A është i përfshirë Xhavit Haliti në përçarjen e Vetëvendosjes?

Politika

A është i përfshirë Xhavit Haliti në përçarjen e Vetëvendosjes?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 12 dhjetor 2017 Në ora: 08:50
Xhavit Haliti shihet shumë miqësorë me Aida Dërgutin

“Gjithsesi ndarja e çdo partie është fatkeqësi për politikën dhe mundësinë e opsioneve. Gjithsesi, dyshoj se “Aida është " Kali i Trojes " brenda VV-së me Xhavit Halitin si arkitekti i kësaj mesele”. Ky është momenti kritik për VV që mund ta rrënoj , apo ta bëj edhe më të fortë atë”, ka thënë analisti Faton  Mehmeti.

Fyerja që deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, i bëri Albin Kurtit teksa po komunikonte në viber me deputetët e këtij subjekti politik, ka rezultuar me dorëheqjen e saj nga posti i anëtares së Kryesisë dhe nga posti i kryetares së degës në Vushtrri. Kurse, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri thonë se janë ata që kanë kërkuar shkarkimin e Dërgutit përmes një peticioni. Nga ana tjetër, analistët politik thonë se nga përçarja e LVV-së ose ndarja e saj në dy grupe, fituesja më e madhe do të jetë Partia Demokratike e Kosovës e cila kishte qenë shënjestra kryesore e kritikave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës, është subjekti politik që do të përfitojë më së shumti nga përçarja eventuale ndërmjet të figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ditë më parë, në media është publikuar një lajm ku deputetja, Aida Dërguti gjatë një bisedë në viber me kolegët e saj deputetët, ku ofendon rënd ish-kreun e VV-së, Albin Kurti.

Pas këtij publikimi, nuk kanë munguar as komentet në Facebook të deputetëve të Vetëvendosjes të cilët kanë kritikuar ose i kanë dalë në mbrojtje deputetes Dërguti.

Kurse, këto zhvillime të sipërpërmendura kanë bërë që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër, deputetja Aida Dërguti nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, por përmes një komenti në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se ajo ka dhënë dorëheqja nga kryetarja e degës së këtij subjekti politik në Vushtrri dhe nga Kryesia e VV-së.

Image
Deputetja, Aida Dërguti

“Unë sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetares së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Vushtrri dhe nga anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes. Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gjithsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit. Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik”, ka shkruar Dërguti.

Muzaqi: Kemi bërë peticion për shkarkimin e Dërgutit

Nga ana tjetër, Besim Muzaqi, i cili ka qenë kandidat i VV-së për kryetar në komunën e Vushtrrisë ka deklaruar se anëtaret e degës së këtij subjekti politik në këtë komunë kanë kërkuar shkarkimin e Dërgutit.

“Po është nënshkruar një peticion. Aktivistët tanë janë deklaruar ndaj fyerjes që ka ndodhur. Në Vetëvendosje nuk ka ndarje, ekziston vetëm krahu i ideatorit. Zonja Dërguti ka bërë shkelje për të cilën komisioni disiplinor pritet të marrë vendim”, ka thënë Muzaqi.

Kurse, deputeti Sami Kurteshi pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë ka dhënë një prononcim të shkurtër për media.

Ai e ka konsideruar si gabim njerëzor, fyerjen që Dërguti i ka bërë Kurtit.

Përçarja e VV-së favorizon shumë partinë e Kadri Veselit

Analistët politik thonë se zhvillimet e fundit brenda VV-së rrezikojnë përçarjen e kësaj partie. Kurse sipas tyre, fituesi më i madh do të jetë Partia Demokratike e Kosovës.

Image
Analisti, Faton Mehmeti

“Ndonëse Vetëvendosje për momentin është rivali kryesor i PDK-së, përçarja e saj sigurisht se e favorizon shumë partinë e drejtuar nga Kadri Veseli. Gjithsesi besoj se rivali historik i PDK-së ka qenë dhe duhet të jetë LDK, për shkak të orientimeve të tyre dhe antagonizmave të tjerë”, thotë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Ai thotë, se përçarjet brenda VV-së i shkojnë për shtat jo vetëm PDK-së, por edhe koalicionit PANA.

“PDK çdo herë ka përfituar nga fatkeqësitë e të tjerëve, njëherë përfitoj nga ndarja e LDK-së, e tani po i fërkon duart që të përfitoj edhe nga ndarja eventuale e VV-së”, thotë ai.

Sipas tij, nga kjo ndarje eventuale mund të humbas edhe LDK, pasi zëri i opozitës do jetë më i dobët që nënkupton jetëgjatësi për koalicionin PANA.

“Gjithsesi ndarja e çdo partie është fatkeqësi për politikën dhe mundësinë e opsioneve. Gjithsesi, dyshoj se “Aida është " Kali i Trojes " brenda VV-së me Xhavit Halitin si arkitekti i kësaj mesele”. Ky është momenti kritik për VV që mund ta rrënoj , apo ta bëj edhe më të fortë atë”, shtoi Mehmeti.

Lidhur me këtë, gazeta ka provuar të marr një përgjigje nga z. Xhavit Haliti, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Edhe analisti Ali Hertica thotë se duke u nisur nga situata e cila tani po mbretëron në skenën politike të Kosovës, po del se në çdo subjekt janë pozicionuara nga dy apo më shumë grupe kundërshtare njëra me tjetrën, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Image
Nalisti politik, Ali Hertica

Por sipas tij, nga kjo përçarje e PDK-së do të përfitojë më së shumti subjekti politik i Kadri Veselit.

“Të gjitha problemet që janë shpërfaqur në Lëvizjen Vetëvendosje dhe një përçarje eventuale në këtë subjekt politik, do t’i shkojë përshtati më së shumti PDK-së, kur dihet se PDK është duke shkuar drejt një rënie drastike”, thotë Hertica për “Bota sot”.

Fraksioni brenda VV-së zgjatë mundësinë e vazhdimit të  pushtetit korruptues

Kurse, analisti Hidajet Mehmeti thotë se nuk e sheh si rrezik përçarjen e VV-së duke u bazuar në zhvillimet e fundit, por sipas tij ndarja në fraksione brenda këtij subjekti politik i jep mundësi pushtetarëve të korruptuar të mbesin ende në pushtet.

“Është e natyrshme që rritja e çdo subjekti politik shkakton fërkime brenda subjektit politik, pasi që ambiciet personale për brenda subjektit rriten  dhe shfaqën përmes gjuhës së sulmit, etiketimeve dhe metodave amorale. Gjykoj se këto fërkime brenda LVV-së  janë shumë brenda kornizës normale, por gjithherë duke pasur parasysh edhe  zgjedhjet e brendshme që do të ndodhin brenda këtij subjekti politik, rritjes së vazhdueshme, por edhe  fitorja në dy komunat më të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Gjykoj se këto fërkime brenda VV-së dhe hipotetikisht nëse ndahet në dy fraksione ky subjekt,  zgjatë mundësinë e vazhdimit të  pushtetit korruptues e kriminal të partive që kanë udhëhequr  mbas luftës”, thotë Ahmeti për “Bota sot”.

Image
Analisti, Hidajet Ahmeti

Por, Ahmeti thotë se VV duhet të përmbyll sa më parë këtë debat që sipas tij po jep hapësirë për spekulime të panevojshme.

“Besoj që struktura udhëheqëse e VV-së e ka mundësinë të mbyllë këtë debat i cili ka dhënë hapësirë për të spekuluar një pjesë e mediave dhe të ngjallë një debat të panevojshëm për shoqërinë kosovare,  e veçanërisht për proceset e rëndësishme që e presin Republikën e Kosovës”, thotë Ahmeti.

Ai shtoi se Kosovës i nevojitet subjekt politik siç është Lëvizja Vetëvendosje.

Lepaja: Po përfitohet nga zhvillimet e VV-së

Nga ana tjetër, analisti Fadil Lepaja thotë se nuk mendon se ka përçarje të thellë brenda VV-së, por sipas tij disa media po i instrumentalizojnë zhvillimet e fundit në këtë subjekt politik.

“Fillimisht, nuk mendoj se ka përçarje në Vetëvendosje. Krejt kjo është zhurmë e mediave të instrumentalizuara, që duan të krijojnë këtë ide të konfliktit. PDK dhe mediat e PDK shpresojnë të përfitojnë duke e larguar vëmendjen prej rezultateve të dobëta, por me këtë fushat po e marrin krejt vëmendjen duke treguar një kulturë të ulët komunikimi”, thotë Lepaja për “Bota sot”.

Image
Publicisti, Fadil Lepaja

Problemin brenda VV-së, ai e sheh edhe në pafuqinë e klasës politike në përgjithësi.

“Kjo fushatë në fakt, po e shprehë pafuqinë e klasës politike, të përballet me standardet e reja që i ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje, dhe kështu po devalvojnë me një kulturë përçarëse, sharëse, e cila pasojat më të rënda do t’i ketë për vetën e vet”, thotë ai.

Lepaja e sheh të paarsyeshme edhe mbajtjen në burg të deputetit, Albin Kurti.

“Ai në fakt ndodhet në paraburgim, edhe pse si deputet i kuvendit të Kosovës nuk do të duhej të ishte atje, aq më tepër që kriminel të rangut të lartë janë lejuar të mbrohen nga liria”, shtoi Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat