Paralajmëron politologu: Seanca e nesërme përcakton fatin e Kuvendit, mund të kërkohet edhe intervenimi i presidentit

Politika

Paralajmëron politologu: Seanca e nesërme përcakton fatin e Kuvendit, mund të kërkohet edhe intervenimi i presidentit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 dhjetor 2017 Në ora: 15:51
Kuvendi i Kosovës, foto nga seanca e kaluar

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë të dielën (nesër) Projektligjin për Buxhetin e vitit 2018.

Megjithëse koalicioni qeverisës PANA-Lista serbe, ka provuar dy herë brenda kësaj jave që të shqyrtojë këtë projektligj, tentimi i tij ka dështuar për shkak të mungesës së numrave për miratim.

Partitë opozitare LDK dhe VV, kanë paralajmëruar se nuk do të përkrahin miratimin e Buxhetit, pasi sipas tyre, ky projektligj ka mungesë të lidhjes së buxhetit në raport me rritjen ekonomike të vendit.

Madje, opozita vlerëson se  ky i fundit nuk ndryshon pothuajse aspak nga projektbuxheti i vitit 2017.

E skeptik për miratimin e Buxhetit është shprehur edhe politologu Mentor Tahiri, i cili ka thënë se Qeveria nuk i ka 61 numra për miratimin e buxhetit.

Image
Mentor Tahiri

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tahiri ka thënë se koalicioni qeverisës nuk ka harmonizim qëndrimesh sa i përket çështjes së buxhetit.

“Duket qartë se brenda koalicionit aktual qeverisës ose nuk ka harmonizim qëndrimesh, ose nuk ka seriozitet në perceptimin e rëndësisë së projektligjit mbi buxhetin. Përgjithësisht në traditën parlamentare, janë pak të njohura momentet kur një qeveri nuk ka prapa një shumicë parlamentare lidhur me buxhetin. Gjithsesi ajo që ndodhi në seancën për projektligjin e buxhetit, është tregues i qartë i brishtësisë së kësaj shumice parlamentare, si dhe u konfirmua se Qeveria e Kosovës nuk mundet asnjëherë të llogaris bllanko në 61 vota”, është shprehur politologu Tahiri.

Ai më tej ka theksuar se seanca e ardhshme, do të jetë përcaktuese nëse Kuvendi do të jetë funksional.

Tahiri ka paralajmëruar se në rast të dështimit edhe të seancës të së dielës, vendi do të futet në krizë financiare si pasojë e mosmiratimit të buxhetit, duke theksuar edhe nevojën e intervenimit të presidentit në këtë çështje.

“Mbetet të shihet se si do të zhvillohet seanca e ardhshme. Vendi përveç që ka një krizë raportesh me aleatët perëndimorë për shkak të demarkacionit, tani rrezikon të përballet edhe me krizë financiare si pasojë e mosmiratimit të buxhetit, qoftë edhe të mosmiratimit të tij me kohë. Në rast se dështon edhe seanca e ardhshme, atëherë është e qartë se ky Kuvend është jo funksional. E tëra kjo mund të shpije në një situatë ku mund të kërkohet një veprim nga ana e Presidentit të vendit”, ka theksuar për “Bota sot”, Mentor Tahiri.

Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë të jetë mbi 2 miliardë euro, i cili pritet të gjenerojë një rritje ekonomike deri në 4.6 %.

Sipas këtij projektligji të hyrat nga ATK-ja, do të jenë 446 milionë euro, ndërkaq, nga Dogana e Kosovës priten të realizohen të hyra në vlerë prej një miliard e 175 milionë euro.

Në këtë projektligj shpenzimet për paga dhe mëditje do të jenë 589 milionë euro apo 4.3 % më shumë sesa në vitin 2017.

Për subvencione dhe transfere, sipas këtij projektligji janë  paraparë që të shpenzohen 525 milionë euro, kurse për shpenzime kapitale 687 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat