Vulgariteti i Kadri Veselit

Politika

Vulgariteti i Kadri Veselit

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 8 dhjetor 2017 Në ora: 13:39
Kadri Veseli

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po i bënë 3 vite që është në krye të institucionit më të lartë legjislativ në vend. Në këtë periudhë 3 vjeçare, Kuvendi i Kosovës, shpesh herë ka qenë një arenë e akuzave dhe kundër akuzave të cilat kanë ndodhur në mes të Veselit dhe deputetëve të opozitës. 

Debatet e ashpërsuara të cilat kanë kaluar edhe kufijtë e demokracisë, kanë qenë të pranishme në shumë prej seancave plenare të cilat janë mbajtur në këto 3 vitet e fundit. 

Ajo se çka e dallon këtë kryetar prej të tjerëve që ishin para tij, është se në shumicën e këtyre debateve, si akter kryesor ka qenë vetë Veseli. Ai është futur thellë në replika, nga të cilat ai është distancuar pa u përgjigjur në pyetjet të cilat iu kanë bërë. 

Për asnjë moment kryetari i Parlamentit të Kosovës, nuk ka qenë në gjendje që t’i përgjigjet shumë pyetjeve të cilat janë drejtuar në lidhje me shërbimin informativ të cilin ai e ka udhëhequr. Prej pyetjeve më të rëndësishmet që qëndrojnë ende si: Cili ka qenë misioni i kësaj organizate? Nga kush janë financuar? Kujt i kanë raportuar?

Për këto të panjohura, qytetarët e Kosovës do të jenë në pritje sa të ekzistojë Kadri Veseli në skenën politike, shkruan Mediat Shqiptare.

Kadri Veseli, një politikan i cili nga momenti që është futur në institucionet e Kosovës, është munduar vazhdimisht që ta përmirësojë imazhin e tij politik. Tendenca për t’u dukur i qetë dhe i hapur me të gjithë, ka dështuar shpesh herë. Sidomos në momentet kur ai është provokuar për të kaluarën e tij nga radhët e deputetëve të opozitës.

Veseli ka ditur të jetë shumë i ashpër dhe kërcënues në shumë raste kur të tjerët e kanë sulmuar sa i përket dyshimeve të cilat ekzistojnë në lidhje me krimet e ndryshme që kanë ndodhur pas luftës.

Figura e tij prej një personi të urtë në syrin e publikut, ka filluar të merr kahje tjetër në kohën kur ai akuzave të deputetes, Albulena Haxhiu, i përgjigjet me fjalët “Ma honksh”. Duke e kuptuar që kishte filluar ta shfaqte fytyrën e tij të vërtetë, Kadri Veseli kërkon falje për fjalorin e drejtuar  ndaj deputetes Haxhiu.

Tonin e tij të ashpërsuar tashmë ai e vazhdon me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismailin të cilin ai e krahason me një figurë të rëndësishme të historisë shqiptare.  Ai i drejtohet Ismailit me fjalët “ ça p’i jep zor Skënderbeg”, sigurisht Veseli e përdorë injorancën e tij duke i’a përsëritur të njëjtën fjalë disa herë.

Në fillim të mandatit të dytë si kryetar i Parlamentit, ai mundohet që të i’a cenojë të drejtën e shprehjes deputetit të NISMA-s, Milazim Zekës, duke i thënë se “Milaim pse nuk e ke vënë znaqkën, ti nuk ke drejtë me fol asnjë sen”.

Duke keqpërdorur foltoren e Kuvendit të Kosovës, Veseli shpesh herë ka shitur edhe patriotizëm, si në rastin e replikave me deputetët e opozitës duke u shprehur se: “Edhe unë një ditë kom luftua, me ardh puna si disa, që unë deri sa jam rrit, disa nuk e kanë njoftë edhe se kanë dashtë Republikën e Kosovës, kanë fut familjarë tonë në burg. Me ardh puna me ma qit flamurin mu", shkruan Mediat Shqiptare.

Në fillim të mandatit të tij të dytë si kryetar i legjislativit, ai filloi një luftë verbale me dy deputet e rijnë të LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe Driton Selmanajn. Përballja e tij me këto dy figura të reja të LDK-së, u përcjell me akuza dhe tone të ashpërsuara. 

Në debatin me Driton Selmanajn, në njërën prej replikave mes këtyre, Kadri Veseli i drejtohet deputetit me fjalët, “Pe përmendni shumë SHIK-un, ka me ju ngi SHIK këtë mandat. Veç atëherë mos ban ciu-ciu-ciu me u tërhekë”. Sigurisht që fjalët e Veselit krijojnë hapësirë të madhe për keqinterpretim, për shkak të mënyrës se si ai është shprehur.

Në debatin që u zhvillua në Kuvend, ku u trajtuan listat e fryera të veteranëve të luftës, Veseli e pati një replikë të zëshme, tashmë me njërin prej deputetëve më të votuar të LDK-së, Lumir Abdixhikun. 

Akuzave të Lumir Abdixhikut, se është vetë Kadri Veseli ai i cili ka ndikuar në fryerjen e listave të veteranëve, ai i përgjigjet se Abdixhiku është ai i cili e urren UÇK-në. “Ti e ke urrejtë UÇK-në o Lumir, ti e urren edhe sot. Ti ma shumë e donë...” i’u drejtohet nga foltorja deputetit Abdixhiku. 

Për shkak se Veseli e la fjalinë në gjysmë, aludohet se ai e kishte fjalën se Abdixhiku mund ta dojë ndonjë grupacion tjetër etnik që ka të bëjë me forcat e sigurisë. Kësaj mund edhe t’i jepet kuptim, kur në replikën tjetër, Kadri Veseli i thotë Lumir Abdixhikut se: “Si po të ecin pazaret ka Presheva, hala mendjen e ki andej (Serbi), se me e pas mendjen si  vëllezërit tonë nga Presheva, kishe mëndu këndej”. 

Kështu e mbyllë edhe një replikë, kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke aluduar se askush nuk mundet që t’i tregojë atij për patriotizëm. Këtu qëndron edhe problemi që e ka Kadri Veseli sepse ai i atribuon të gjitha meritat që kanë të bëjnë me luftën. Ai e shehë veten si çlirimtar të vendit. Në anën tjetër çdo kush që e akuzon, ai e etiketon si tradhtar të vendit, duke u munduar që të bëjë dallime gjeografike. 

Kryetari i Kuvendit siç po shihet po e harron se patriotizmi nuk është produkt të cilin mund ta mbash për veti, ajo është një hije e cila të përfaqëson gjatë tërë jetës. Në rastin e Kadri Veselit, patriotizmi i tij është ndalur në vitin 1999 sepse për 18 vite, si edhe shumë pjesëtarë të tjerë të luftës, kanë keqpërdorur gjithçka në emër të luftës çlirimtare të Kosovës. 

Replika e tij e fundit është me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millakun të cilës i drejtohet me fjalët: “Mos e lësho fjalën, si pe di ti...”. Nëse nisemi nga shprehjet popullore, aludohet shumë lehtë se ai e ka pasur fjalën për produktin final të ushqimit. 

Këto janë disa prej përballjeve më të rëndësishme që i ka pasur Kadri Veseli më deputetët që na momenti që ka ardhur në krye të Parlamentit.  

Këto ngjarje sigurisht që e bëjnë figurën e Kadri Veselit më të veçantë në kuptimin mediatik, por shprehjet populliste, akuzat e ndryshme dhe etiketimet e shumta kësaj veçantie i’a japin kuptimin më negativ të mundshëm sa i përket figurës së një udhëheqësi politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat