Heshtja e prokurorisë për akuzat e vrasjes së “Drinit”, veprimi i Thaçit e Veselit që i bën të “dyshimtë”

Politika

Heshtja e prokurorisë për akuzat e vrasjes së “Drinit”, veprimi i Thaçit e Veselit që i bën të “dyshimtë”

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 15:46
Kadri Veseli dhe Ekrem Rexha, komandant Drini dhe Hashim Thaçi

Akuzat e deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, janë të vërteta, kështu thotë ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ndërsa analistët politikë kërkojnë që Prokuroria t’i fillojë hetimet për këto akuza.

Seancat në Kuvendin e Kosovës për diskutimin e projektbuxhetit për vitin 2018, kanë bërë që deputetët pozitë- opozitë të hedhin akuza ndërmjet vete.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, gjatë seancës së të mërkurës ka deklaruar se Komandati i UÇK-së, Ekrem Rexha, i njohur si Komandant Drini, është vrarë me urdhër të Hashim Thaçit dhe me dijeninë e Kadri Veselit.

Gjatë kohës kur Millaku ka akuzuar kryeparlamentarin Veseli ai nuk ka qenë i pranishëm në sallë, por me rikthimin e tij në ulësen e kryesuesit ka kërkuar nga Deputetja Millaku që ta përsërisë deklaratën e saj, duke shtuar se nëse dikush ka shqetësime duhet të drejtohet në Prokurori.

Deputetja Millaku ka refuzuar t’i përsërisë akuzat e saj kur i kërkoi kryeparlamentari, mirëpo në seancën e nesërmen ajo ka përsëritur akuzën e saj.

Kjo erdhi pas përplasjes që Veseli e ka pasur me deputetin e VV-së, Dardan Molliqaj, që i kërkoi sqarim për disa fjalime të tij. Veseli kishte thënë në seancën e kaluar se ‘deputetët duhet të mos i lëshojnë fjalët… sikur pe dini ju’, duke iu referuar akuzës së Millakut. Duke mbajtur fjalim në Kuvend, Veseli tha se ka kërkuar nga Millaku dhe të gjithë deputetët tjerë që për çdo akuzë që kanë të shkojnë në Prokurori duke shtuar se shpreson që akuzat e Millakut kanë qenë vetëm të rastësishme.

I menjëhershëm ishte reagimi i Millakut që deklaroi se akuzat nuk ishin rastësi.

“Unë komandant Drinin e kam familjar dhe jam mirë e njohur me rastin dhe ngjarjen që ka ndodh. Ke vendim të lëshuar më 2003. Nuk po foli përmendësh. Kjo qëndron në fakte të vërteta. Nuk flas përmendësh”, ka thënë ajo.

Veseli i është përgjigjur duke thënë se nuk ka dëgjuar për këtë vendim nga gjykatat.

Ai duke komentuar akuzat se bashkë me Hashim Thaçin ka vrarë Ekrem Rehxhën- komandant Dirinin, ka thënë se në Kosovë kanë mundur të ndodhin gjëra që “nuk kanë qenë dinjitoze, por i kanë bërë njerëzit e pa besë dhe kriminel, por po aq pabesë janë ata që mundohen me manipuluar me çështje tjera pa pas përgjegjësi”.

Sipas tij, komandant Drinin e ka njohur shumë mirë dhe “të pabesët mund të flasin çdo gjë”.

Millaku ka thënë se Veseli nuk e ka marrë këtë vendim për shkak se në vendim përmendet me pseudonimin Luli.

Heshtin prokuroria, presidenca e kuvendit

“Bota sot” ka kontaktuar me Prokurorinë lidhur me këto akuza të deputetes së Vetëvendosjes, mirëpo  ata kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet e redaksisë.

Edhe, Presidenti dhe Kryeparlamentari kanë refuzuar të flasin lidhur me këto akuza, ndërsa ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i konfirmon ato.

Image
Naim Miftari

Miftari akuza për Thaçin e Veselin

Për vrasjen e komandant “Drinit” ishte dënuar ish-gjenerali Sali Veseli në mars të vitit 2003, ndërsa ish-agjenti i SHIK-ut, thotë se ai gjykim është bërë që të mos dënohen vrasësit e vërtetë.

Miftari ka pohuar se hetimet ndërkombëtare dyshimet kryesore i kanë ndaj personit me pseudonim Luli, e këtë pseudonim e ka pasur Veseli.

“Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, e ka thënë një të vërtetë të ditur, pasi që askush gjatë luftës, e sidomos pas luftës nuk ka munduar të pushkatohet pa dijeninë dhe miratimin sidomos të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. E kam përcjellë atë gjykim nga fillimi deri në fund ku si viktimë ishte zgjedhur të dënohet gjenerali i TMK Salih Veseli, i cili nuk ishte viktima e parë që do duhej dënuar për t’i mbuluar vrasësit e vërtetë (kujtoni rastin Kiqina). Edhe një sqarim, është përmendur se në hetime ndërkombëtare dyshime kryesore si organizator hidheshin  ndaj personit me pseudonimin LULI. Disa media të sponzoruara nga politiqartë e PDK-së së pakut një nga ato tentuan ta paraqesin deputeten, Drita Millaku, si të paditur, të painformuar mirë (kinse ai person ishte Salih Veseli dhe jo Kadri Veseli), por edhe të dyshimtë, si kishte lidhje familjare me vjehrrin që kishte punuar në UDB. Bëhet pyetja pse ju thoni këto gjersa vetëm kur akuzonte Thaçin dhe Veselin, e nuk thanë më herët. Sqarimi i imi Sali Veseli nuk ka pasur kurrë pseudonim as gjatë, as pas Luftës dhe se pseudonimin LULI i vetmi njeri që e ka përdorur nga lufta deri më 2008, e besa edhe sot këtë pseudonim është vetë Kadri Veseli dhe pikë” ka deklaruar Miftari për “Bota sot”.

Arsyet e vrasjes së Komandant Drinit

Miftari ka treguar arsyet se përse është bërë vrasja e Ekrem Rexhës, gjersa ka shtuar se këto akuza i kanë dëgjuar edhe familjarët e tij.

“Sa i përket vrasjes të Drinit Ekrem Rexhes vrasja është bërë për ta mbuluar tradhtinë që iu bë Mujë Krasniqit dhe qindra ushtarëve tjerë të UÇK-së që hynin në Kosovë pa pyetur dhe pa urdhra të shtabit të ROGNERIT, pra pa pyetur shtabin e Thaçit të ashtuquajtur shtab i përgjithshëm, i cili faktikisht nuk ekzistonte fare (ishte vetëm grup i interesit politik dhe financiar ) dhe këtë kishin filluar ta kuptonin shumë ushtarë pranë UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos heroi Mujë Krasniqi, vetë i cili njihej si luftëtar trim shumë i rreptë. Gjatë gjykimit të rastit DRINI, njëri nga të akuzuarit përndryshe pjesëtar e Shik-ut të ROGNERIT, kishte kaluar shumicën e luftës në Tiranë, i cili u shpallë fund i pafajshëm gjatë fundit të gjykimit nuk kuptova përse e bënte këtë dekleratë të tillë e akuzoi viktimën Drinin(Ekrem Rexhën) si bashkëpuntor të KOS- UDB, shërbimi sekret ushtarak serb dhe UDB shërbimi i sigurimit shtetëror serb, sipas tij, Drini dhe disa familjarë të tij komunikonin në radiomarrës, me sigurimin serb dhe përdornin shifrën (kodin sekret) "VISKI 25 " këto akuza në gjykatë i kanë dëgjuar edhe familjarët e Ekrem Rexhës (Drinit) janë transkriptat nëse si kanë zhdukur gjer tani”, ka theksuar Miftari.

Sipas tij, Prokuroria duhet të merret përsëri me këtë rast, sepse nuk është vështirë të zgjidhet vetëm duhet pasur prokuror, gjyqtarë, hetues dhe avokatë.

“Se a duhet të merret me këto deklarata në parlament prokuroria e Kosovës, normalisht se duhet, por cili prokuror apo gjyqtar do kenë guxim ta ripërsëritin këtë rast ndoshta i vetëmi që mund dhe guxon ta zgjedh është prokurori i shtetit në Prizren i zgjedhur prokurori nga Presidenti Hashim Thaçi, pra prokurori Sylë Tahir Hoxha, i lindur më 10 shkurt 1955 në fshatin Gjonaj KK Prizren, i cili si kryeprokuror i Kosovës deklaronte se "Nuk zbulohen vrasjet kur vret shteti” bëhet pyetje cili shtet cili vend vret pagjykim dhe si quhet ai shtet. Sipas mendimi tim rasti Drini (Ekrem Rexhës) mund të zgjidhet lehtë vetë duhet pasur prokuror, gjyqtarë, hetus, por edhe avokatë të pavarur që e shikojnë drejt dhe e zbatojnë vetëm ligjin dhe nuk ndikohen apo dirigjohen nga politika e pa korruptuar dhe e kriminalizuar nga nëntoka e krimi të organizuar”, ka shtuar Miftari.

Image
Faton Mehmeti

Hetim për akuzat e deputetes

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka kërkuar hetim të menjëhershëm për akuzat e deputetes Millaku.

Sipas tij, nuk duhet lejuar që këto akuza të kalojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Në një shtet normal akuzat e një deputeti kundër kujtdo, në veçanti kundër krerëve më të lartë të shtetit, do të trondisinin sistemin e drejtesise. Andaj, akuzat e deputetes së VV-së, Drita Millaku, duhet të hetohen menjëherë, se pari prokuroria duhet ta ftojë deputeten për të dhënë deklaratë, e pastaj edhe Thaçin dhe Veselin, pasi këto akuza lëkundin themelet e kësaj qeverisje dhe presidencës. Nuk guxon që këto akuza të kalohen sikur s’ka ndodhur asgjë, pasi të kesh një president vrasës dhe kryetar kuvendi të tillë, është gjëme e madhe”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas Mehmetit, është koha të hetohen gjërat, sepse kështu nuk ecet tutje.

“Nëse zonja Millaku ka trilluar të merr ndëshkimin, por nëse ajo ka fakte duhet të burgoset Thaçi dhe Veseli. Andaj është koha që t’i hiqet imuniteti presidentit dhe të hetohet, ndryshe imuniteti i Thaçit  i vështirëson shumë gjërat. Pa një gjë të tillë s’mundet të ecet tutje, por prokuroria duhet të hapë këtë çështje, apo ka vendosur qe t’ia hedh Gjykatës Speciale. Thaçi akuzohet për shumë vrasje që janë urdhëruar nga ai apo ka qenë në dijeni, së bashku me Veselin këta të dy janë kokat që Gjykata Speciale pritet t'i fus në burg. Ka edhe shumë e tjerë që janë pjesë e Kalnit "Pronto" dhe janë kokat e krimit në Kosovë, e të cilat po mbajnë peng të vërtetën. Gjithesei nuk besoj se prokuroria do të hap rast për këto akuza, duke ia lënë Gjykatës Speciale këto akuza për t’i hetuar. Por, Thaçi do të japë përgjegjësi,  jo vetëm për Drinin, por edhe shumë  të tjera”, ka thënë Mehmeti.

Image
Hajrullah Tërnava

Dosja e Komandant Drinit, në sirtarë të Prokurorisë

Ndërsa, eksperti i sigurisë dhe njohësi i çështjeve politike, Hajrullah Tërnava,  ka shprehur habinë se si dosja e komandant Drinit vazhdon të jetë në sirtar për kaq vite.

Sipas Tërnavës, pasi Thaçi dhe Veseli janë një kohë të gjatë në pushtet është e çuditshme se si nuk janë marrë veprimet për zbulimin e vrasjeve dhe kjo sjellje e tyre i bënë të dyshimtë ata.

“Deputetët në parlament si të zgjedhurit e popullit, shqyrtojnë tema të përgjithshme dhe konkrete në të mirë të popullit. Edhe akuzat e deputetes Millaku nuk duhet të shkaktojnë “bela” të mëdha mes partiake, sepse marrë në tërësi edhe z.Thaçi edhe z. Veseli prej çlirimit, e këndej më së shumti kanë qëndruar në pushtet si të atij ekzekutiv- qeverisës, si edhe tani në kuvend dhe i pari i shtetit. Si të tillë asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim për zbardhjen e shumë rasteve të vrasjeve që janë bërë gjatë luftës dhe pas saj, edhe kur është rasti për komandant Drinin, i cili është propozuar për hero të kombit, e lënda e tij që katër vite flenë si sirtar në pritje e sipër. Është për t’u çuditur si nuk ndërmirren veprime për zbulimin edhe për shumë raste të shokëve të tyre që ishin bashkë deri në vrasjet e tyre dhe kjo sjellje e tyre futen dyshime në ta, se a mos janë edhe vetë ata të përzier në këto vrasje. Populli gjithnjë ka kërkuar që të zbardhen këto vrasje të luftës dhe pas, kur është fjala për njerëz që kanë kontribuar për Kosovën si komandantë gjatë luftës apo aktivistë të LDK-së që janë të vrarë me qindra të tillë. Më në fund Kosova nga të gjitha vendet tjera, ka mbetur i vetmi vend më i izoluar në regjion, për shkak si thonë të huajt, në mos luftim të krimit të organizuar. Edhe ky fakt është më i rëndësishëm pse deri më tani nuk e kemi liberalizim të vizave, edhe më tutje do të na vjen barrë edhe më e rënduar deri në të vërtetë,  nuk luftohet krimi i organizuar në mënyrë të pamëshirshme, dhe ata kryesorët  “peshqit e mëdhej“ të shkojnë  prapa grilave”, ka theksuar Tërnava.

Tërnava e konsideron të pakuptueshëm reagimin e kreykuvendarit Veseli ndaj deputetes Millaku, gjersa ka shtuar se Prokuroria duhet të merret me këto akuza.

“I pakuptueshëm është reagimi i kryekuvendarit Veseli, ndaj deputetes Millaku me ato fjalë që u dëgjuan nga ai, pasi sa vite kaluan e nuk janë ndërmarrë aksione rreth zbulimit të tyre. Sikur të ishin zbuluar ato vrasje deri tash, askush nuk do t’u merrke tani me këtë çështje. Të ishin zbuluar ato vrasje deri më tani, askush nuk do t’i kishte përmendur këto ndodhi, por kryesesit e këtyre veprave do të ishin nëpër burgje, dhe me siguri se Kosova do e kishte sot liberalizimin e vizave. Pyetja se a duhet të merret Prokuroria me këto akuza të Millakut, është e tepërt sepse qysh moti është dashur të mirret me këto akuza dhe më shumë tjera akuza të krimit të organizuar që kanë mbetur barrë dhe kështu nuk mundemi të bëjmë asnjë hap drejt BE-së. Fajtorët kryesorë për këtë ngecje drejt BE-së janë të gjithë udhëheqësit si Kryetari i Kosovës, kryekuvendari, Kryeministri etj, që nën komandën e tyre po zhvillohet demokracia në Kosovë dhe jeta pluaraliste. Edhe sot e tutje të fillohet Prokuroria të merret me këto akuza është vonë, por më mirë vonë se kurrë është fjala e popullit”, ka përfunduar Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat