“Daçiqi me kartën e Jerusalemit, po mundohet të zgjojë vëmendje”

Politika

“Daçiqi me kartën e Jerusalemit, po mundohet të zgjojë vëmendje”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 dhjetor 2017 Në ora: 22:33
Mentor Tahiri

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq në një konference në Beograd ka deklaruar sot se “Kosova është Jerusalemi ynë”.

Pas kësaj deklarate të Daçiqit ka pasur reagime të shumta në vend, për “Bota sot” analisti Mentor Tahiri ka thënë se Kosova vazhdon të përdoret si një kartë e përshtatshme për nxjerrjen e poenëve politik brenda skenës së brendshme të Serbisë.

“Partia nga e cila vjen shefi i diplomacisë serbe Daçiq, është i njëjti subjekt që dikur udhëhiqej nga diktatori Millosheviq. Kjo parti, pra Partia Socialiste Serbe, përkundër faktit që është drejtpërdrejtë përgjegjëse për zhvillimin e tre luftërave deri tani, fatkeqësisht po mbijeton pikërisht duke iu falënderuar një retorike nacionaliste, pjesë e të cilës retorikë janë edhe mitet e konstruktuara për Kosovën”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu, ai ka potencuar se deklarata e Daçiqit nuk mund të ketë efekte edhe pse e ka përdorur në një moment kur çdo përmendje e Jerusalemit është aktualisht e ndjeshme dhe zgjon vëmendje.

“Daçiq kësaj radhe ka zgjedhur të përdorë kartën e Jerusalemit, duke tentuar të krijojë një analogji ndërmjet Kosovës dhe këtij qyteti, në një moment të politikës ndërkombëtare ku çdo përmendje e Jerusalemit është aktualisht e ndjeshme dhe zgjon vëmendje. Veprimet e tilla konsiderohen sot për diplomacinë si diçka krejtësisht e tejkaluar, andaj edhe nuk mund të kenë asnjë efekt”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se parulla “Kosova si Jerusalem serb” është një tezë tanimë e hedhur poshtë edhe në qarqet shkencore.

“Përndryshe, parulla “Kosova si Jerusalem serb”, hyri në modë në kuadër të fjalimeve nacionaliste në Serbi, qysh në fund të viteve te 80-ta, në vazhdën e falsifikimeve se gjoja Kosova qenka vendi ku është formësuar populli serb, një tezë kjo tanimë e hedhur poshtë edhe në qarqet shkencore”, ka përfunduar Tahiri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat