Avokati Gashi “godet” OVL-në e UÇK-së për Specialen: Ku ishit qe dy vjet e gjysmë?!

Politika

Avokati Gashi “godet” OVL-në e UÇK-së për Specialen: Ku ishit qe dy vjet e gjysmë?!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 dhjetor 2017 Në ora: 16:44
Selia e Gjykatës Speciale dhe Tomë Gashi

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ato kanë paralajmëruar që nesër në ora 11.00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të fillojnë me nënshkrimin e peticionit, përmes të cilit do të kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për çështjen diskriminuese ndaj Kosovës.

Duke folur në lidhje me këtë, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se synojnë të mbledhin 10 mijë nënshkrime, që të arrijnë të kthejnë në shqyrtim këtë çështje në Kuvend.

Gjykatën Speciale ai e ka cilësuar si të njëanshme, duke theksuar se ajo duhet të merret me të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, duke i përfshirë edhe serbët.

Por, nismës e organizatave të dala nga lufta, avokati i njohur Tomë Gashi, e ka vlerësuar si të vonuar.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Gashi ka thënë se këtë veprim, organizatat e dala nga lufta, është dashur ta bëjnë para dy vitesh e gjysmë. Sipas avokatit, nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim në Ligjin për Specialen.

“Kjo iniciativë mund të themi se është e mirëseardhur, por është tepër e vonuar. Të gjitha këto iniciativa, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, kanë mundur t’i bëjnë para votimit të Ligjit për Gjykatën Speciale që ka qenë në gusht të vitit 2015 dhe ju e dini se ai Ligj nuk është votuar për një ditë, por ka pasur disa seanca dhe së paku tri herë ka shkuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës, kështu që unë besoj që është një propozim apo kërkesë e vonuar, e cila vetëm ka një efekt deklarativ, formal, por në asnjë variant kjo nuk mund të ndodhë, së paku jo tani”, ka deklaruar avokati Gashi.

 Sipas avokatit, për të ndryshuar çfarëdo neni apo pike në Ligjin për Specialen, kjo do të duhej të bëhej përmes ndryshimeve kushtetuese.

Mirëpo, ai ka theksuar se e gjithë nisma e shoqatave të dala nga lufta, ka prapavijë neglizhencën që ato kanë bërë gjatë dy viteve të fundit.

“Meqenëse për votimin e Gjykatës Speciale është dashur të ketë ndryshime kushtetuese, kështu që do të duhej të ketë ndryshime kushtetuese eventuale, për të ndryshuar çfarëdo neni, çfarë pike apo çfarëdo presje të Gjykatës Speciale. Është tepër vonë dhe gjithçka është duke u bërë për të arsyetuar neglizhencës edhe të Shoqatave të Dala nga Lufta, të cilat thuajse asgjë nuk kanë bërë për dy vite e gjysmë dhe tani kur është në pritje fillimi i punës të Gjykatës Speciale, secili do të tregojë se faktikisht është kundër kësaj gjykate, mirëpo nuk ka pasur deklarata të tilla, ose së paku nuk ka pasur zëra të mjaftueshëm e as vullnet të mjaftueshëm politik për ta ndaluar një të keqe siç është tani Gjykata Speciale, e cila shumë shpejtë do të fillojë punën e saj”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi në prononcimin për “Bota sot”.

Megjithëse nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së është thënë për media se ato kanë marrë përkrahjen për këtë nismë të tyre, asnjëra nga partitë politike në vend, nuk është deklaruar ende në lidhje me këtë çështje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat