Zbardhja e vrasjes së Xhemajl Mustafës, në duart e EULEX-it

Politika

Zbardhja e vrasjes së Xhemajl Mustafës, në duart e EULEX-it

Nga: Arbnore Zhushi Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 09:44
Xhemajl Mustafa

Janë bërë më shumë se 17 vite që nga vrasja e publicistit dhe kolumnistit të gazetës “Bota sot”, Xhemajl Mustafa. Vrasja e një nga njerëzve më të afërt të presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, ka mbetur enigmatike, përkundër që është thënë se drejtësia po e heton këtë rast.

Për rastin e vrasjes së Mustafës, ka folur edhe kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi. Ky i fundit, fajin për mos zbardhjen e vrasjes së publicistit,ia ka hedhur bartjes së lëndëve te ndërkombëtarët.

Lumezi ka thënë se dosja për vrasjen e Mustafës, është transferuar te prokurorët e EULEX-it, në kohën kur ai ishte Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës.

“Unë personalisht e kam shqyrtuar atë dosje derisa kam qenë Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut, por ndërkohë është kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili në atë kohë ka qenë ndërkombëtar që ajo lëndë të transferohet te prokurorët e EULEX-it, edhe në ditët e sotme ajo lëndë është te prokurorët e EULEX-it”, ka thënë Lumezi.

EULEX po e heton vrasjen

Ndërkohë, në EULEX, kanë konfirmuar se lënda për këtë rast është në duar të tyre. Në një përgjigje elektronike dhënë gazetës “Bota sot”, EULEX, ka thënë se rasti është nën hetime paraprake, mirëpo nuk ka pranuar të komentojë më shumë në lidhje me këtë.

“Rasti është nën hetime paraprake. EULEX-i  nuk mund të komentojë lidhur me raste, të cilat janë nën hetime”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Analistët politikë, konsiderojnë se vrasjet që tronditën Kosovën që nga periudha e pasluftës, nuk mund të zbardhen nga EULEX. Ata kanë thënë se edhe rasti i Xhemajl Mustafës, duhet të hetohet nga Gjykata Speciale.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti i çështjeve politike Faton Mehmeti, ka thënë se Prokurorët e misionit të EULEX-it, nuk kanë qenë të interesuar në zbardhjen e kësaj vrasje. Sipas tij, ky mision është i dështuar.

Image
Faton Mehmeti

“Mendoj se prokurorët e EULEX-it, nuk kanë qenë të interesuar për të zbardhur vrasjen e Xhemajl Mustafës. Më tepër janë marrë me akuza kundër politikanëve e të cilëve iu kanë zhvatur milionat. Gjithsesi, EULEX konsiderohet mision i dështuar pjesërisht, se nuk ka arritur të zbardh vrasjet më tronditëse në vend”, është shprehur Mehmeti.

Mehmeti: Vrasja e Mustafës të hetohet nga Specialja

Ai ka theksuar se e vetmja shpresë për zbardhjen e këtij rasti, është Gjykata Speciale.

“Shpresoj se këto vrasje si e Xhemajl Mustafës, të zbardhen nën mandatin e Gjykatës Speciale. Nëse kjo nuk ndodhë, ky do të jetë dështim për këtë gjykatë, pasi vrasja e Xhemajl Mustafës, është e domosdoshme, nëse synohet që në Kosovë të vihet drejtësia, edhe pse e vonuar”, ka thënë për “Bota sot”, Faton Mehmeti.

Ndërsa ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës Naim Miftari, ka dhënë detaje për vrasjen e Mustafës dhe arrestimin e një personi për këtë rast.

Ai ka thënë se është e dhimbshme që edhe 17 vjet pas vrasjet, nuk janë dënuar vrasësit e Mustafës.

“Është shumë e dhimbshme që edhe pas 17 vitesh, nuk u dënuan vrasësit e publicistit Xhemajl Mustafa, bashkëpunëtorit më të afërt të Ibrahim Rugovës dhe kritikuesit publik të disa dukurive negative pas luftës, ku kriminelë të ndryshëm, keqpërdornin emrin e shenjtë të UÇK-së për tek dhe interesa individuale ose grupore, si uzurpimet e banesave, dyqaneve, fabrikave dhe uzinave të ndryshme, plaçkitjet, shantazhet, cilësimet e njerëzve si tradhtar pa kurrfarë fakti dhe tentimit të merret pushteti me çdo kusht, sikur që ishte QPK e Hashim Thaçit”, është shprehur Miftari.

Image
Naim Miftari

Miftari jep detaje për vrasjen

Më tej, Miftari ka treguar se cili ishte reagimi i fundit i Mustafës, pak para vrasjes së tij.

“Reagimi i fundit i Xhemajl Mustafës kur reagoi me plotë të drejtë ndaj një parulle të shkruar në sheshin e sotëm “Nëna Terezë”, pasi PDK i humbi zgjedhjet e para. Parulla ishte shkruar në asfalt afër Toskanës “Të qoftë haram gjaku im Kosovë”, dhe Xhemajl Mustafa, pati reaguar me një shkrim “Kur të mallkojnë të mallkuarit”. Vetëm disa ditë pas këtij shkrimi, vritet Xhemajl Mustafa, i cili njihej si njeriu që ndikoi shumë në kthimin e Ibrahim Rugovës nga Italia pas luftës, ku edhe LDK e Rugovës i fitoi zgjedhjet”, ka thënë Naim Miftari.

Sipas tij, EULEX-i nuk ka fakte bindëse për këtë vrasje. Miftari, ka treguar se si policia ndërkombëtare kishte arrestuar një person për vrasjen e Mustafës, i cili sipas tij, veten e paraqiste si pjesëtar të SHIK-ut.

Ai ka thënë, se i arrestuari me inicialet F.D ishte nga rrethi i Gjilanit dhe ishte mbajtur në burg në Bondsteel, por më vonë ishte liruar me kusht.

“Sa i përket rastit, EULEX nuk ka fakte bindëse për këtë vrasje, pasi po të kishte, besoj se së paku do t’ia kishte filluar shqyrtimit gjyqësor gjer tani, për rastin e vrasjes së atdhetarit Xhemajl Mustafa, i cili u vra nga së paku një person para 17 vitesh mu në qendër të Prishtinës. Vrasësit dhe urdhëruesit nuk u zbuluan kurrë. Pas disa ditësh nga vrasja qyqare, policia ndërkombëtare kishte arrestuar një të dyshuar, i cili pak kohë para atentatit ishte parë disa herë duke shëtitur në qendër, por edhe rreth ku endej i ndjeri Mustafa. Personi i arrestuar ishte F.D, pjesëtar i UDB-së (nga rrethi i Gjilanit), i cili shumë vite pas luftës, veten e paraqiste si pjesëtar të SHIK-ut. Ky person ishte mbajtur në burg në Bondsteel-in amerikan një kohë, por ishte liruar pastaj me kush. Arsyet e lirimit nuk i di. Para ca vitesh Baton Haxhiu, dikur i besuar i Ivica Stanishiqit, krye shef i UDB-së, deklaroi publikisht se u gjet revolja e cila kishte vrarë edhe Xhemajl Mustafën )revolja ishte e tipit Shkorpion 7.65 mm). Zakonisht këto revole janë çekosllovake, kanë edhe silenciator dhe përdorin karikator 10-12 ose 20 plumbëshe). Baton Haxhiu këtë deklaratë e bëri publike dhe më shumë zjarr, por nga ajo dit kurrë më nuk u përmend më as ajo revole e as storiet e thashethemet, ku aludonin në disa persona, por duke mos pasur guxim të përmendnin emra konkret”, është shprehur më tej Miftari.

Edhe Miftari ka pohuar se rastin e vrasjes së publicistit Mustafa, duhet ta hetojë Gjykata Speciale, mirëpo ai është shprehur skeptik se kjo e fundit do të zbardhë vrasjet e dhimbshme të pas luftës.

“Sipas njohurive të mia nuk ka fakte dhe argumente të forta që të mbyllet ky rast. Shpresoj se këtë rast, edhe disa raste tjera të vrasjeve politike, ku u vranë atdhetar, publicistë, gazetarë dhe komandantë të luftës, njerëz që kontribuan për lirinë tonë, t’i merr në shqyrtim Gjykata Speciale ndërkombëtare, edhe pse ka shumë skepticizëm se kjo gjykatë do të zbardhë këto vrasje të dhimbshme të pas luftës, sikur nuk i zbardhi UNMIK-u dhe EULEX-i”, ka përfunduar për “Bota sot”, Naim Miftari.

Ndryshe, Xhemajl Mustafa, u vra në nëntor të vitit 2000 afër banesës së tij në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat