Mungesa e deputetëve në seanca, kërkohen sanksione ndaj tyre

Politika

Mungesa e deputetëve në seanca, kërkohen sanksione ndaj tyre

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 dhjetor 2017 Në ora: 22:23
Kuvendi i Kosoves

Që kur ka filluar punën legjislatura e gjashtë, seancat nuk kanë qenë të shumta.

Ndërsa, edhe ato që janë mbajtur nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të deputetëve, të cilët do të bënin kuorum të mjaftueshëm për të miratuar ligje.

Mungesa e tyre në seanca u shpreh si shqetësim nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili në seancën e së enjtes kërkoi nga kryeministri që të ndërmerren masa ndaj deputetëve të cilët nuk marrin pjesë në seanca, duke i penalizuar ata.

Amendamentimi i rregullores së Kuvendit

Kryeministri nuk foli për këtë në seancë, derisa nga zyra e kryeministrit, kanë deklaruar se Qeveria nuk përzihet në punët e legjislativit. 

“Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk i nënshtrohen asnjë mandati tjetër dhe në këtë kontekst Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Ramush Haradinaj nuk përzihen në çështjet e një pushteti tjetër, atij legjislativ”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Image
Artan Murati

Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati thotë një iniciativë e tillë do të duhej të përkrahej, që të bëhej një rregullore që përfshin çështjet e reja që kanë dalë në vitet e fundit.

“Realisht kjo iniciativë do të duhej të përkrahej dhe është më se e nevojshme një amandamentim i rregullores së punës së Kuvendit, pasi që dihet shumë mirë që secila legjislaturë e Kuvendit duhet ta ketë rregulloren e punës. Mirëpo, rregullorja aktuale është në fuqi qysh prej vitit 2010, kjo është legjislatura e tretë që po e fillon punën me një rregullore tjetër, prandaj është më se e nevojshme që rregullore e Kuvendit të amandamentohet dhe të përfshihen çështjet ose zhvillime të reja të cilat kanë dalë në këto vitet e fundit”, është shprehur Murati.

Avazi i vjetër i deputetëve

Sipas tij, mungesa e deputetëve ka qenë një problem edhe në legjislaturën e kaluar dhe kjo po vazhdon edhe në legjislaturën aktuale, andaj duhet të bëhet një rregullore për këtë.

“Një prej çështjeve që gjithsesi do të duhej të rregullohej është pikërisht edhe çështja e penalizimit të deputetëve në rast të mospjesëmarrjes së deputetëve në Kuvend, ose në raste edhe më të rënda ku vetëm nënshkruhen në lista dhe dalin. Ne i kemi parë edhe gjatë legjislaturës së pestë që mungesat e deputetëve kanë qenë prej problemeve kryesore që e ka përcjellë komplet legjislaturën e pestë dhe kjo ka ndikuar në një numër shumë të vogël të ligjeve të miratuara, por edhe të ligjeve të cilat janë të mbikëqyrur në zbatimin e tyre. Por shpresoj që avazi i njëjtë nuk do të vazhdojë edhe në këtë legjislaturë, sepse në fillim të saj ka tendenca të përsëritjes së problemeve të njëjta. Andaj rregullorja e punës tashmë është në procedurë, është krijuar madje edhe një grup punues në kuadër të komisionit për legjislacion në kuadër të kuvendit të Kosovës, i cili do të duhej të merrej me këtë çështje dhe mendoj që ky grup punues duhet sa më shpejt ta trajtojë çështjen e amandamentimit të rregullores ose të miratimit të rregullores së re të kuvendit ku duhet të përfshihen edhe këto çështje”, ka theksuar Artan Murati për gazetën “Bota sot”.

Image
Fadil Lepaja

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Fadil Lepaja thotë se deputetët duhet të penalizohen për mungesën e tyre në seanca, duke filluar nga heqja e mëditjes.

“Mendoj se po, duhet të kenë pasoja, deputetët nëse nuk marrin pjesë në mbledhje të Kuvendit, pa ndonjë emergjencë, sepse ata janë të obliguar të përfaqësojnë qytetarët, në institucionin më të lartë në vend, i cili nxjerr ligjet. Duhet fillimisht me mëditje dhe prej pagës bazë, që tu hiqen për mospjesëmarrje”, është shprehur Lepaja për “Bota sot”.

Mungesa e tyre nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve

E avokati Adrian Gjoshi mendon se arsyet për mungesën e deputetëve në seanca janë të ndryshme, edhe pse mungesa e tyre është jo  respekt dhe nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Image
Adrian Gjoshi

“Parimisht, mungesa e deputetëve në seancat e kuvendit është mosrespekt dhe mos përfaqësim i vullnetit qytetar. Megjithatë, mospjesëmarrja në mbledhjet e kuvendit mund të jetë formë e shprehjes së pakënaqësisë për atë që diskutohet në kuvend. Pjesëmarrja në kuvend duhet të jetë edhe kualitative, të flitet sipas asaj që parashihet në kalendarin e punës, e që u dërgohet deputetëve të paktën dy javë më herët”, është shprehur ai.

Sipas Gjoshit, me kushtetutë dhe rregullore nuk mund të bëhet më shumë se sa që është, ku një deputeti mund t’i hiqet mandati nëse mungon më shumë se gjashtë muaj, por që dënimin ata duhet ta marrin nga qytetarët përmes votës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të marrë masa më shumë sesa ajo që është e paraparë deri tash, ku mungesa e një deputeti/e për 6 muaj rresht mund të çojë në humbjen e mandatit të tij/saj prej deputeti. Se a është i pranueshëm apo jo pasiviteti i deputetëve, më së miri e dinë ata që i kanë votuar dhe këtë mendim do ta japin përmes votës së tyre. Pra, dënimi politik që deputetë kanë marrë dhe do të marrin nga qytetarët, është më i rënd sesa çfarëdo mase tjetër administrative që mund të merr nga kryesia e kuvendit”, vlerëson avokati Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Interesi vetëm për pagën

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se shumë prej deputetëve nuk japin kontribut për pozitën që kanë.

“Puna e deputetit duket të jetë luks e jo obligim, deputetët aktual mbi 80 për qind e tyre nuk janë kontribuues, mandatin e deputetit e marrin për të marrë pagesën mujore e jo për ndonjë kontribut. Një numër i madh i deputetëve janë shëtitës të kafiterive, i gjen në çdo hap në shesh ose kafiteri, ky post nuk mund të jetë atraktiv për njerëz të pa aftë dhe të papunë, këtu qëndron problemi, se nuk mund të jenë konributdhënës, pastaj iu bëhet monoton qëndrimi brenda në Kuvend krejt çka iu intereson është paga mujore e cila është e pakuptimtë”, vlerëson Burjani.

Sipas tij, do të duhej të kishte vetëm një pagë për seancë dhe jo të rregullt.

“Duhet të ketë vetëm pagë për seancë e atëherë do të vinin të gjithë dhe nuk duhet të ketë të rregullt por pagë me seanca. Kjo do të shtynte njerëzit të mos mendojnë vetëm a po bëhen deputet por kishin punuar në ekonomi tregu edhe punë tjera, kur dihet se punë nuk është të jesh deputet, punë me kontratë është mandat i përkohshëm”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat