“Gjykata Speciale mund të jetë selektive”, avokati tregon arsyet

Politika

“Gjykata Speciale mund të jetë selektive”, avokati tregon arsyet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 dhjetor 2017 Në ora: 23:02
Selia e Gjykatës Speciale

Aktakuzat nga Gjykata Speciale ende nuk kanë filluar. Por, kryetarja e kësaj gjykate, Ekatarin Trendafilova, ka thënë se Specialja do të sigurojë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë për të akuzuarit. Sipas saj, kjo gjykatë do të ndjekë penalisht të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kërcënojnë sigurinë e viktimave dhe dëshmitarëve ose ushtrojnë çdo lloj presioni ndaj gjyqtarëve.

“Kushdo që përpiqet të frikësojë dëshmitarët ose të përpiqet të ushtrojë presion ndaj gjyqtarëve menjëherë do të ndiqet penalisht. Hetimi do të pasojë, dhe ne nuk do të hezitojmë të zbatojmë ligjin“, ka deklaruar Trendafilova.

Lidhur me gjykimet nga Specialja dhe sigurinë e dëshmitarëve, për gazetën “Bota sot” ka folur avokati Adrian Gjoshi.

Image
Adrian Gjoshi

Ai thotë se për mbrojtjen e dëshmitarëve është krijuar zyra e veçantë dhe mbetet të shihet se sa do për përkrahen ata në praktikë.

“Duke e parë ndjeshmërinë dhe rëndësinë e dëshmive të dëshmitarëve, në kuadër të Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara është krijuar një zyrë e posaçme - Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve - e cila parasheh mbrojtjen e dëshmitarëve përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre, zhvillimin e procedurave me dyer të mbyllura, paraqitjen e provave me mjete elektronike ose mjete të tjera të veçanta etj. Mbetet të shihet se sa do të mund të mbrohen dhe përkrahen në praktikë dëshmitarët. Dëshmitarët janë pjesa qenësore e procedurës penale që do të zhvillohet nga Gjykata Speciale”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket drejtësisë së kësaj Gjykate, Gjoshi shprehet pesimist.

“Sa i përket drejtësisë që mund te sjell Gjykata Speciale, unë nuk jam shumë optimist se Gjykata Speciale do të ndriçojë të gjithë të vërtetën. Kështu, sepse brumi kryesor i aktakuzave të speciales do të jetë "raporti i Dick Martit", raport ky që kryekëput analizon dhe raporton për individë luftëtarë dhe top lider të UÇK-së, duke pandehur se kanë shkelur/tejkaluar ligjet dhe zakonet ndërkombëtare të luftës”, ka vazhduar më tej ai.

Sipas Gjoshit, Specialja mund të jetë selektive dhe për këtë jep arsyet.

“Gjykata Speciale mund të jetë selektive duke i ndjekur vetëm (ose me shumicë) shqiptarët. Kjo mund të ndodhë për dy arsye: e para, për shkak të raportit të Dick Martit i cili është tendencioz dhe selektiv; dhe e dyta, nëse nuk aktivizohet Departamenti për Krime Lufte në kuadër të prokurorisë speciale të Kosovës, duke dërguar fakte, prova dhe dëshmi që do të dëshmonin përtej çdo dyshimi krimet e kryera të serbëve në Kosovë”, ka thënë avokati Adrian Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat