Paralajmërimi për Kosovën, janari shumë i “nxehtë”!

Politika

Paralajmërimi për Kosovën, janari shumë i “nxehtë”!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 dhjetor 2017 Në ora: 08:19
Gjykata Speciale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli në një seancë të parlamentit gjatë javës që shkoi ka thënë se shumë gjëra të rëndësishme do të zbulohen gjatë muajit janar. Ai ka thënë se do të merret vesh se kush çfarë ka bërë.

Ne debatin që është zhvilluar rreth vrasjes së Komandant Drinit, Veseli ka thënë se akuzat që janë bërë në adresë të tij mund të dërgohen në Prokurori  dhe sipas tij, prej janarit do të hapet një proces i përbashkët transparent.

“Unë po ua jep fjalën publikisht nga janari do të jepen nënshkrimet vetëm që të zbardhet e vërteta. Vetëm unë do ta nënshkruaj i pari dhe e kanë obligim krejt grupi parlamentar i PDK-së të nënshkruaj për të mos manipulohet. Por nëse mendon dikush që Kadri Veselin do ta linqon deh do ta sjellë para diçkaje që do të turpëron, kurrë, me vdek po, por mu turpëruar kurrë, sepse nuk ka pse. Do të skuqeni shumë veta prej juve”, theksoi Veseli.

Shpeshherë është përmendur se Gjykata Speciale do të fillojë shumë shpejtë punën e saj, ndërsa të kontaktuar disa herë nga gazeta, zyrtarë nga kjo gjykatë kane thënë se nuk e komentojnë një punë që është në vazhdën e hetimeve.

Por kjo  deklaratë e Veselit a nënkupton se mund të fillojnë shpejti aktakuzat e para të Gjykatës Speciale?

Kush mund të akuzohet nga Specialja?

Duke u lidhur me punën e Gjykatës Speciale avokati Adrian Gjoshi ka përmendur se kush mund të jenë të akuzuarit nga kjo gjykatë, por jo edhe kohën se kur mund të nisin aktakuzat e para.

Image
Adrian Gjoshi

“Subjekt i aktakuzave të Gjykatës Speciale mund të jetë kushdo që dyshohet se ka kryer ose ka filluar kryerjen e krimeve në Kosovë. Sipas nenit 9 te ligjit më të cilin u krijua kjo gjykatë, asnjë nacionalitet dhe asnjë shtetas nuk është i përjashtuar nga juridiksioni i Gjykatës Speciale. Pra, juridikisht, mund të ndiqen edhe serbët për krimet e kryera në Kosovë”, theksoi Gjoshi.

Ai thotë më tutje se duke qenë se ‘brumi’ kryesor i kësaj gjykate është Raporti i Dick Martit, kjo gjykatë mund të jetë selektive duke përndjekur vetëm shqiptarët.

“Megjithatë, duke e ditur se brumi kryesor i aktakuzave të speciales do të jetë "raporti i Dick Martit", raport ky që kryekëput analizon dhe raporton për individ luftëtar dhe top lider të UÇK-së, duke pandehur se kanë shkelur/tejkaluar ligjet dhe zakonet ndërkombëtare të luftës - Gjykata Speciale mund të jetë selektive duke i ndjekur vetëm (ose më shumicë) shqiptarët. Kjo mund të ndodh për dy arsye: e para, për shkak të raportit të Dick Martit i cili është tendencioz dhe selektiv; dhe e dyta, nëse nuk aktivizohet Departamenti për Krime Lufte në kuadër të prokurorisë speciale të Kosovës, duke dërguar materiale provuese (fakte, prova dhe dëshmi) që do të dëshmonin përtej çdo dyshimi krimet e kryera të serbëve në Kosovë. Pra, nëse nuk do të ndiqen serbët, një pjesë të fajit mund ta bartë edhe Republika e Kosovës”, ka thënë avokati Gjoshi.

Gjykatë e padrejtë

Po ashtu edhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi thotë se përderisa kjo gjykatë do të jetë vetëm për Kosovën, ajo është e padrejtë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Parimisht jam kundër Gjykatës Speciale. Kjo jo për faktin se jam kundër hetimeve, por pse po bëhet vëtem për Kosovën. E kjo është e padrejtë.  Natyrisht se Gjykata Speciale do të merret me rastet gjoja të krimit të ushtarëve dhe të kuadrit të UÇK-së. Jam i sigurtë në pastërtinë e UÇK-së.  Mund të ndodhin edhe gjykime, por kjo kurrsesi nuk e dëmton karakterin çlirimtar të UÇK-së. Nuk mendoj se do të kemi lëvizje të dëmshme për shtetin dhe vendin tonë”, është shprehur Kelmendi.

Ai thotë më tutje se protesta dhe demonstrata kundër kësaj gjykate do të ketë, por ato do të jenë në kornizat e ligjeve dhe të shtetit.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeparlamentarit Veselit në Kuvend.

“Në fund të fundit, nëse veprohet kundër shtetit, nuk dëmetohet gjykata, po vendi i ynë. Kendej ka mendim të qartë. Nuk di se çka ka paralajmëruar Veseli kur përmendi janarin e vitit 2018. Besoj në atë se ka ardhur koha kur krimet duhet të shqyrtohen. Këtu nuk duhet të ketë dallim. Sa do të realizohet kjo pastërti i shtetit tonë mbetet tep shihet. Kosova ka shumë probleme dhe vështirësi. Më i madhi është shteti ligjor dhe i të drejtës. E kjo pa pastërti të gjithanshme nuk bëhet. Le të shpresojmë në këtë”, ka thënë juristi Kelmendi.

Çështjet e “nxehta” që e presin Kosovën

Ndërsa duke u lidhur më deklaratën e kryeparlamentarit Veseli se në janar do të zgjidhen procese të mëdha, juristi Blerim Burjani ka numëruar disa nga këto çështje që do të trajtohen.

Image
Blerim Burjani

“Po në janar priten të zgjidhen demarkacioni, tash duket se do të ketë consensus për të votuar demarkacionin e ish komisionit të kaluar, për këtë priten të votojnë PDK dhe LDK, si dhe AAK, ose në janar prishet ky koalicion dhe riformulohet koalicioni i ri ose edhe më keq me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme, qarku i dialogut dhe fjalëve po mbyllet. Pastaj Gjykata Speciale pritet të ngreh aktakuzat e para, pra pritet një vit i ri, mjaftë sensitive për skenën politike në vend, janari sfidues për politikën dhe partitë aktuale kah të shkojnë dhe kah t’ia mbajnë”, ka thekuar Burjani.

Ai në këtë rast ka përmendur edhe një proces pozitiv që mund të ndodhë për Kosovën.

“Do të jetë problem përqendrimi në punë i Kuvendit apo stabiliteti me u ruajt në Kuvend, tash bazuar në atë që thotë ky mandatar i odave mund të konkludohet se Kosova do të pranoj demarkacionin dhe liberalizimi pritet të ndodhë në mars të vitit 2018”, ka theksuar njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

Kriza në të cilën gjendet Kosova

Image
Skender Zogaj

Kurse njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj duke komentuar debatet e fundit në Kuvendit, ka përmendur krizën politike dhe morale në të cilën ndodhet Kosova.

“Kriza e madhe politike dhe morale në të cilën ndodhet Kosova është e ngjashme me përrallën "Zotëriu dhe Gomari" sepse, zgjidhja e krizës mund të kaloj vetëm kur të cof gomari, ose kur te vdes zotëriu! Prandaj, është e tmerrshme që pjesa dërmuese e popullatës shqiptare lutet natë e ditë, që sa më parë të cof gomari ose të vdes zotëria! Se kur do të realizohet kjo lutje e shtetasve të Kosovës është vështirë të saktësohet, mirëpo, kështu gjatë nuk mund të shkojë. Këtë e vërtetuan edhe debatet e parlamentarëve në seancat e këtyre ditëve, në të cilat u vërtetua degradimi i thellë moral i klasës politike kosovare, e cila kurrë nuk ka qenë më keq e kapur nga injoranca dhe rrugecëria”, ka thënë Zogaj.

Ai ka thënë më tutje se akuzat dhe kundërakuzat e deputetëve ishin makabre, dhe mërdhezja nxori në shesh pisllëqet e zeza që deputetët i shprehen në afekt.

“I këtillë ishte edhe hidhërimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, i cili paralajmëroi se - "gjatë janarit 2018 do të zbulohen shume sene dhe do te merret vesh se kush çka ka bërë!" Mënyrën si i tha këto fjalë, për mua ishin shumë të besueshme, sepse, Kadri Veseli është në burimin e informatave. Mirëpo, cila ishte arsyeja e shpërthimit të tij, mbetet të shihet në janar kur, edhe para Kadri Veselit shumë personalitete e kanë paralajmëruar se do të jetë fillimi i shumë zbërthimeve të lëmshit kosovar. Gjykata Speciale është njëra nga pritjet e "pranverës 2018" e cila siç paralajmërohet, për disa individë e grupe do të jetë shume e zhegshme”, ka përfunduar Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat