcës së Sigurisë së Kosovës është shprehur  se koha e misioneve të huaja në Kosovë ka mbaruar, kështu duke kërkuar largimin e misioneve të huaja që shërbejnë në Kosovë.

“Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare. E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE, dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj. Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe vetëbesim. Mungesa e dijës dhe e guximit për të kryer detyrën me nder, nuk mund të justifikohet. Prandaj mesazhi im i qartë për të gjithë zyrtarët që e duan punën e tyre dhe shtetin tonë është: Zbatojeni ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi. Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX. Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e qytetërimit të civilizuar evropian dhe jemi të përkushtuar t’i mbrojmë vlerat perëndimore, që i kemi trashëguar nga të parët tanë”, ka thënë Thaçi.

Por politikanë, analistë dhe ekspert të çështjeve të sigurisë theksojnë se këto deklarata janë shumë të gabuara nga presidenti Thaçi, duke shtuar se ai po frikësohet nga Gjykata Speciale.

Image
Rexhep Selimi

Selimi: Thaçi në gjendje të rëndë shpirtërore

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, duke folur për këto çështje tha se Presidenti Thaçi është në gjendje të rëndë shpirtërore dhe se ato deklarata nuk duhej thënë para FSK-së.

“Thaçi po duket që po kalon një krizë jo vetëm politike. Gjendja e tij e rëndë edhe shpirtërore e bën atë të bëjë deklarata te tilla pa lidhje. Së paku në prani të ushtarëve të FSK-së ai nuk do te duhej të mos e vlerësonte prezencën ushtarake të NATO-së në Kosovë”- tha Selimi për Bota Sot.

Image
Hajrullah Tërnava

Largimi i misioneve të huaja, rrezik për Kosovën

Kurse eskperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, është shprehur për “Bota sot”,  se deklaratat e Thaçit nuk janë të rëndësishme , ku sipas tij nëse largohen misionet e huaja ka rrezik të shpërbëhet Kosova.

“Tani çka na tha Thaçi deri me tani a ka dale e saktë diçka? Tani bash po bindem se edhe gjatë të huajt kane me qëndru në Kosovë. Çka do të ndodhë këtyre ditëve kur të fillon punën Gjygji Special?  Po u larguan të huajt ka rrezik të shpërbëhet Kosova! Edhe tash e sa vjet qe po llogarisim se jemi te pavarur dhe si shtet funksional me te gjitha atributet qe i takojnë një shtetit, ne realitet sa larg jemi te nje shteti funkcional ligjorë”, u shpreh Tërnava për “Bota sot”.

Ai gjithashtu thotë se Thaçi duhet t’i ndërrojë këto deklarata dhe të kërkojë që misionet e huaja të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, së paku deri në anëtarësimin në OKB.

“Marr ne tërësi dhe shëndetshëm edhe me dashtë te huajt me u largu nga Kosova, Thaçi duhet te jete kembëngulës që edhe disa vite e sidomos deri të antarësohemi në OKB, të huajt të mbesin në Kosovë, për ndihmën që i duhet Kosovës”, shtoi më tutje Tërnava.

Image
Faton Mehmeti

Kosova ka nevojë për misionet e huaja

Në anën tjetër analisti politik, Faton Mehmeti, duke folur për këtë çështje ka thënë se Thaçi kërkon që të largohen të huajt sepse ata po ia kthejnë shpinën në prag të Gjykatës Speciale.

“Deklarata e Thaçit ka të bëjë me ngushtimin e lakut. Prandaj po kërkon nga ndërkombëtarët të largohen, pasi po ia kthejnë shpinën në prag të ngritjes së akuzave nga Gjykata Speciale”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Mes tej, Mehmeti shtoi se deklarata e Thaçit është personale, dhe nuk ka të bëj aspak me vizionin e Kosovës për të ardhmen dhe vizionin e saj.

Image
Nexhat Haziri

Kurse analisti tjetër, Nexhat Haziri, ka thënë se është vetë Presidenti Thaçi që për shkak tij dhe qeverisjes së tij, Kosova ka nevojë për misionet e huaja.

“Është vetë z. Thaçi që me mënyrën e qeverisjes së tij, qoftë si kryeministër në dy mandate, por edhe tani në postin e presidentit të vendit, ka bërë që Kosova të ketë nevojë për praninë e misioneve të huaja në Kosovë, flasim për misionet monitoruese por edhe ata që po mundohen që të japin kontributin e tyre në forcimin e rendit dhe ligjit,demokratizimin e vendit dhe fusha të tjera”, theksoi Haziri.

Ai mes tjerash thotë se deklaratat e presidentit Thaçi se gjoja misionet e huaja janë pengesë për zhvillimin e vendit, janë vetëm deklarata për ti hedhur hi syve të opinionit publike dhe për tu tentuar që të shfajësohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat