“S’ka më vend për Aida Dergutin” Çka po ndodh me Lëvizjen Vetëvendosje? - Bota Sot
“S’ka më vend për Aida Dergutin” Çka po ndodh me Lëvizjen Vetëvendosje?

Politika

E premte, 27 prill 2018

“S’ka më vend për Aida Dergutin” Çka po ndodh me Lëvizjen Vetëvendosje?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 dhjetor 2017 Në ora: 10:21
Aida Dërguti dhe Albin Kurti, në një konferencë të mërhershme

Lëvizja Vetëvendosje, ditëve të fundit po përballet me periudhën më të vështirë prej se është themeluar në vitin 2005. Një përçarje ndërmjet deputetëve u bë publike nga një letërkëmbim ndërmjet anëtarëve të kësaj partie me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, përcjellë “Bota sot”.

Por, kjo letër erdhi si arsye  e një bisede në “Viber”, kur deputetja Aida Dërguti kishte fyer Albin Kurtin,  duke e quajtur atë me fjalë fyese “mut”, shkëndijë kjo që ka bërë që në Lëvizjen Vetëvendosje të fillojnë përçarjet e mëdha.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se ofendimi ndaj Albin Kurtit, në këtë rast që e kishte bërë deputetja Aida Dërguti, është i papranueshëm, dhe se kërkimfalja do të duhej të ishte bërë shumë më herët.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj në ‘Facebook’, ka shkruar se e ndien obligim të tregoj qëndrimin e saj për zhvillimet e fundit që ndodhën brenda kësaj partie. Sipas Haxhiut, këto diskutime që i përkasin vetëm partisë, duhet të kthehen brenda organeve vendimmarrëse.

“Kushdo që ka nxjerr publikime të komunikimeve të brendshme nuk ka vepruar drejtë, dhe ka bërë gabim. Sigurisht që diskutimi dhe vendimet duhet të kthehen brenda organeve vendimmarrëse të Lëvizjes, pasi qytetarët kanë besim te Lëvizja dhe parimet e saj”, thotë deputetja e VV-së.

Haxhiu paralajmëron se së shpejti do të fillojnë organizimin e zgjedhjeve të brendshme, dhe pret që Albin Kurti të kandidojë.

“Së shpejti do të mbajmë edhe zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes, ku unë presë që Albin Kurti të kandidojë, bashkë me këdo tjetër që është i gatshëm të hyjë në këtë proces të demokracisë së brendshme”, përfundoi Albulena Haxhiu.

Ndërsa, Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Ismail Kurteshi, ka konfirmuar se sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së partisë, ku pritet të diskutohet për fyerjet e deputetit Albin Kurti nga deputetja Aida Dërguti.

Zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes, të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

“S’ka më vend për deputeten Aida Derguti”

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” thotë se ngjarjet e fundit kanë nxjerrë në pah divergjencat mes dy rrymave brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Faton Mehmeti

“Mendoj se ngjarjet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje kanë nxjerrë në pah divergjencat mes dy rrymave brenda saj. Rryma me radikale që udhëhiqet nga Albin Kurti dhe rryma më moderne që është trashëgimi e FER-it, që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti”, u shpreh ai.

Sipas Mehmetit, ndasitë në Vetëvendosje ekzistojnë kohë më parë, por çarjen më të madhe e përjetuan me rastin e Jahtit ‘Megalodon’.

“Lufta për dominim ka eskaluar deri në përplasje të thella. Këto ndasi datojnë qysh moti, por krisjen më të madhe e patën me rastin e Jahtit të Shpendit. Jahti krisi raportet mes Albinit dhe Shpendit, e ky i fundit nuk i quajti Devollët kriminel, të kundërtën e tha Albini në Kuvend. Pastaj rreshtimi në të dy krahët ka vazhduar, derisa dolën në pah përplasjet e thella deri në ofendimet banale”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Madje, ai ka shtuar se pas këtij skandali s’ka më vend për deputeten Aida Dërguti në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Mendoj, se në VV më s’ka vend për Aida Dërgutin, pas skandalit të fundit. Kjo e fundit nuk duhet të qëndrojë në një parti, në të cilën nuk ndihet vetvetja dhe kjo shpjegon më së miri mosprofilizimin e partive. Partitë tek ne janë kongomerate, andaj ka këso divergjenca konceptuale”, është shprehur ai.

Mehmeti shtoi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të profilizohet, që mos të ketë këso skandale, të cilat rrezikojnë që kjo parti të ndahet si LDK-ja.

“Në këtë sens, besoj se Vetëvendosje do pësojë një tronditje në kohën kur doli e para parti në zgjedhjet parlamentare. Mendoj se VV-ja duhet të profilizohet, që mos të këtë këso skandale të cilat rrezikojnë që kjo parti të ndahet si LDK-ja në 2006-të”, përfundoi Faton Mehmeti.

Gecaj: Këto zhvillime ishin parashikuar shumë më herët

Image
Arben Gecaj

Kurse Ish-zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Gecaj, tani pjesë e PDK-së, është deklaruar lidhur me përçarjet në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai në një prononcim për “Bota sot” thotë se këto zhvillime ishin parashikuar shumë më herët.

“Ne vazhdimisht ishim të informuar nga kryesia e partisë dhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për formën e komunikimit, po ashtu, shpesh jemi pyetur se si është e mundur të vazhdojmë në këtë mënyrë brenda VV-së”, ka theksuar Gecaj.

Ai më tutje ka shtuar se Albin Kurti do të mbetët me disa idealistë në Lëvizjen Vetëvendosje, derisa të tjerët do synojnë krijimin e një subjekti të ri politik.

“Ndarja si proces nuk shkon shpesh, por nëse ndodh, Albin Kurti do të mbetët me disa idealistë, të tjerët shkojnë në drejtim të një partie Liberale-Social-Demokrate. Grupi i FER-it do t’i trashëgojë votuesit, ata pa asnjë mund e sakrificë do kenë kontingjentin e votuesit”, theksoi ish-zyrtari VV-së.

Sipas tij, e gjithë shoqëria civile do t’i bashkëngjitet grupit të Dardan Molliqajt dhe Shpend Ahmetit.

“Të gjithë nga shoqëria civile dhe të ardhurit në Lëvizjen Vetëvendosje së fundi, do t’i bashkëngjiten grupit të Dardan Molliqajt e Shpend Ahmetit. Mesazhi në media është dërguar nga grupi i cili për herë të parë kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2017”, përfundoi Gecaj për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test