Rrugëtimi politik i Dardan Molliqajt në Vetëvendosje

Politika

Rrugëtimi politik i Dardan Molliqajt në Vetëvendosje

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 15 dhjetor 2017 Në ora: 12:15
Dardan Molliqaj

Po bëhen një javë që plasi në media problematika më shumë se 1 vjeçare e Vetëvendosjes. Aty veçse ishin krijuar 2 grupacione të cilat po vepronin ndaras sa i përket veprimeve brenda kësaj partie. Lideri i padiskutueshëm Albin Kurti, kishte përballë vetës një grupacion, të cilët po kundërshtonin figurën e tij.

Mes shumë përplasjeve, e fundit ajo në viber, ku deputetja Aida Dërguti e ofendon Albin Kurtin me fjalë fyese, opinioni e kuptoi se franksioni brenda këtij subjekti ishte më i thellë se sa që mund të ishte menduar. Partia e cila në tubime shfaqej çdo herë si unike rreth çështjeve të rëndësishme, siç duket po e bënte këtë veprim vetëm sa për të mos rënë në syrin e medieve.

Opinionit sigurisht se i intereson shumë se ku qëndron problemi mes këtyre dy grupacioneve të cilat tashmë edhe kanë krijuar profilet e veta.

Fillimisht u mendua se Aida Dërguti ka ndonjë problem personal me Albin Kurtin, por po del se Aida rreth vetës ka bashkë partiak të shumtë të cilët mendojnë sikurse ajo. Ndër tyre më i rëndësishmi dhe më i zëshmi po del të jetë, Dardan Molliqaj.

Ai haptas në mbledhjen e së shtunës, është deklaruar se e kundërshton Albin Kurtin. Ai e kundërshton me arsyen se ky i fundit nuk duhet të kandidojë për të parin e kësaj partie. Por, opinioni publik duhet ta dijë historikun se si është zhvilluar ky rrugëtim dhe si ka ardhur deri te përplasja e tyre.

Dardan Molliqaj, një i ri në Vetëvendosje, me përkrahjen e pa rezervë të Albin Kurtit, anëtarësohet në Lëvizje, duke u ngritur në detyrë nga dita ditës. Molliqaj nga një anëtarë i thjeshtë, arrin që të bëhet njëri ndër figurat më të rëndësime brenda Vetëvendosjes. Pra, emërohet në detyrën e sekretarit organizativ. Për ata që se dinë pozita e sekretarit organizativ është njëra ndër pozitat më të rëndësishme brenda subjekteve, pasi që detyra e tyre është organizimi dhe menaxhimi i aktiviteteve të partisë. Pra krahas kryetarit të partisë i cili ka më shumë rol përfaqësues dhe unifikues, puna e sekretarit organizativ ka të bëjë me terrenin dhe mënyrat e funksionimit të partisë.

Dardani tashmë e kishe krijuar figurën e tij politike të ndihmuar nga disa bashkë partiak. Në shumë debate shquhej për këmbëngulësinë dhe dëshirën për të u dukur sikur Albini. Opinionistë të shumtë janë shprehur se Molliqaj sikur po tenton që ta kopjojë Albin Kurtin.

Por, në çfarë kuptimi mund të quhet kopjim. Dardani për nga stili apo pamja e jashtme i përngjante Albinit, me formën e flokëve, mënyrës se si i artikulonte mendimet por më e rëndësishmja ishte se ai gjestikualcionet e Albin Kurtit mundohej që të i përdorte kur i jepej rasti të shfaqej në ekranet televizive.

Nga kjo del se Dardan Molliqaj, kishte simpati të madhe për figurën e Albin Kurtit, sa që e kopjonte me përpikmëri. Në anën tjetër, Albin Kurti, sikur ishte i verbëruar në këtë rast dhe nuk e kuptonte që po tentohej të krijohej një “Albin i dytë” brenda organizatës.

Figurën e Dardan Molliqajt në politikë, e ka krijuar vetë Albin Kurti. Ky që është sot Molliqaj, është meritë e Albinit pasi që i dha fuqinë e duhur sa që pas disa viteve, ky njeri të i kthehej në njërin prej kundërshtarëve më të zëshëm brenda partisë.

Demokracitë  e brendshme janë të mirëseardhura në secilën parti por ajo që po ndodhë brenda Vetëvendosjes, mund të jetë gjithçka tjetër vetëm se demokratike jo. Aty po tentohet që të i cenohet e drejta një individi, për më tepër një lideri shpirtëror që të kandidojë për kryetar.

Kjo në fakt është pyka në të cilën e ka hallin Dardan Molliqaj. Ky i fundit si kusht për të qëndruar në Vetëvendosje e ka që Albin Kurti të mos kandidohet më për kryetar të partisë. Si është e mundur që brenda pak viteve, një individ i cili rritet politikisht, në saje të përkrahjes së një lideri të partisë, pas disa viteve të qohet dhe të kontestojë të drejtën që ky individ të kandidojë për kryetar.

Nuk do shumë mend, që të nënkuptohet se Dardan Molliqajn e pengon fakti se nëse Albin Kurti do të del në garën për kryetar të Vetëvendosjes, ai do të fitojë bindshëm pasi që është njëri ndër njerëzit më të dashur në skenën politike kosovare. Për më tepër, Albin Kurti është politikani më i votuar në Kosovë, në zgjedhjet e mbajtura në muajin qershor të këtij viti.

Dardan Molliqaj, po del edhe kundër fjalëve të tija. Në emër të Vetëvendosjes, ai është shprehur shumë herë se demokracia e brendshme është ajo e cila e karakterizon këtë subjekt politik. Ka përmendur mes tjerash se si zhvillohen zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje dhe se sa transparente janë ato.

Tash, pas disa viteve ai është duke vepruar të kundërtën e asaj se si është shprehur. Ai po vendos kushte brenda subjektit dhe po kërcënon për më tepër në largimin e tij nga ky subjekt. Po e cenon të drejtën e Albin Kurtit për të konkurruar për kryetar dhe po kërcënon se ai do të largohet nga ky subjekt nëse ndodhë diçka e tillë.

Në mënyrë indirekte Dardan Molliqajt i ka dhënë përkrahje edhe i pari i partisë, Visar Ymeri. Por përkrahja e tij nuk ndalet këtu, pasi që ai pas vetes i ka edhe deputetët si :Fisnik Ismajlin, Aida Dërgutin, Faton Topallin, Shqipe Pantinën e sigurisht se edhe Dukagjin Goranin.

Molliqajt dhe të tjerëve është duke i penguar Kurti brenda partisë. Ata janë kundër fuqizimit të Albin Kurtit. Ndoshta për shkak të ndjenjës së inferioritetit kanë vendosur që ta kundërshtojnë.

Figura e Kurtit ka filluar të ndërtohet qysh në vitet e 90-ta në protestat e studentëve, e përcjellë me deklaratën në burgun e Pozharevcit e deri në krijimin e Vetëvendosjes, e cila është pasuar me hyrjen në Parlament, e në fund rritjen e partisë deri  në partinë më të madhe sa i përket ulëseve në Parlament.

Vetëvendosja është vet Albin Kurti, kurse Albin Kurti është vet Vetëvendosja. Si munden që këta njerëz t'ia cenojnë të drejtën një individi, i cili i ka krijuar politikisht, ja ka bërë gati terrenin për të qenë këta që janë sot. Këta deputet, po të mos ishte Albini, sot do të ishin duke kërkuar punë apo duke kërkuar që ta gjejnë vetën në ndonjë profesion.

Kurti së bashku me disa të tjerë, e krijuan Vetëvendosjen. Vendosën që këtij subjekti t’ia ndërotjnë identitetin me vite të tëra. Anipse kjo nuk mund të jetë e pranushme për grupin kundërshtues, Vetëvendosja identifikohet me figurën e Albin Kurtit. Nëse të gjithë të tjerët zëvendësohen, Kurti  është i pazëvendësueshëm në Vetëvendosje.

Në fund të fundit është për të të ardhur keq se si ky grupacion ka vendosur që të i’i kundërvihen Albin Kurtit. Përderisa ai ndodhet në paraburgim, individët në fjalë po mundohen që ta diskreditojnë figurën e tij. Këto veprime nuk përkojnë me teoritë të cilat i kanë përsëritur me vite Molliqaj dhe shokët e tij.

Nëse në PDK, ka pasur ngjarje të cilat janë emërtuar si “Pronto I” dhe “Protnto II”, ngjarjet aktuale dhe ato të kaluara në Vetëvendosje munden që të emërtohen si “Fraksion + II”. Ky emërtim vie si vazhdimësi e fraksionit të parë i cili ka ndodhur, kur janë larguar Ajnishahe Halimi, Arben Gecaj e disa të tjerë.

Sigurisht që pesha nuk është e njëjtë, sikur në rastin aktual sepse figurat për të cilat po diskutohen kanë rëndësi më të madhe se sa Gecaj dhe Halimi.

Ndryshe nga PDK-ja, ky fraksion i cili mund të emërtohet “Fraksion + II” sigurisht se mund ta dërgojë Vetëvendosjen drejtë një përfundimi të errët dhe të pakthyeshëm.

Mbetet të shihet se si do të veprojë Albin Kurti, i cili deri me datë 27 dhjetor ndodhet në paraburgim, se a do të bëjë lëshime për hirë të partisë dhe së ardhmes së partisë apo do të i’u kundërvihet këtyre figurave, për të zhvilluar një demokraci të brendshme e cila do të prodhojë një kryetar koncensual dhe i cili do të jetë i pranueshëm për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat