Sot përcaktohet fati i Kuvendit të Kosovës, opozita paralajmëron bllokim

Politika

Sot përcaktohet fati i Kuvendit të Kosovës, opozita paralajmëron bllokim

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 dhjetor 2017 Në ora: 09:44
Kuvendi i Kosovës, pamje nga seanca e kaluar

Kuvendi i Kosovës, do të mbajë sot nga ora 15:00 seancën plenare, në të cilën pikë e rendit të ditës është votimi i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Ndonëse Kuvendi ka tentuar që të miratojë këtë Projektligj gjatë kësaj jave, nuk ka arritur të bëjë këtë gjë, pasi opozita e ka kundërshtuar, ndërsa pozita nuk i ka pasur numrat për ta kaluar atë.

E koalicioni qeverisës PANA-Lista serbe do ta ketë të vështirë edhe sot që të sigurojë numrat për votimin e Buxhetit, për shkak se nuk i ka 61 vota. Kështu kanë deklaruar deputetë nga partitë opozitare, të cilat kanë paralajmëruar se nuk do të përkrahin miratimin e Buxhetit, pasi sipas tyre, ky projektligj ka mungesë të lidhjes së buxhetit në raport me rritjen ekonomike të vendit.

Nga ana tjetër, pozita këmbëngul se do t’i bëjë numrat që buxhetin ta miratojë gjatë ditës së sotme.

Sherifi: Do t’i kemi numrat për Buxhetin

Image
Bilall Sherifi

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” se koalicioni qeverisës do t’i ketë numrat në seancën e sotme. Ai ka bërë të ditur se shumë nga deputetët gjatë kësaj jave ishin jashtë vendi dhe se të dielën ata do të kthehen.

“Mendoj se po, pasiqë deputetët janë jashtë vendit dhe ata do të kthehen”, ka thënë shkurtimisht deputeti Sherifi.

Gaxherri: Arrogante mosprezenca e ministrave në seancë

Por, kështu nuk mendon deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxherri, e cila ka thënë se Qeveria nuk i ka numrat për të aprovuar ligjin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Image
Besa Gaxherri

“Unë e kam thënë edhe më herët se Qeveria është mbi këmbë të qelqta. Natyrisht se jemi dëshmitar se nuk i ka as numrat për ta aprovuar ligjin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar deputetja e LDK-së në një prononcim për “Bota sot”.

Gaxherri e ka quajtur arrogancë mosprezencën e ministrave në seancën për buxhetin.

“Ne çdo ditë e shohim papërgjegjshmërinë e tyre këtë kohë që për shembull u diskutua për buxhetin, për asnjë temë, për asnjë ligj, ministrat nuk janë prezent në seancë, e natyrisht që kjo është një lloj arrogance, është një lloj pavetëdije se ne të gjithë e dimë përbërjen e kësaj qeverie, kush janë ministra, pse janë aty, kështu që mendoj se nuk ka nevojë që të komentohet shumë kjo çështje”, është shprehur ajo për “Bota sot”.

Abdullahu: Opozita të bashkëpunojë për ta ndalur të keqen

Edhe ish-zëdhënësi i Qeverisë “Mustafa”, Faton Abdullahu, ka kritikuar Qeverinë e Ramush Haradinajt, duke thënë se ajo nuk mund të kryejë punë të mëdha.

Image
Faton Abdullahu

Sipas tij, Qeveria punon pa kokë dhe se ajo do të vazhdojë bashkëpunimin me Listën serbe, e cila ka institucionalizuar politikën e Beogradit në Kosovë.

“Qeveria Haradinaj është qeveri që nuk mund të ndërmarr, as të kryej punë të mëdha. Sjellja e ministrave të kabinetit të tij e dëshmon më së miri këtë. Kjo tregon se qeveria qktuale e ka në krye Keryeministrin Haradinaj, por ai nuk është koka e tij. Prandaj ai herë pas herë mundohet me një koreografi dhe simbolikë pa sens, ta dëshmoj të kundërtën, me çka nganjëherë del edhe qesharak. Ai është i vetëdishëm për këtë, por tërpia për të qenë në krye të qeverisë, ia atrofizon pragmatizmin. Kur kësaj i shtohet edhe ndikimi i 'Listës Serbe' që lexuar ndryshe do të thotë institucionalizim i politikës së Beogradit në Kosovë, kuptohet se kjo qeveriu në të vërtetë punon pa kokë, ad hock, sot për nesër. Përkundër kësaj Qeveria Haradinaj më së shumti dhe më së miri do bashkëpunojë me 'Lista Serbska',  sepse ajo është përfituesja më e madhe në këtë qeveri dhe nga kjo qeveri. Se është kështu do të shihet shumë shpejt”, është shprehur Abdullahu për “Bota sot”.

Ai më tej ka kritikuar Qeverinë edhe për numrin e madh të zëvendësministrave, derisa ka kërkuar bashkëpunim të opozitës për ta ndalur të keqen për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Kjo qeveri lindi mbi disa sajesa, gënjeshtra dhe klan-koalicione që po e ringjallin edhe më të fortë pronto-politikën. Ajo lindi pa respektuar kurrfarë morali politik. E pamoralshmja është ambalazh e saj, logoja e saj, me shumë koka zëvendësminitrash në te. Kjo është një e keqe për Kosovën që duhet të ndalet. Opozita duhet të bashkëpunojë. Ajo duhet të jetë më fleksibile më kooperuese dhe pragmatike për ta ndalur këtë të keqe me një kapitull të ri si ofertë të re për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka thënë Faton Abdullahu.

Tahiri: Sot përcaktohet fati i Kuvendit, mund të kërkohet edhe intervenimi i presidentit

 E skeptik për miratimin e Buxhetit është shprehur edhe politologu Mentor Tahiri, i cili ka thënë se Qeveria nuk i ka 61 numra për miratimin e buxhetit.

Image
Mentor Tahiri

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tahiri ka thënë se koalicioni qeverisës nuk ka harmonizim qëndrimesh sa i përket çështjes së buxhetit.

“Duket qartë se brenda koalicionit aktual qeverisës ose nuk ka harmonizim qëndrimesh, ose nuk ka seriozitet në perceptimin e rëndësisë së projektligjit mbi buxhetin. Përgjithësisht në traditën parlamentare, janë pak të njohura momentet kur një qeveri nuk ka prapa një shumicë parlamentare lidhur me buxhetin. Gjithsesi ajo që ndodhi në seancën për projektligjin e buxhetit, është tregues i qartë i brishtësisë së kësaj shumice parlamentare, si dhe u konfirmua se Qeveria e Kosovës nuk mundet asnjëherë të llogaris bllanko në 61 vota”, është shprehur politologu Tahiri.

Ai më tej ka theksuar se seanca e ardhshme, do të jetë përcaktuese nëse Kuvendi do të jetë funksional.

Tahiri ka paralajmëruar se në rast të dështimit edhe të seancës të së dielës, vendi do të futet në krizë financiare si pasojë e mosmiratimit të buxhetit, duke theksuar edhe nevojën e intervenimit të presidentit në këtë çështje.

“Mbetet të shihet se si do të zhvillohet seanca e ardhshme. Vendi përveç që ka një krizë raportesh me aleatët perëndimorë për shkak të demarkacionit, tani rrezikon të përballet edhe me krizë financiare si pasojë e mosmiratimit të buxhetit, qoftë edhe të mosmiratimit të tij me kohë. Në rast se dështon edhe seanca e ardhshme, atëherë është e qartë se ky Kuvend është jo funksional. E tëra kjo mund të shpije në një situatë ku mund të kërkohet një veprim nga ana e Presidentit të vendit”, ka theksuar për “Bota sot”, Mentor Tahiri.

Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë të jetë mbi 2 miliardë euro, i cili pritet të gjenerojë një rritje ekonomike deri në 4.6 %.

Sipas këtij projektligji të hyrat nga ATK-ja, do të jenë 446 milionë euro, ndërkaq, nga Dogana e Kosovës priten të realizohen të hyra në vlerë prej një miliard e 175 milionë euro.

Në këtë projektligj shpenzimet për paga dhe mëditje do të jenë 589 milionë euro apo 4.3 % më shumë sesa në vitin 2017.

Për subvencione dhe transfere, sipas këtij projektligji janë  paraparë që të shpenzohen 525 milionë euro, kurse për shpenzime kapitale 687 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat