“Kosova para kolapsit”, politologu jep alarmin për izolimin e vendit

Politika

“Kosova para kolapsit”, politologu jep alarmin për izolimin e vendit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 dhjetor 2017 Në ora: 15:51
Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ka dhënë një parashikim të frikshëm për gjendjen aktuale të Kosovës.

Duke folur në një intervistë për Deutsche Welle, Petritsch ka thënë se Kosova është pranë dështimit dhe shumë e ndarë.

Ai ka theksuar nevojën e krijimit të marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin serb.

“Kosova është thellësisht e ndarë. Është një shtet i dobët pranë kolapsit – krahasuar me Serbinë që është zhvilluar fuqishëm ekonomikisht, por edhe në fusha të tjera. Prishtina zyrtare e ka të domosdoshme që të krijojë lidhje me komunitetin serb. Marrëveshja për Formimin e Komunave Serbe është nënshkruar vite më parë. Kjo marrëveshje duhet të implementohet. Ky është obligimi i Prishtinës”, ka deklaruar diplomati austriak.

Image
Mentor Tahiri

E këtë deklaratë të Petritsch, politologu Mentor Tahiri, e ka quajtur reale. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Petritsch këtë vlerësim e ka dhënë shkoqitur nga skena e brendshme politike e Kosovës.

“Është një deklaratë e thënë nga një diplomat me shumë përvojë. Petrich e njeh nga shumë afër situatën politike në Ballkan. Është deklaratë reale e një njeriu, i cili e sheh pozitën e Kosovës në kuadër të një pasqyre më të gjerë të zhvillimeve, pra shkoqitur nga skena e brendshme politike e Kosovës”, ka thënë politologu Tahiri.

Ai ka theksuar se politikanët në Kosovë po vazhdojnë të jenë të papjekur, duke thënë se vendi po çalon në raport me vendet fqinje.

“Kosova po çalon në zhvillim në raport me fqinjët. Klasa politike vazhdon të jetë shumë e papjekur në një kohë kur subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po hyn në një fazë kritike. Në njërën ka një garniturë politike serbe, e cila po di të përafrohet me perëndimin, kurse skena politike e Kosovës nuk po arrin të perceptojë izolimin në të cilën është kah e dërgon vendin”, është shprehur Mentor Tahiri.

Ndryshe, Petritsch në vitet 1997-99 kishte shërbyer si ambasador i Austrisë në Beograd dhe si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Europian për Kosovën, ku në këtë cilësi kishte vepruar edhe si Kryenegociator i BE-së në bisedimet e paqes në Rambuje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat