Abazi tregon se nga kush po kushtëzohet liberalizimi i vizave

Politika

Abazi tregon se nga kush po kushtëzohet liberalizimi i vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 dhjetor 2017 Në ora: 16:08
Haki Abazi

Edhe pse u premtua se do të ndodh brenda tre muajsh, afati për liberalizimin e vizave nga kryeministrit Ramush Haradinaj është shtyrë.

Ai sot ka thënë se lajmi për liberalizim të vizave është çështje javësh.

“Mendoj që lajmin për liberalizim mund ta marrim, çështje javësh, lajmin, ndërsa hyrja në fuqi e lajmit është dy tre muaj diferencë. Por nuk besoj që do të shkoj pa kufi”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka njoftuar edhe për një vizitë që do ta ketë më 18 dhjetor në Bruksel, por ka theksuar se nuk i është premtuar asgjë nga BE-ja.

 “Kam edhe një vizitë në Bruksel më 18 dhjetor. Nuk më është premtuar asgjë, as Kosovës nuk i është premtuar, por ju i keni parë edhe qëndrimet edhe në Kuvend, edhe në publik, Kosova duhet të marrë atë që i takon ose nuk ka pse të marrë në tavolina ku nuk respektohet dhe nuk i jepet ajo që i takon”, ka theksuar Haradinaj.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i punëve të jashtme të Kosovë, Behgjet Pacolli, ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2018, duke shpresuar që kjo të ndodhë në pjesën e parë të vitit.

“Shpresoj se viti 2018 do të jetë vit ku qytetarët do të lëvizin lirshëm. Unë shpresoj shumë që në pjesën e parë të vitit dhe viti 2018 do të jetë viti me të cilin ne sigurisht do të shënojmë edhe historinë e shtetbërjes tonë”, është shprehur Pacolli.

Lidhur me mundësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se nuk mund të flitet për një afat të caktuar, pasi liberalizimi, sipas tij, është i kushtëzuar nga marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi.

“Data për liberalizim është shumë e vështirë për t’u caktuar dhe duke qenë në ciklin e pafund të marrëdhënieve të kushtëzuara nga marrëveshjet e nënshkruara nga ekipet e Thaçit, nuk e shoh të lehtë se si do të ndodhë që të ketë liberalizim të regjimit të vizave. Por, është gjë tjetër nëse do të ketë zgjidhje të çështjes së demarkacionit, që prapë besoj që është e komplikuar si çështje”, ka thënë Abazi.

Ndërsa, sa i përket krahasimit të deklaratave të zyrtarëve të shtetit, Abazi ka thënë se Pacolli nuk konsultohet me qeverinë.

“Sa i përket diskrepancës, mendoj që Pacolli nuk e ka idenë që në fakt është pjesë e qeverisë, ai po sillet sikur Kosova është pronë e tij private dhe natyrisht që është më i afërt me Thaçin se sa që është me Qeverinë. Kjo është arsyeja që ai është kontradiktor dhe shpesh nuk konsultohet. Në Washington bëri një skandal i cili u kalua pa debate meqë shumë pak njerëz e marrin seriozisht politikën e jashtme të Kosovës”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat