Në një dokument të siguruar nga mediet kroate e që Komisioni Evropian pritet ta miratojë së shpejti, thuhet se Serbia duhet të normalizoj marrëdhëniet sa më shpejtë të jetë e mundur me Kosovën, për të vazhduar rrugën e saj evropiane.
Sipas gazetës kroate “Jutarnji list” , BE si kusht do të vendosë zgjidhjen e çështjeve të hapura për kufijtë ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë. Në dokument përmenden edhe hapat për përfundimin e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Serbisë në BE deri në vitin 2025. Deri në fund të vitit 2019, Serbia dhe Mali i Zi duhet të fokusohen në përmbushjen e masave kalimtare nga sektori i sundimit të ligjit.
Megjithatë, deri në fund të vitit të ardhshëm është një periudhë shumë e shkurtër për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi dihet, që këto bisedime ndonëse kanë nisur 7 vite më parë, pak marrëveshje janë nënshkruar e shumë nga ato as nuk janë zbatuar.
Thaçi: Serbia do ta ketë të vështirë të hyjë në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën
Të pyetur nga gazeta “Bota sot”, nëse zyrtarë nga shteti serbë kanë shprehur gatishmëri për normalizim marrëdhëniesh brenda një periudhe kaq të shkurtër, për të fituar të drejtën e të qenit pjesë e BE-së, zyrtarët e MPJ-së nuk e kanë komentuar këtë çështje.
Ndërkaq, deputetja dhe anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Evgjeni Thaçi nga PDK-ja, thotë se nga raportet që vijnë nga BE-ja, thonë se të gjitha shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do të hynë në BE të njëjtën kohë.
“Të gjitha raportet dhe deklaratat që vijnë nga BE-ja aludojnë në atë se të gjitha shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në BE në të njëjtën kohë. Rrjedhimisht Serbia do ta ketë të vështirë të hyjë në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Për këtë arsye Brukseli përpiqet që të ketë përparim në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë”, thekson deputetja Thaçi për “Bota sot”.
Ajo thotë se pa normalizim marrëdhëniesh as Kosova nuk do të mund të hyjë në BE.
“Ne nuk mund të prejudikojme normalizimin e marrëdhënieve, por pa të do të jetë e vështirë perspektiva evropiane për të gjithë rajonin përfshirë edhe Kosovën”, thotë ajo.
Tahiri: Serbia të ndëryshojë kushtetutën
Ndërkaq, politilogu dhe njohësi i politikës ndërkombëtare, Mentor Tahiri thotë se kushti që i është vënë Serbisë për njohjen e Kosovës, nënkupton se ajo nuk mund të anëtarësohet në BE pa heq dorë nga Kosova. Ai në këtë rast thotë se janë duke u zhvilluar dy diplomaci të kordinuara mjaftë mirë.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, i cili është një nga kushtet të cila i janë vënë Serbisë, tregon se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa hequr dorë nga Kosova. Kjo mund edhe të mos nënkuptojë një njohje formale përmes rrugëve zyrtare diplomatike, por pak ka rëndësi. E rëndësishme është se Serbia do të konfirmojë më ndryshimet në kushtetutën e saj se më Kosovën nuk e konsideron si territor të saj. Në këtë drejtim, po zhvillohen dy diplomaci paralele por mirë të koordinuara mes tyre. Në njërën anë janë evropianët dhe në veçanti diplomacia gjermane, kurse në anën tjetër një diplomaci shumë aktive amerikane. Të kujtojmë, se në takimin e fundit ndërmjet Presidentit serb Vuqiç dhe ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Lee, është bërë goxha e qartë se pala serbe për herë të parë ndeshet më një ultimatum kohor amerikan lidhur me Kosovën. Sipas disa deklaratave që pas takimit pasuan nga ana e vetë zyrtarëve serbë, bëhet fjalë për Janarin e vitit 2019, si afat i fundit kur nga Serbia pritet që përfundimisht të reflektoj me realitetin e krijuar në Kosovë”, thekson Tahiri.
Politologu Tahiri, thotë më tutje se siç edhe shihet nga ultimatumi amerikan i cili i është vënë Serbisë, viti 2018 do të jenë arenë e zhvillimeve shumë dinamike sa i përket diplomacisë.
“Sigurisht që edhe Serbia do të paraqes ndonjë platformë të saj apo edhe do të kërkojë koncesione eventuale. Kosova që tani duhet të ketë të gatshme strategjinë se si të kundërvihet. Por një është shumë e qartë, Kosova në këtë periudhë po hyn me një skenë politike të brishtë dhe një qeveri shumë të papjekur për t’u përballur me sfidat në arenën ndërkombëtare. Në njërën anë një dinamikë koncize e diplomacisë evropiane dhe amerikane kundrejt Serbisë, si dhe në anën tjetër një qeveri “izolacioniste” në Kosovë, nuk shkojnë. Kjo do të shtrojë nevojën që ose të ndryshojë mentaliteti aktual qeverisës në Kosovë, ose në skenë të vjen një strukturë politike e cila e ka të qartë rreshtimin gjeopolitik në të cilin gjendet Kosova”, ka theksuar Tahiri.