Gara për Istogun, analisti politik: LDK-ja vazhdon të mbetet garuese serioze

Politika

Gara për Istogun, analisti politik: LDK-ja vazhdon të mbetet garuese serioze

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 dhjetor 2017 Në ora: 22:29
Ilustrim

Komuna e Istogut është e vetmja komunë e cila edhe pas balotazhit të 19 nëntorit nuk ka arritur ta ketë kryetarin e saj, kjo pasi PZAP-ja ka vendosur që të shkojë në rivotim pas ankesës së LDK-së.

Balotazhi i 19 nëntorit ka dhënë fitues Lidhjen Demokratike të Kosovës me kandidatin e saj, Haki Rugova, mirëpo me votat e postës ky rezultat doli në favor të AAK-së dhe kandidatit të saj Gani Dreshaj.

Ky rezultat ka bërë që LDK-ja të “ankohet” dhe ankesa e saj është pranuar, duke u vendosur që më 17 dhjetor  qytetarët në Istog të votojnë edhe një herë.

Para mbajtjes së rivotimit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të “forcohet” duke nënshkruar kështu koalicion me PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Lajmin për koalicionet i ka konfirmuar vetë kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj.

“Për hajër na qoftë. Sapo arritëm marrëveshjen me Partinë Demokratike të Kosovës për koalicion parazgjedhor. Me Beqir Sadikajn i definuam të gjitha detajet e marrëveshjes. Ju betohem se do jetë koalicion i punës dhe të mirës për qytetarin. Bashkë me PDK-në, Vetëvendosjen dhe listën e Arif Elshanit ne do të arrijmë fitore bindëse në zgjedhjet e 17 dhjetorit. I ftoj edhe votuesit e LDK-së që të rreshtohen krah neve sepse me mua kryetar do të përfitoj secili qytetar i Istogut”, ka njoftuar Dreshaj.

Përkundër koalicioneve, analistët politikë shprehen se Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë garuese shumë serioze në Istog.

Blerim Burjani, analist politik ka thënë për “Bota sot” se LDK-ja duhet të vendos vetë çfarë do të bëjë ta rimarrë Istogun, mirëpo ajo vazhdon të jetë garuese serioze.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, këto zgjedhjet do të demaskojnë paligjshmërinë e votave me post dhe duhet të mbikëqyren mirë nga KQZ-ja.

“Ajo se çfarë duhet të bëjë LDK-ja në mënyrë që ta rimarrë Istogun është çështje e këtij subjekti politik. Sidoqoftë, Lidhja Demokratike e Kosovës edhe më tutje vazhdon të mbetet një garuese shumë serioze në këtë komunë. Këto zgjedhje do të demaskojnë paligjshmërinë e votave me post, votat me post duhet të mbikëqyren drejt dhe të administrohen mirë nga KQZ-ja të mos lejohet që të keqpërdoren votat dhe të manipulohen që mund të çojnë në dëm të serishme të procesit zgjedhor”, ka pohuar Burjani për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat