Thaçi i “sulet” BE-së për gabimet e veta

Politika

Thaçi i “sulet” BE-së për gabimet e veta

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 13 dhjetor 2017 Në ora: 09:57
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duhet t’i jap sqarim opinionit publik lidhur me kritikat e vazhdueshme që ai po i adreson ndaj Bashkimit Evropian.

I pari i shtetit në një intervistë për revistën e njohur franceze “Politique internationale”, ka kritikuar Brukselin për mos unitet sa i përket çështjes së Kosovës.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të miratojë një qasje të unifikuar politike për Kosovën. Si mund të shpresojë Evropa të flasë me një zë për çështje më të rëndësishme si Rusia apo Siria, nëse nuk mund të bien dakord për Kosovën e vogël”, i ka thënë Thaçi mediumit francez.

Por, kjo deklaratë po konsiderohet kontradiktore nga ana e deputetëve dhe analistëve në vend, pasi që sipas tyre, deri më tani prioriteti kryesor i presidentit ka qenë dialogu me Serbinë dhe veprimet tjera në funksion të synimeve të BE-së.

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Zyrës së Presidencës për të mësuar arsyen e kritikave që i pari i vendit po i bën kohëve të fundit ndaj zyrtarëve të Brukselit, por askush nuk është përgjigjur.

Gaxherri kërkon sqarim nga Thaçi për kritikat ndaj BE-së

Image
Besa Gaxherri

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri i konsideron si të dyshimta kritikat e kreut të shtetit ndaj Bashkimit Evropian.

“Deklarimet kohës së fundit të presidentit aktual Thaçi ndaj zyrtarëve të BE-së, janë shumë të çuditshme dhe shumë të dyshimta, dhe për këtë ai duhet t’i jap sqarim opinionit publik se a po i bën këto kritika për arsyeje personale apo për marrëveshjet e dëmshme që i ka nënshkruar me Serbinë në Bruksel”, thotë Gaxherri për “Bota sot”.

Sa i përket bisedimeve me Serbinë, Gaxherri thotë se është presidenti që i ka nënshkruar gati të gjitha marrëveshjet në Bruksel.

Sipas saj, presidenti duhet të tregoj se a ka probleme personale më ndonjë zyrtarë në Bruksel.

“Po e përsërisë se sot të gjithë qytetarët e këtij vendi janë befasuar me kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropianë, bash në këtë moment dhe kjo mua me jep të drejtë të dyshojë pse po bëhen bash tash. A po bëhen realisht se ai ka ndonjë problem personal me BE-në, apo vërtet ky ka gabuar dhe ka bërë kompromise të dëmshme dhe të panevojshme kur nuk është dashur. Kësaj pyetje duhet t’i jap përgjigje zotëri Thaçi”, thotë më tej Gaxherri.

Ajo shtoi, se tash është shumë vonë në qoftë se Thaçi del e thotë se BE-ja është e padrejtë karshi Kosovës.

Një mendim të njëjtë me Gaxherrin ka edhe deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha.

Image
Zafir Berisha

“Hashim Thaçi është personi që i ka bërë dëm më së shumti shtetit përmes marrëveshjeve që i ka bërë me Serbinë në dëm të Kosovës”, thotë Berisha për “Bota sot”.

Berisha fajëson të parin e Kosovës edhe për marrëveshjen e demarkacionit.

“Edhe marrëveshja e demarkacionit është nënshkruar nga ai që është e gabueshme, dhe ende ka qëndrim se kjo marrëveshje është në rregull, nga ana tjetër del e kritikon BE-në se nuk po e trajtojnë mirë Kosovën”, shtoi Berisha.

Thaçi kritikon BE-në se ka humbur autoritetin në vend

Nga ana tjetër, analisti i çështjeve politike Jeton Kelmendi mendon se kritikat e fundit të presidentit ndaj perëndimorëve po bëhen për faktin se ai e ka humbur fuqinë që e kishte dikur në vend.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se deklaratat e presidentit të vendit se gjoja Brukseli nuk ka qenë korrekt me Kosovën po vijnë në kohën kur presidenti Thaçi po tregon se është bërë një lider jo autoritativ tek populli i tij dhe këtë autoritet po tenton ta rifitojë tek ndërkombëtarët. Kjo tentativë është jo serioze dhe e pasuksesshme”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Kelmendi përmend një fjalë popullore që asocion me veprimet e fundit të Presidentit.

“Humbja e Thaçit është sikur që e thotë një fjalë popullore se dhelprës kur iu dogj bishti, ajo tha se u dogj e gjithë dynjaja. Një veprim të ngjashëm është duke e ndjekur edhe presidenti. Tash atë nuk e pyet askush, sepse e ka humbur autoritetin jashtë dhe brenda vendit dhe tash po tenton që të rikthehet në skenë”, thotë ai.

Kelmendi nuk e përjashton mundësinë që Thaçi të inskenojë edhe një trazirë në mënyrë që të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

“Pikërisht për shkak të Gjykatës Speciale, ai tenton që të krijoj amulli dhe kështu që mund të pritet edhe ndonjë trazirë që mund të inskenojë presidenti vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij”, shtoi Kelmendi.

Thaçi po del të jetë kontradiktor

Image
Skender Zogaj

Nga ana tjetër, publicisti Skënder Zogaj thotë se i pari i vendit po del shumë kontradiktor me kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropian, krahasuar me deklaratat e tij të fundit.

“Deklaratat e Presidentit Thaçi kohëve të fundit kanë ndryshuar shumë dhe, tashmë shkalla e kontradiktës së tij. është për keqardhje, sepse në kohën kur pritej që në njëfarë mënyre ta rrumbullakonte një profil prej politikani që ka arritur majën shtetërore, pas një karriere në funksione të rëndësishme ushtarake, politike e shtetërore dhe në raste të këtilla, e do rendi që të jetë më i vëmendshëm për vetveten e tij”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Madje, Zogaj kritikat e Thaçit i konsideron se tepër armiqësore.

“Mirëpo, ndryshimi deklaratave në adresë të BE-s është brengosëse, sepse deklaratat e kohëve të fundit janë mjaft armiqësore ndaj BE-së, të cilën e konsiderojmë çadrën e lirisë e të pavarësisë së Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, nëse Presidenti vërtetë ka fakte që Brukseli nuk është unik dhe mirë i angazhuar për çështjen e Kosovës, nuk ka nevojë të flasë fare, por duhet të kthehet dhe të sqaroj saktë për çka është fjala.

“Nëse është e vërtetë kjo që ka deklaruar ditëve të fundit, atëherë ky duhet të merret vesh me vetveten, sepse të gjitha i ka bërë krye në vete dhe vetveten duhet ta fajësoj”, shtoi Zogaj.

Edhe Besa Luzha nga shoqëria civile thotë se dikur Thaçi thirrej në Bashkimin Evropian kur nënshkruante marrëveshje që kundërshtoheshin.

Image
Besa Luzha

“Ky reagim i Presidentit është i çuditshëm kur ai ka vlerësuar lart synimet e BE për Kosovën, sepse vazhdimisht e ka vënë prioritet dialogun dhe veprimet tjera në funksion të synimeve të BE, shpesh edhe pa konsensus edhe përkundër kundërshtimeve nga shoqëria civile dhe opozita”, shtoi Luzha.

Ndryshe, presidenti Thaçi kohëve të fundit ka kritikuar ndërkombëtarët edhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se Kosovës iu premtua shumë lehtësime në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale, por sipas tij, deri më tani Kosova nuk ka marrë asgjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat